Ndërlidhjet

logo-print

NYT: SHBA nxit zgjidhjen e krizës së borxheve


Ilustrim

Ilustrim

"New York Times"

Administrata e Obamës, e alarmuar nga përhapja e efekteve të krizës financiare në Evropë, nisi një fushatë të fuqishme lobuese për të bindur kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe liderë të tjerë që të rrisin përpjekjet për të frenuar çdo lloj mundësie të ndikimit të krizës së borxheve në Greqi.

Në bisedat telefonike, që u mbajtën gjatë javës së kaluar, presidenti Obama i kërkoi Merkelit dhe presidentit francez, Nikolas Sarkozi, të marrin masa të koordinuara-përfshirë shpenzimin e miliardave të tjera për Greqinë dhe forcimin e institucioneve financiare në Evropë- për të parandaluar që borxhi i Greqisë të këtë ndikim në vendet e saja fqinjë.

Presioni amerikan doli në pah sërish të premten, ndërsa thuhet se do të vazhdojë këtë fundjavë në Uashington gjatë një takimi të ministrave botërorë të financave.

Mirëpo, zyrtarët e administratës amerikane hodhën poshtë mundësinë që të ketë veprime të bashkërenduara në takimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore.

Ata thanë se ministrat, sipas skenarit më të mirë, mund të vendosin themelin për një përgjigje më të guximshme në nëntor, kur liderët e G 20-ës (20 shteteve më të industrializuara në botë) do të takohen në Kanë të Francës.

Në ndërkohë, po shtohet numri i atyre që po pranojnë faktin se kriza e borxheve në Evropë po hedh një hije të rëndë mbi ekonominë globale. Edhe pse tregtia me Evropën përbën një pjesë të vogël të ekonomisë amerikane, problemet e Evropës trokitën së fundi sërish në Wall Street duke shkatërruar besimin dhe duke thelluar frikën e bizneseve e të konsumatorëve.

“Rreziku i vetëm i madh për Shtetet e Bashkuara sot është që situata në Evropë të dalë jashtë kontrollit”, tha Edvin M. Trumen, një ish-zyrtar i Thesarit amerikan, i cili tani vepron në Institutin për Ekonomi Ndërkombëtare Peterson. “Evropa nuk do ta shpëtojë ekonominë e Shteteve të Bashkuara, por ajo mund të jetë një fije kashte që e dëmton atë”, theksoi Trumen.

Keneth Rogof, një ekonomist në Harvard-njohës i historisë së krizës financiare, i vë efektet e Evropës mbi Shtetet e Bashkuara në kornizën politike.

“Skenari i rënies është i tmerrshëm”, tha ai për të shtuar se “nëse ndodh kjo para zgjedhjeve amerikane, do të mund t’i shndërronte ato në zgjedhje ku presidenti bëhet një humbës i fuqishëm”.

“Shpresa e administratës është që evropianët ta konservojnë këtë çështje deri pas mbajtjes së zgjedhjeve”, tha Rogof, i cili këto këshilla ia ka përcjellë tashmë Obamës dhe republikanëve.

Administrata i ka kushtuar vëmendjen e saj figurës e cila mund ta këtë aftësinë më të madhe për të ndikuar në rezultatin e kësaj çështjeje në Evropë: kancelares gjermane, Angela Merkel.

Që kur mori detyrën e kancelares, presidenti Obama ka mbajtur 28 takime me të-një ritëm që do t’i kushtohej vetëm dikujt që ka ndikim për fatin e tij politik- siç janë rivalët në Uashington.

Në bisedën e fundit telefonike të zhvilluar të hënën, Obama inkurajoi Merkelin të jetë më e përkushtuar rreth krizës financiare. Biseda trajtoi dhe çështjet teknike, sikurse edhe rrezikun e një shkapërderdhjeje financiare, bëri të ditur-në kushte anonimiteti, një zyrtar i lartë i administratës Obama.

Merkel, ndërkaq, po përballet me pengesa politike për të bindur publikun gjerman që të shpenzojë qindra miliardë euro për ta ndihmuar Greqinë dhe vende të tjera financiarisht të rrezikuara në Evropë.

Derisa Shtetet e Bashkuara po ofrojnë mësimet e krizës së vitit 2008, sekretari i Thesarit amerikan, Timothi Gejtner, dhe zyrtarë të tjerë po përpiqen të shmangin konfrontimet me evropianët që thonë se nuk u takon Shteteve të Bahskuara t’u japin mësime atyre.

