Ndërlidhjet

Argjentina do nga Irani të dorëzojë të dyshuarit e sulmeve të ’94-ës


Presidentja e Argjentinës, Kristina Kirhner, i ka bërë thirrje Iranit të dorëzojë të dyshuarit për sulmin vdekjeprurës në vitin 1994, në një qendër të komunitetit hebre në Buenos Aires.

Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Kirhner ka përsëritur kërkesën që Aregjentina i ka bërë Republikës Islamike që nga viti 2003.

Ajo ka vënë në dukje se, kohët e fundit, ka pasur një ndryshim në pozicionin zyrtar të Teheranit, porse një gjë e tillë "nuk është e mjaftueshme".

“Mesazhi që kemi marrë nga Irani, edhe pse ai nënkupton ndryshimin e qëndrimit të qeverisë, nuk përbën një përgjigje të kënaqshme për kërkesën tonë. Po e them në mënyrë të qartë: kërkesa jonë është për drejtësi”, ka thënë Kirhner.

Një shpërthim i fuqishëm bombe në ndërtesën e Shoqatës Izraelite të Argjentinës, më 18 korrik të 1994-ës kishte vrarë 85 njerëz dhe plagosur mbi 300 të tjerë. Prokurorët argjentinas kishin akuzuar Qeverinë e Iranit për orkestrimin e bombardimeve dhe militantët e Hezbollahut për kryerjen e tyre.
XS
SM
MD
LG