Ndërlidhjet

Qeveria e Maqedonisë ka bërë të ditur se gjatë këtij muaji do të shpallet tender i ri për ndërtimin e zonës së lirë ekonomike në Tetovë, për shkak të dështimit të tenderit të parë, në të cilin ishte paraqitur vetëm një kompani ndërkombëtare, ndërkohë që me rishikimin e buxhetit, nga arka shtetërore janë ndarë 30 milionë denarë shtesë për ndërtimin e zonave të lira ekonomike në Maqedoni.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë veriperëndimore, Menderes Kuçi, shprehet skeptik se edhe kësaj radhe mund të paraqiten investitorë seriozë, sepse, siç thekson ai, autoritetet shtetërore vetëm deklarativisht shprehen për funksionimin e zonave të lira, si mundësi për thithjen e investimeve të huaja.

“Fillimisht duhet të investohet në infrastrukturë në ato zona që mendohet të jetësohen, pra të mos mbeten shterpë. Edhe më tej në këto zona mungon rruga...”, thotë Kuçi.

Shkup
Risto Gushterov, biznesmen maqedonas, por që vepron në perëndim, më të arsyeshme e sheh që zonat e lira ekonomike t’iu jepen për menaxhim autoriteteve komunale.

“Logjistika për ne paraqet problemin kryesor. E them këtë përkundër faktit se qeveria ka ndërmarrë një varg aktivitetesh për të lehtësuar punën tonë si biznesmenë. Megjithatë, komunikimi është i vështirë. Mendoj se komunat do ta menaxhonin më me sukses këtë truall, që shihet si mundësi për mëkëmbjen e ekonomisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, thotë Gushterov.

Ndërkaq, sipas Kuçit, pa mbështetjen e biznesmenëve vendorë, investitorët e huaj pothuajse e kanë të pamundur shtrirjen e biznesit të tyre në Maqedoni.

“Nëse pretendohet se mund të vijë një investitor i jashtëm pa pasur përkrahje nga biznesmenët e vendit, për mua kjo do të thoshte vetëm biznes virtual”, shprehet Kuçi.
XS
SM
MD
LG