Ndërlidhjet

Diplomatët braktisin sallën - shkak fjalimi i Ahmadinexhadit


Delegacioni amerikan i Kombeve të Bashkuara dhe diplomatë të tjerë të këtij mekanizmi kanë braktisur Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, pasi presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad, ka mbajtur një fjalim të ashpër anti-amerikan.

Për të shtatën vjet me radhë, Ahmadinexhad shfrytëzon forumin vjetor të OKB-së për të vënë në dyshim sulmet terroriste të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara, duke iu referuar atyre si “aksident misterioz i 11 Shtatorit”.

Ai gjithashtu i ka quajtur ato një “pretekst” për pushtimin amerikan të Irakut dhe të Afganistanit.

“Hipokrizia dhe mashtrimi janë të lejuara për të realizuar interesat dhe qëllimet e tyre imperialiste”, tha Ahmadinexhad, për t’iu referuar edhe holokaustit hebre:

“Duke përdorur rrjetin e tyre imperialist të mediave, ata kërcënojnë secilin që vë në pyetje holokaustin dhe ngjarjet e 11 Shtatorit me sanksione dhe veprime ushtarake”.

Rreth gjysmës së fjalimit të tij 30-minutës, delegacioni amerikan është ngritur në këmbë, duke u pasuar edhe nga diplomatë të tjerë të vendeve perëndimore.

Pjesëmarrja e Ahmadinexhadit në Asamblenë e Përgjithshme është shoqëruar edhe me protesta jashtë selisë së OKB-së.
XS
SM
MD
LG