Ndërlidhjet

NYT: Kërkesa palestineze


Flamuri palestinez në Ras al-Amud.
Flamuri palestinez në Ras al-Amud.
"New York Times"

Vitin e kaluar, fjalimi i presidentit amerikan, Barak Obama, ishte përplot me premtime dhe përkushtime për avancimin e shtetësisë palestineze nëpërmjet negociatave me Izraelin.

Këtë vit, fjalimi i tij ishte për uljen e pritjeve dhe për dekurajimin real politik, derisa foli për atë se sa “e vështirë është paqja” dhe shprehu përkushtimin për të vënë veto në kërkesën palestineze për shtetësi, nëse ajo arrin për votim në Këshillin e Sigurimit.

Zoti Obama nuk kishte zgjidhje, por të qëndrojë me Izraelin, që Amerikën e ka aleat historik. Marrëveshja me negociata është e vetmja mënyrë për të siguruar krijimin e shtetit të qëndrueshëm palestinez, garantimin e sigurisë së Izraelit dhe ndërtimin e paqes së qëndrueshme.

Por, nuk duhet të ekzistojnë iluzione për çmimin e lartë që Izraeli dhe ky vend do të paguajnë, nëse kjo rrugë pa krye lejohet të zvarritet për një kohë më të gjatë.

Mund të bëhen shumë fajësime në të gjitha anët. Përgjegjësia kryesore, aktualisht, i takon kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanjahu, i cili refuzon të bëjë çfarëdo kompromisesh serioze për paqe.

Ai duket shumë më i shqetësuar për mbijetesën e tij politike, sesa për izolimin në rritje të vendit të tij apo për kërcënimin e ripërtëritjes së dhunës në Bregun Perëndimor dhe përgjatë të gjithë kufijve të Izraelit.

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas, i cili kuptohet se është i frustruar, e ka nisur një proces, që përmban rreziqe të mëdha edhe për vetë atë.

Kërkesa në Kombet e Bashkuara është shumë e popullarizuar në mesin e palestinezëve. Por, mund të ndodhë që të jetë e vështirë për ta ndalur zhgënjimin e tyre, kur të bëhet e qartë se manovrimi në Nju Jork nuk mund ta sjellë shtetin në terren.

Presidenti Obama dhe ndihmësit e tij e kanë luajtur keq diplomacinë prej fillimit; ata kanë premtuar masa të “ndërtimit të besimit”, të cilat nuk kanë mundur të ofrohen dhe e kanë humbur ritmin për marrëveshje më të madhe. Por, atje nuk mund të ketë zgjidhje pa udhëheqje të fuqishme amerikane.

Çka ndodh tash? Zoti Abas paraqet kërkesën për shtetësi në Këshillin e Sigurimit, duke shkaktuar rishqyrtim të procesit me orar të pacaktuar.

Uashingtoni shpreson se kjo do të krijojë hapësirë për t’i shtyrë të dyja palët në bisedime substanciale.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do të duhej të jenë të gatshëm t’i shtyjnë fuqishëm të dyja palët: izraelitët dhe palestinezët. Pas disa muajve të bisedimeve, në kuadër të të ashtuquajturit Kuartet, që përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Rusia dhe Kombet e Bashkuara, ende nuk ka pajtueshmëri në një mori negociatash për kufijtë, sigurinë, refugjatët dhe Jerusalemin.

Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre duhet ta vendosin hartën dhe marrëveshjen në tavolinë, me orar për negociatat përfundimtare dhe me votimin formal për shtetësi në Kombet e Bashkuara.

Propozimi duhet të jetë i fuqishëm, korrekt dhe i mbështetur nga Këshilli i Sigurimit dhe Liga Arabe.

Ende ka kohë për ta evituar dështimin komplet diplomatik. Por, nuk ka mbetur shumë kohë. (f.b.)
XS
SM
MD
LG