Ndërlidhjet

logo-print

Pacientët "nuk kanë vend" në QKU


Qendra Klinike Universitare

Qendra Klinike Universitare

Qendrën Klinike Universitare, përkatësisht Qendrën Emergjente, e frekuentojnë rreth 200 pacientë vetëm brenda 24 orësh. Kjo, sipas zyrtarëve shëndetësorë, ngarkon stafin e kësaj klinike tej mase dhe vështirëson punën e tij.

Basri Lenjani, ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës Emergjente, thotë se përpos fluksit të papërballueshëm të pacientëve, problem kyç përbëjnë edhe pacientët, të cilët kanë nevojë për kujdes intensiv, e për shkak të mungesës së hapësirës adekuate, duhet të qëndrojnë me javë të tëra në Qendrën Emergjente.

“Qendra Emergjente po ballafaqohet me një numër të rasteve që kërkojnë sistemim të kujdesit intensiv. Rastet e tilla ndodh të mbesin në Qendrën Emergjente, për shkak të mungesës së vendeve në kujdesin intensiv”, thotë Lenjani.

Sipas tij, Qendra Klinike Universitare ka gjithsej 14 shtretër për rastet që kanë nevojë për kujdes intensiv. Ai thotë se disa herë është kërkuar që të bëhet zgjidhje, mirëpo, për shkaqe të ndryshme, “planet gjithmonë kanë dështuar”.

“Kemi kërkuar të hapen pesë vende për përkujdesje të vazhdueshme shëndetësore për këta të sëmurë, por mungojnë kuadro, anesteziologë, pajisje mjekësore... Pra, probleme që paraqesin vështirësi për menaxhim të këtyre rasteve”, thotë Lenjani.

Shpend Fazliu, zyrtar për informim në Qendrën Klinike Universitare, thotë se për shkak të numrit të madh të pacientëve, Qendra Intensive është e stërmbushur.

“Në kuadër të mjekimit intensiv i kemi vetëm 14 shtretër, ndërsa është qendër referente për tërë Kosovën dhe normalisht që nuk mjaftojnë. Si pasojë e gjithë kësaj, pacientët detyrohen të qëndrojnë edhe më gjatë se 24 orë në Qendrën Emergjente”, pohon ai.

Fazliu thotë se tashmë kanë filluar të dërgojnë aspiratorë në disa klinika, në mënyrë që kudo që ka hapësira të lira brenda Qendrës Klinike, të shfrytëzohen për pacientët që kanë nevojë për mjekim të gjatë intensiv.

“Jemi munduar që të bëhen zgjidhje në klinika të tjera për pacientët që kanë nevojë për kujdes intensiv. Qëndrimet e pacientëve janë të stërzgjatura dhe kjo e vështirëson punën e mjekëve. Jemi duke u munduar të bëjmë zgjidhje nëpër klinika të tjera, duke dërguar aspiratorë kudo që ka hapësirë”, thotë Fazliu.

Ministria e Shëndetësisë premton zgjidhje në të ardhmen e afërt. Drejtori i Departamentit për Informim në këtë institucion, Faik Hoti, shpjegon më shumë:

“Qendra Emergjente është më e ngarkuara, por në një të ardhme të afërt pritet të bëhet një zgjidhje. Për këtë ekziston një projekt i miratuar i Ministrisë së Shëndetësisë me Komisionin Evropian për rregullimet e ndryshme në emergjencë, e që kap vlerën e 800 mijë eurove”.

Deri në realizimin e projekteve në fjalë, stafit shëndetësor të Qendrës Emergjente i mbetet të përballet me mungesë hapësirash dhe me fluks të papërballueshëm pacientësh. Problemi qëndron te sistemi i referimit, ku pacientë nga të gjitha anët e Kosovës, qofshin raste emergjente apo jo, dëshirojnë të trajtohen në këtë vend, thonë autoritetet shëndetësore.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG