Ndërlidhjet

Fatmir Limajt, 30 ditë arrest shëpiak


Fatmir Limaj
Fatmir Limaj
Gjykata e Qarkut në Prishtinë në orët e mbrëmjes të së enjtes ka vendosur masën e arrestit shtëpiak për deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvend, Fatmir Limajt, në afat kohor prej 30 ditësh.

Zotin Limaj dhe nëntë persona të tjerë, aktakuza e ngritur nga EULEX-i dhe e konfirmuar tashmë, i ngarkon për krime lufte kundër popullatës civile dhe robërve të luftës, në fshatin Kleçkë.

Ky vendim i Gjykatës së Qarkut pason interpretimin që Gjykata Kushtetuese i bëri imunitetit të deputetëve në Kuvendin e Kosovës, zyrtarëve të qeverisë dhe presidentit.

Në një komunikatë për media, EULEX-i ka bërë të ditur se “pas sqarimit të imunitetit nga Gjykata Kushtetuese, Fatmir Limaj është paraqitur sot në seancën dëgjimore në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë”.

Me kërkesën e prokurorit, një gjykatës i EULEX-it ka urdhëruar një muaj arrest shtëpiak dhe konfiskim të përkohshëm të dokumenteve të udhëtimit të zotit Limaj, thuhet në komunikatë.

Në interpretimin e Gjykatës, të fuqizuar pikërisht sot, mes tjerash thuhet se “deputetët nuk gëzojnë imunitet nga ndjekja penale për veprimet dhe vendimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre. Kjo ka të bëjë me ndjekjen penale për veprat penale të cilat pretendohen të jenë kryer para fillimit të mandatit të tyre dhe gjatë rrjedhës së mandatit të tyre si deputetë”. (a.v.)
XS
SM
MD
LG