Kur Gejtner mori pjesë në takimin e ministrave të financave të Evropës në javën e kaluar në Vroclav të Polonisë, disa zyrtarë të shteteve më të vogla e kritikuan atë, por amerikanët theksuan se takimi ishte më produktiv prapa dyerve të mbyllura.

Përpjekjet lobuese të administratës amerikane po zhvillohen në dy forma. E para, po bëhet duke forcuar argumentin, e mbështetur nga shumë ekonomistë, se Gjermania do të përfitonte shumë duke ruajtur euro-n se sa të heqë dorë nga ai apo ta lejojë shkatërrimin e tij.

Duke e kombinuar Markën gjermane me valutat e shteteve më të varfër, si Greqia, Gjermanisë i është mundësuar ta ketë një valutë më të lirë se sa që do të kishte vet, ndërsa i është mundësuar edhe të eksportojë më shumë se sa që do të bënte zakonisht. Eksportet, që përbëjnë një pjesë më të madhe të ekonomisë gjermane se sa asaj amerikane, kanë qenë shtylla kryesore e rimëkëmbjes ekonomike të Gjermanisë.

“Janë në rritje vlerësimet se kjo është një lojë morale dhe se gjithçka ka të bëjë me shthurjen fiskale në Evropën Jugore”, tha Austën Gulsbi, një ish-këshilltar i lartë për ekonomi i presidentit Obama.
“Por, nëse gjermanët thonë ‘Ne nuk duam të shpenzojmë për Evropën Jugore’, ata duhet të pranojnë se ata ishin përfituesit më të mëdhenj”, u shpreh ai.

Pjesa e dytë e përpjekjeve amerikane përfshin nxitjen e liderëve evropianë në forcimin e institucioneve qendrore për t’ju përgjigjur krizës- pra, Qendrën për Stabilitet Financiar në Evropë dhe Bankën Qendrore Evropiane.

Ekziston një pajtim i gjerë në radhët e vëzhguesve të jashtëm, përfshirë amerikanët si zotin Gulsbi, se fondi aktual ndihmës prej 440 miliardë eurosh nuk është i mjaftueshëm. Por, ka edhe dyshime mbi aftësinë politike dhe financiare të disa shteteve lidhur me rritjen e kontributeve të tyre. Në vend të kësaj, zyrtarët po përqendrohen në mënyrat për të rritur ndikimin e tyre.

Në një komunikatë të lëshuar nga G 20-ta, ministrat e financave theksuan se qeveritë evropiane po ndërmarrin veprime për ta bërë fondin në fjalë më fleksibil dhe për ta “rritur ndikimin e tij për ta shmangur shkapërderdhjen e krizës”.

“Na nevojitet një mënyrë e duhur për të parandaluar shkapërderdhjen”, tha ministri francez i financave, Fronsua Baron për të shtuar se: “Ne mund të diskutojmë se si t’ja japim fuqinë e nevojshme”.

Një nga mënyrat për ta bërë fondin më fleksibil, sipas zyrtarëve amerikanë, është një program në të cilin qeveritë përdorin resurset e përbashkëta për t’u garantuar hua investitorëve që paguajnë borxhet e vendeve me telashe. Huatë do të bëheshin nga Banka Qendrore Evropiane e cila, siç thuhet, nuk do të kishte humbje meqë resurset e saja do të mund të garantonin një vlerë të ngurrtë shumë herë më të madhe se sa fondet aktuale.

Një program i tillë do të ishte një nga variantet e përpjekjeve amerikane, e cila u përdor- me rezultate të përziera, nga Thesari dhe Banka Qendrore Amerikane në kohën e krizës së vitit 2008.

Zyrtarët amerikanë kanë theksuar gjithashtu rolin e Bankës Qendrore Amerikane në trajtimin e krizës financiare, ndërsa i kanë bërë thirrje Evropës ta merr këtë bankë si shembull. Banka Qendrore Amerikane pat dhënë hua triliona dollarë në mënyrë që investitorët të ishin në gjendje për të blerë dhe për të shitur një sasi të madhe të produkteve financiare.

Banka Qendrore Amerikane pat ulur, në të njëjtën kohë, përqindjet e interesit për të zvogëluar koston e huave për bizneset dhe konsumatorët. Banka Qendrore Evropiane ishte më e kujdesshme, duke rritur përqindjet e interesit më herët këtë vit.

“Grupi i zgjidhjeve dhe metodave për ta shqyrtuar situatën është mjaft i njohur”, tha shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristin Lëgard. Mirëpo, sfida kryesore, sipas saj, është “nxitja e liderëve në drejtim të marrjes së më shumë veprimeve nga ato që janë bërë deri më tani”.(e.p.)
XS
SM
MD
LG