Ndërlidhjet


Policia e Kosovës ka arrestuar 13 persona me përkatësi etnike serbe, për shkak të hyrjes ilegale me kamionë nga Serbia në Kosovë, thonë zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i kësaj policie për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se fillimisht policia e ka qartësuar praninë e 20 kamionëve të firmës “Eurokop”, mbi bazën e dyshimit se këta kamionë kanë qenë të përfshirë në vënien e barrikadave në rrugët kryesore në anën veriore të qytetit të Mitrovicës dhe përgjithësisht veriun e Kosovës.

Hetuesit kanë konstatuar se këta kamionë në fjalë, nuk kanë qenë të përfshirë në vënien e barrikadave.
Hetuesit kanë konstatuar se këta kamionë në fjalë, nuk kanë qenë të përfshirë në vënien e barrikadave. Pjesa tjetër e hetimeve edhe më tutje po zhvillohet nga sektori i auto-krimeve, për të vërtetuar saktësinë e dokumentacionit të këtyre kamionëve, se cila firmë, përkatësisht ka përfaqësinë në Rashkë të Republikës së Serbisë. Ndërsa 13 ngasësit e këtyre kamionëve janë ndaluar nga sektori i hetimeve të policisë kufitare, mbi bazën e dyshimit se të njëjtit kanë hyrë në Kosovë ilegalisht, do të thotë, duke përdorur rrugët dytësore ose ilegale të kufirit Kosovë-Serbi”, tha Hoti.

Ndryshe, sipas Hotit, kamionët e konfiskuar janë nga Rashka dhe ata kanë bartur koncentrat të plumbit, i cili është eksportuar jashtë Kosovës për nevoja të Trepçës.

Ndërkaq, policia, tash për tash, është duke e zbatuar masën e ndalimit për 48 orë për ngasësit e kamionëve.

Hoti ka shtuar se situata e sigurisë, në përgjithësi në veriun e Kosovës, vazhdon të jetë e qetë por me tensione.

Kësaj qetësie i referohet fakti se nuk janë regjistruar incidente të formave të ndryshme, të cilat do ta rrezikonin këtë situatë.
Kësaj qetësie i referohet fakti se nuk janë regjistruar incidente të formave të ndryshme, të cilat do ta rrezikonin këtë situatë. Ndërsa, barrikadat vazhdojnë të jenë ato të ngjashmet, në lokacionet e njëjta, në të cilat janë vendosur ditë më parë”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, lideri i serbëve të veriut të Kosovës, Millan Ivanoviq nga Këshilli Kombëtar Serb, tha se arrestimi i 13 serbëve nga Policia e Kosovës ka tensionuar situatën në veri të vendit dhe ka shqetësuar banorët lokalë serbë.

Gjatë natës së kaluar ka pasur mjaft shqetësime dhe tubime të njerëzve në numër të madh. Disa qindra njerëz janë tubuar gjatë natës, pas informatës se janë arrestuar dhjetëra serbë dhe ata janë ndaluar nga Policia e Kosovës në anën jugore. Ata janë punëtor të Trepçës. Ka pasur pritje se mund të ketë vazhdim të masave eventuale, si dhe ndonjë ndërhyrje nga ana jugore”, tha Ivanoviq.

Ai ka theksuar se serbët vazhdojnë të qëndrojnë pranë barrikadave të cilat janë vendosur tash e sa ditë në rrugët kryesore dhe alternative në veri të vendit, ndonëse sipas tij, jo në numër të madh.

Atmosfera edhe më tutje vazhdon të jetë me tensione të ngritura dhe me pasiguri. Por, gjendja nuk është më sikur para disa ditëve apo siç ka qenë menjëherë pas 16 shtatorit. Por, njerëzit, si duket, pas barrikadave, megjithatë ndjehen më të sigurt”, tha Ivanoviq.

Ndryshe, që nga 16 shtatori, kur Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in ka vënë kontrollin mbi vendkalimet kufitare në veri të vendit, serbët kanë vendosur 6 barrikada në rrugët kryesore që lidhin komunat e veriut të Kosovës, si dhe anën jugore të Mitrovicës më këtë pjesë.

Barrikada dhe pengesa të tjera, serbët lokalë kanë vendosur edhe në rrugët dytësore apo alternative në veri të vendit.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG