Ndërlidhjet

Zbulohen grimca më të shpejta se drita?!


Hulumtuesit në CERN
Hulumtuesit në CERN
Një nga bazat e fizikës - teoria e relativitetit e Ajnshtajnit, sipas së cilës, asgjë nuk mund të lëvizë më shpejt se drita, është lëkundur nga gjetjet e reja të njërit prej laboratorëve shkencorë më të njohur në botë.

Shkencëtarët në CERN, Organizatën Evropiane për Hulumtime Bërthamore, të bazuar në Zvicër, kanë shprehur bindjen se kanë dokumentuar lëvizjen e grimcave subatomike me shpejtësi më të madhe se atë të dritës.

Ndikimi i gjetjeve të tyre është aq revolucionar saqë edhe vetë shkencëtarët shprehen të habitur.

Po qe se konfirmohen si të sakta, puna e tyre do të dëshmonte se ekuacioni i njohur i Albert Ajnshtajnit për teorinë e relativitetit, është i gabuar. Sipas teorisë së Ajnshtajnit të vitit 1905, nuk ekziston asgjë që mund të lëvizë më shpejt se drita.

Gjetjet e CERN-it janë pritur me skepticizëm në mesin e fizikanëve në botë. Në fakt, vetë shkencëtarët thonë se nuk janë ende të gatshëm që t’i shpallin gjetjet si një zbulim.

Në vend të kësaj, pas tre vjetëve të vrojtimit dhe mbledhjes së të dhënave, hulumtuesit në Zvicër u kanë bërë thirrje fizikanëve të tjerë në botë të përpiqen në mënyrë të pavarur t’i verifikojnë matjet e tyre të grimcave subatomike të quajtur “neutrinos”.

Zëdhënësi i CERN-it, Xhejms Xhillis, i tha Radios Evropa e Lirë se ekziston një “pajtim i përgjithshëm” në mesin e fizikanëve se duhet të ketë pasur ndonjë defekt në dizajnimin e eksperimentit, në pajisjet apo në metodat e analizës që janë përdorur për të ardhur në gjetjet në fjalë.

Kësi lloj gjërash ndodhin shumë shpesh në shkenca të ndryshme. Një eksperiment vë në pah diçka që duket e pazakontë dhe gjëja e parë që thua është: ‘ne nuk e besojmë këtë në të vërtetë’. Pastaj, përpiqesh ta kuptosh atë në bazë të pajisjeve tua eksperimentale, në bazë të analizës, teknikave e kështu me radhë. Gjatë pjesës më të madhe që e bën këtë, gjen shpjegime të rëndomta dhe vrojtimi i papritur zhduket. Por, herë pas here, nuk ndodh kështu. Kjo është ajo që ndodhi në këtë rast”.

Albert Ajnshtajn, 1934
“Grupi i hulumtuesve që i ka analizuar këto të dhëna, është përpjekur shumë për ta kuptuar atë bazuar në pajisjet e veta dhe nuk është zhdukur vlerësimi i tyre. Andaj, hapi i radhës ka qenë kërkesa drejtuar një rrethi më të madh të fizikanëve që të verifikohen këto të dhëna. Kjo po ndodh tani”, tha Xhillis.

Shkencëtarët në një qendër konkurrente - Fermilabi, me seli në Çikago - kanë nisur tashmë t’iu hedhin një sy gjetjeve të CERN-it. Në fakt, hulumtuesit e Fermilabit patën gjetur në vitin 2007 rezultate të ngjashme gjatë studimit të neutrinove.

Por, puna e mëhershme e Fermilabit u përcoll me një varg dyshimesh lidhur me atë se a kanë lëvizur grimcat subatomike, që ata patën studiuar, më shpejt sesa kufiri i supozuar kozmik prej 299,792 kilometrash në sekondë.

Në ndërkohë, lidhur me hulumtimin më të ri të CERN-it, hulumtuesit nga Franca e Italia hodhën një tufë neutrinosh nga një përshpejtues grimcash në afërsi të Gjenevës, në drejtim të një laboratori që gjendet diku 730 kilometra larg në Itali.

Ata erdhën në përfundim se neutrinot kanë lëvizur për 60 miliardë të një sekonde më shpejt sesa drita, ndërsa llogaritën që margjina e gabimit të tyre ishte vetëm 10 miliardë sekondëshe - pra aq e vogël për t’i bërë rezultatet shkencërisht domethënëse.

Xhillis tha se shkencëtarët kanë shpenzuar muaj duke kontrolluar dhe rikontrolluar rezultatet, për t’u siguruar që të mos ketë mospërputhje në eksperimentin e tyre.

Relativiteti i ka qëndruar stoik testit të kohës për afro një shekull dhe kjo nuk ka ndodhur për shkak të mostestimit të tij. Njerëzit e kanë testuar atë. Njerëzit e kanë shqyrtuar atë, kanë bërë eksperimente dhe vrojtime mbi teorinë e relativitetit për një kohë të gjatë, por deri më tani asgjë nuk ka dëshmuar se ekziston diçka që mund ta tejkalojë këtë kufi të shpejtësisë kozmike”.

“Andaj, kjo do të jetë në kundërshtim me shumë gjëra që janë bërë deri më tani. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se gjetjet janë të gabuara. Sidoqoftë, ekziston një përshtypje e fuqishme në bashkësinë e shkencëtarëve se ka një shpjegim tjetër për këtë gjë”,
tha Xhillis.

Ai po ashtu tha se do të kishte një ndikim të jashtëzakonshëm në studimet e ardhshme të fizikës, nëse vrojtimet e shkencëtarëve në CERN verifikohen në mënyrë të pavarur.

“Një nga dilemat më të mëdha të fizikës së shekullit XX, është që fizika moderne bazohet në dy shtyllat që u zbuluan në pjesën e parë të shekullit të kaluar. Njëra nga ato është teoria e relativitetit dhe tjetra ka të bëjë me mekanikën kuantike. Relativiteti është një teori e gravitetit. Nuk ka teori kuantike mbi gravitetin. Pra, përpjekjet për të t’i shkrirë këto teori në një, janë një nga qëllimet më të rëndësishme - nëse jo qëllimi më i rëndësishëm i fizikës moderne”.

“Nëse fillon të gjesh gjëra si kjo, atëherë ndoshta mund të gjendet një mënyrë për t’i shkrirë dy shtyllat e fizikës moderne në një. Mirëpo, para së gjithash, duhet të sigurojmë se a është i saktë apo jo vrojtimi në fjalë
”, theksoi Xhillis.

Sipas tij, do të zgjasë të paktën disa muaj, nëse jo vite, para se të përmbyllet hulumtimi i pavarur i këtyre rezultateve. (e.p.)
XS
SM
MD
LG