Ndërlidhjet

logo-print

Fatal dhe Bauer bashkohen me familjet

  • RFE /RL

Xhosh Fatal dhe Shejn Bauer.

Xhosh Fatal dhe Shejn Bauer.

Dy shtetasit amerikanë, të burgosur nga Irani për më shumë se dy vjet, kanë përjetuar shijen e parë të lirisë pas arritjes në Gjirin e Omanit, ku edhe janë bashkuar me anëtarët e familjes.

Familjarët e Xhosh Fatalit dhe të Shejn Bauerit, të cilët kanë udhëtuar drejt kryeqytetit Muskat për t’i mirëpritur ata, e kanë përshkruar lirimin e dy djemve si “ditën më të mirë në jetën e tyre”. Fatal gjithashtu ka shprehur emocione pas arritjes në Oman.

Jemi shumë të lumtur që jemi të lirë. Mirënjohja jonë e thellë shkon për madhërinë e Sulltanit Kabus të Omanit, i cili ka siguruar lirimin tonë”, ka thënë Fatal.

Vëllai i tij, Aleksi, u ka thënë mediave se dy të liruarit janë “të shëndetshëm, të lumtur dhe të fortë”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, tha se të gjithë amerikanët po festojnë lirimin e tyre. Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, tha se do t’i takojë ata pas kthimit në Shtetet e Bashkuara.

Do të doja të tregoj sa e lumtur dhe sa e qetë që jam pas lirimit të dy të rinjve nga burgu i Iranit, ku ata nuk do të duhej të ishin kurrë”, është shprehur Klinton.

Uashingtoni po ashtu ka shprehur mirënjohjen për përpjekjet e qeverive të Omanit, Irakut dhe të Zvicrës, në lirimin e dy shtetasve.

Duke folur para largimit të tyre nga Teherani, ambasadorja e Zvicrës në Republikën Islamike, Livia Leu Agosti, ka dhënë këtë deklaratë:

Ata do të largohen tani dhe unë jam shumë, shumë e lumtur për këtë. Ka kaluar kohë e gjatë për ta dhe ne kemi bërë shumë punë.
Ata do të largohen tani dhe unë jam shumë, shumë e lumtur për këtë. Ka kaluar kohë e gjatë për ta dhe ne kemi bërë shumë punë. U jam shumë mirënjohëse të gjithë atyre që kanë ndihmuar, veçanërisht Omanit dhe natyrisht irakianëve”.

Në një deklaratë për media, edhe familjet kanë falënderuar ata që kanë punuar në lirimin e Bauerit dhe Fatalit – përfshirë udhëheqësit e Omanit, diplomatët e Zvicrës dhe avokatin iranian të dy djemve.

Mirënjohja jonë e thellë u takon edhe shumë, shumë të tjerëve nga qeveritë, institucionet dhe fushatave të dhjetëra-mijëra njerëzve në mbarë botën”, thuhet në deklaratë.

Avokati i dy amerikanëve, Masud Shafei, ka thënë se ka marrë miratimin gjyqësor për pagesën e 1 milion dollarëve kusht, çfarë i ka hapur rrugë lirimit të dy djemve.

Pagesa thuhet të jetë kryer përmes Omanit, pasi Irani dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrëdhënie diplomatike ose bankare. Zvicra përfaqëson interesat e Uashingtonit në Teheran, prejse SHBA ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, menjëherë pas Revolucionit të tij Islamik të vitit 1979.

Bauer dhe Fatal janë arrestuar në korrik të 2009-ës, së bashku me shoqen e tyre Sara Shourd, përgjatë kufirit Iran-Irak. Shourd, po ashtu shtetase amerikane, është liruar në shtator të vitit 2010 për arsye shëndetësore, pas pagesës së kushtit prej 500 mijë dollarësh.

Të tre ecnin në malet e veriut të Irakut, kur thuhet se kanë kaluar kufirin në Iran. Ndonëse kanë deklaruar se e kanë bërë pa dashje, drejtësia iraniane, në këtë gusht, i ka shpallur fajtor Bauerin dhe Fatalin për, siç është thënë, spiunazh dhe hyrje ilegale në Iran, duke dënuar secilin me nga tetë vjet burg.

Rasti mori një kthesë të papritur, kur presidenti i Iranit, Mahumd Ahmadinexhad, deklaroi javën e kaluar se dy amerikanët do të lirohen për shkaqe humanitare.

Analistët thonë se njoftimi i Ahmadinexhadit ishte përpjekje për të përmirësuar pozicionin e tij ndërkombëtar para takimit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara mohon se Bauer, Fatal dhe Shourd ishin spiunë. Organizata Amnesty Interantional (AI) thotë se lirimi i tyre është “një zhvillim, i cili është vonuar gjatë”.

Të gjitha provat në dispozicion kanë sugjeruar fuqishëm se autoritetet iraniane e kanë ditur se tre personat nuk ishin spiunë”, thotë Hasiba Hadij Saraoj, zëvendësdrejtore e AI-së për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.(v.t.)



XS
SM
MD
LG