Ndërlidhjet

Shala: Të bëhemi gati për temën e veriut


Blerim Shala

Blerim Shala


Prishtina duhet të bëhet gati që temën e veriut ta trajtojë si duhet me faktorin ndërkombëtar, thotë për Radion Evropa e Lirë Blerim Shala, nënkryetar i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Shala, ka kaluar një javë që nga aksioni i përbashkët për pikat doganore në veri, ndërkohë që gjendja në terren mbetet e tensionuar. Ku e shihni rrugëdaljen pas hapave të parë për vënien nën kontroll të këtyre pikave?
BLERIM SHALA
Gjithsesi duhet të thuhet se është një hap përpara. Ajo çka filloi më 25 korrik, mbeti në gjysmë për shkaqe të njohura. Tash, më 16 shtator, kemi një prani që, çfarëdo qoftë, e dimë se është prani simbolike e doganierëve e policëve kufitarë në pikat 1 dhe 31.

Por, për bindjen time, çfarë është më e rëndësishme është se tash kemi një koordinim të plotë midis nesh, EULEX-it e KFOR-it, pra me Brukselin e Uashingtonin, që të ketë rend dhe ligj në veri, të ketë regjim kufitar të mirëfilltë dhe e gjithë kjo është një konsekuencë po ashtu e pritur e marrëveshjes së 2 shtatorit, që vulat doganore të Kosovës të pranohen nga Serbia.

Pra, kemi një arritje, por gjithsesi duhet të mos kemi iluzion që me këtë është kryer puna. Na pret një punë e madhe. Mendoj që Beogradi është i vetëdijshëm që çështja e portave 1 dhe 31 është e pakthyeshme, por dëshiron të mbajë kontroll midis urës së veriut të Mitrovicës dhe portave 1 dhe 31, duke thënë se për këtë territor duhet të bisedohet, jo më për kufijtë Kosovë – Serbi. Megjithatë, aty-këtu, ende dëgjohen ide për ndarje të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Po cila në këtë rast duhet të jetë përgjigjja e Prishtinës, nëse një shtet fqinj insiston që të bisedohet për një territor të një shteti tjetër?
BLERIM SHALA
Para së gjithash, mendoj që ne duhet të refuzojmë insistimet e Beogradit që qysh në fund të shtatorit të bisedohet për regjimin kufitar në portat 1 dhe 31. Kjo njëmend është çështje e brendshme e Republikës së Kosovës dhe nuk ka çka të bisedohet as me Beogradin dhe me askënd tjetër.

Së dyti, gjithsesi duhet të bëhemi gati që temën e veriut ta trajtojmë si duhet me faktorin ndërkombëtar. Është një problem real, e dimë. Ka filluar shtrirja e sovranitetit, jo nga veriu i Mitrovicës, por prej portave 1 dhe 31 në drejtim të Mitrovicës. Mendoj që pozicioni ynë duhet të jetë ai, i cili është shprehur publikisht, por duhet të shprehet edhe privatisht, edhe konfidencialisht që Ahtisari, gjegjësisht propozimi i presidentit Ahtisari, është solucioni i vetëm dhe i mjaftueshëm.

Ai mundëson dhe garanton të drejtat e plota të komunitetit serb edhe në atë pjesë të Kosovës, mundëson një bashkëpunim të mirëfilltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe mundëson stabilizimin e gjendjes në gjithë rajonin.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, në analiza të ndryshme vlerësohet se veriu në fund mund të kërkojë një vetëqeverisje lokale që e tejkalon Planin e Ahtisarit. Sa mund të jenë të gatshme institucionet e Kosovës për opsione shtesë dhe eventualisht krijimin e entiteteve të reja?
BLERIM SHALA
Opsionet shtesë, edhe pse nuk do të thosha opsione shtesë, por elementet shtesë të ofertës së Ahtisarit, mund të përbëhen prej disa propozimeve, të cilat unë po i përmend këtu, disa prej të cilave janë bërë edhe publike.

Së pari, është evidente që nuk mund të ketë kalim imediat prej gjendjes së sotme në veri në zbatimin e Pakos së Ahtisarit - kërkohet një periudhë kalimtare.

Nuk jam ithtar i protektoratit ndërkombëtar për veriun, këtë temë e kemi diskutuar në vitin 2005 me presidentin Ahtisari, por gjithsesi që duhet një periudhë kalimtare e shpërbërjes së strukturave paralele, e mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta në katër komunat në veri. Prandaj, duhet një periudhë kalimtare, gjatë së cilës do të ketë një stabilizim të gjendjes dhe do të nisë implementimi i Pakos së Ahtisarit.

Elementi i dytë shtesë apo oferta e dytë shtesë, për bindjen time është një konferencë donatore ndërkombëtare e vendore, ku do të krijohej një pako e veçantë e investimeve për veriun e Kosovës, i cili dikur ka qenë pjesa më e zhvilluar e Kosovës, e tash mbase është pjesa më e pazhvilluar, më e prapambetur e me telashe të shumta. Natyrisht, çelës për rimëkëmbjen ekonomike të kësaj pjese të Kosovës është Trepça ose kombinati Trepça.

Ne e dimë se tashmë ka nisur të bisedohet se çfarë do të ndodhë me Trepçën. Pra, Pakoja e Ahtisarit, plus një periudhë kalimtare, plus një paketë e investimeve ekonomike, do të përbënte një tërësi ekonomike-politike dhe të sigurisë, e cila do të mundësonte që të ketë një avancim në atë pjesë të Kosovës.

Por, assesi nuk mund të krijojmë sistem paralel apo alternativ të sigurisë, rendit, mbledhjes së tatimeve, ekzekutivit, legjislativit e gjyqësorit në veri, sepse në atë rast, de fakto dhe de jure, veriu do të ekzistonte vetëm formalisht në Kosovë, do të ishte një entitet i veçantë dhe, në fakt, Serbia do të kufizohej me Kosovën në urën e Ibrit.

RADIO EVROPA E LIRË
Mirëpo, ndërkohë, pamë një veprim pikërisht të Serbisë, duke e futur veriun në sistemin e saj tatimor. A është ky një cenim i drejtpërdrejtë i integritetit dhe sovranitetit të Kosovës?
BLERIM SHALA
Është një lojë nervash, një përpjekje e Serbisë, sepse po sheh që e ka humbur iniciativën, të cilën e ka pasur në dorë në masë të madhe deri në korrik të këtij viti.

Tash, ideja serbe, e cila mbizotëron, është që ta provokojë një kundër-reagim emocional të palës kosovare, që të ndërmarrë një veprim të pamatur në veri, sepse i duhet një justifikim për ndarjen e Kosovës.

Më justifikim për ndarje të Kosovës nuk ka dhe as që ka pasur, por veçmas pas këtyre zhvillimeve të fundit kërkon një situatë kur pala kosovare do të akuzohej në mënyrë të pastër si plan-prishëse apo si përgjegjëse për destabilizimin e veriut të Kosovës. Kjo tash provohet të bëhet me këso veprimesh emocionale.

Është një lojë goxha e ndytë, por mund të them se koha nuk është në anën e Serbisë. Më 14 tetor duhet të dihet se a do ta marrë Serbia statusin e shtetit kandidat për në Bashkimin Evropian apo jo, por me këto veprime që janë sot në veri, absolutisht nuk e meriton, pa marrë parasysh konsekuencat politike sa i përket vetë skenës politike serbe.

Pala serbe tenton ta ruajë ‘status quo’-në në veri, ta marrë për vete statusin e shtetit kandidat për në BE e pastaj të mos ngutet. Mendoj se ky skenar duhet të prishet prej Prishtinës dhe Brukselit.

Duhet të insistohet qartë që të ketë rend dhe ligj në veri, që të zbatohet marrëveshja për vulat doganore, të krijohen rrethana shumë më të mira midis Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa, pala kosovare nuk mund të pranojë që në kuadër të dialogut teknik të bisedohet për regjimin në kufi, i cili dorën në zemër është identik me atë që ka qenë para se të shpallet Kosova shtet i pavarur.

Pala kosovare duhet të insistojë në zbatimin e Pakos së Ahtisarit, ta bëjë një ofertë, e thashë më lart... Mendoj se duhet ta marrim shumë seriozisht sa i përket anës ekonomike apo investimeve në veri si dhe periudhës kalimtare, e cila po shihet që është e domosdoshme prej sot e deri në momentin kur veriu do të funksionojë si pjesë e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse ndalemi te çështja e dialogut dhe marrëveshjes për vulat - Serbia tani kërkon ta modifikojë njëanshëm marrëveshjen për vulat dhe të hapë tema të reja për pikat doganore në veri. Si i shihni këto sjellje të palës serbe?
BLERIM SHALA
Fatkeqësisht, krejt kjo po koinçidon, ju kujtohet, me marrëveshjen e famshme të arsimit të vitit 1996. Kemi disa lojëra të ngjashme, edhe pse kemi dy qeveri të ndryshme në Serbi, por me një koncept fatkeqësisht identik për Kosovën.

Ne prej 1996-ës deri më sot nuk kemi marrëveshje që e ka zbatuar ndonjëherë Serbia, kur bëhet fjalë për Kosovën. Nuk mund të ketë modifikime të marrëveshjeve që janë dakorduar në Bruksel.

Pala kosovare mendoj që duhet të dëshmojë dhe këtë besoj që do ta bëjë - të dihet se kush është fajtor për dështimin e këtij dialogu. Nëse nuk ka marrëveshje për vulat doganore, atëherë vërtet i humb kuptimi këtij dialogu dhe Brukseli të ndërmarrë veprime të qarta dhe sanksionuese kundër Beogradit.

Fati i Beogradit është në duart e Brukselit. Nëse nuk e merr statusin e kandidatit për integrim në BE, kjo tregon se Serbia është larg të qenët një shtet i mirëfilltë në kuptimin e plotë të fjalës, evropian e demokratik, i cili i respekton rregullat e lojës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG