Ndërlidhjet

Nuk mbyllet rruga alternative në veri


Rruga alternative e hapur nga serbët përskaj pikës kufitare numër 1 në Jarinë, sipas Policisë së Kosovës po përdoret për këmbësorë dhe makina të vogla.

Serbët kanë hapur afër pikës kufitare që kontrollohet nga trupat e KFOR-it në veri të vendit, një rrugë alternative për të mundësuar qarkullimin për në Serbi.

“KFOR-i ka mbyllur njërin nga kalimet kufitare afër portës 1, por serbët kanë tentuar ta rihapin një pikë tjetër për kalim për makina të vogla dhe këmbësorë”, thotë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.

Zyrtarët e KFOR-it kanë thënë, një ditë më parë, se janë duke kërkuar zgjidhje për këtë problem.

Situata e sigurisë në veri, sipas policisë, vazhdon të jetë e qetë, por e tensionuar.

Deri tash nuk është hequr asnjëra nga bllokadat rrugore, të cilat janë vendosur në gjashtë pika të ndryshme duke pamundësuar, kështu, qarkullimin e automjeteve nga jugu në veri të vendit.
XS
SM
MD
LG