Ndërlidhjet

Hapa kolektivë për shmangien e krizës financiare


Udhëheqësit financiarë janë zotuar se do të ndërmarrin veprime kolektive për të trajtuar krizën financiare të Evropës dhe për të ndaluar përhapjen e saj.

Në takimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Uashington, shefja e këtij institucioni, Kristinë Llegardë, tha se 17 vendet e Eurozonës duhet të përmbushin zotimin që kanë bërë në muajin korrik, për të rritur fondin e tyre të shpëtimit.

Sekretari amerikan i Thesarit, Timoti Gajtner, tha se është koha për të shmangur efektin domino të moslikuidimit të borxhit në Evropë.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kinës, Zhou Ksiaohuan, bëri thirrje për veprim më të shpejtë, me qëllim stabilitetin më të madh financiar në kontinentin evropian.

Ministri rus i Financave, Aleksej Kudrin, tha se shpëtimi i Greqisë nga dështimi do të ishte në favor të vendeve të Eurozonës dhe do të zvogëlonte mundësinë e zhvillimeve të ngjashme në Spanjë dhe Itali.
XS
SM
MD
LG