Ndërlidhjet

A u pranuan vulat doganore?!


Ilustrim me foto arkivi...
Ilustrim me foto arkivi...

Më shumë se një javë nga heqja e masës së reciprocitetit dhe pas kalimit të më shumë se 700 kamionëve me mallra të ndryshme serbe në Kosovë, Serbia ka lejuar kalimin e katër kamionëve të parë me dokumentacione të Kosovës.

Lajmi konfirmohet nga zyrtarët e Qeverisë dhe të Doganës së Kosovës. Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, tha se kamionët e parë kanë kaluar në dy ditët e kaluara përmes pikës kufitare Dheu i Bardhë.

“Janë lejuar katër kamionët e parë. Ata e kanë kaluar kufirin dhe janë zhdoganuar, i kanë përfunduar të gjitha procedurat e zhdoganimit përmes pikës kufitare Dheu i Bardhë, me dokumente të Kosovës dhe përmes pikës kufitare në anën e Serbisë”, i tha Radios Evropa e Lirë Stavileci.

Vula doganore e Kosovës.

Serbia nuk respektoi deri tash marrëveshjen për të cilën u pajtua më 2 shtator në Bruksel, që të pranojë vulat doganore, edhe pse më 16 shtator, Kosova shfuqizoi masën e reciprocitetit të vënë ndaj Serbisë.

Kalimi në Serbi i kamionëve të parë, për ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, nuk është një masë garantuese se Serbia do ta zbatojë me të vërtetë marrëveshjen me Kosovën.

“Kjo do të thotë se në këto raste specifike ka filluar zbatimi i marrëveshjes, por nuk mund të kemi garanci, për arsye të ndërrimit të qëndrimit të Serbisë edhe herëve të tjera. Nuk e di nëse është kjo vetëm tolerim para takimit të ardhshëm që do të mbahet në Bruksel, më 27-28 shtator, apo është një qasje që do të vazhdojë përhershëm konform pranimit të ndërsjellë të vulave. Kjo mbetet të shihet”.

“Shpresojmë se do të jetë një qasje më e përhershme, sesa një e përkohshme, për të përfituar nga momenti apo për të treguar një vullnet të momentit nga ana e Serbisë deri në arritjen e një marrëveshjeje tjetër dhe pastaj të fillohet me probleme”,
u shpreh për Radion Evropa e Lirë zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari Lila.

Edhe nëse pranohen vulat doganore kosovare nga autoritetet serbe, problemet e tregtisë me Serbinë nuk zgjidhen. Ende nuk ka nisur së zbatuari marrëveshja për lëvizjen e lirë, që do të thotë se pasaportat kosovare nuk njihen nga Serbia, ndërkaq, ngjashëm nuk njihen as tabelat e makinave.

Kjo nënkupton se ngasësit e kamionëve me mallra kosovare për në Serbi duhet të kenë dokumente dhe tabela të shteteve tjera dhe jo të atij kosovar.

Zëvendëskryeministrja Kusari Lila shpreson se kjo problematikë do të shtrohet për diskutim në raundin e ardhshëm të bisedimeve.

“Në takimin në Bruksel do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjeve në përgjithësi, prandaj mund të trajtohen dhe këto tema. Ne kemi biseduar edhe me kryenegociatoren Tahiri, por edhe me ministrin e Punëve të Brendshme, Rexhepi, në raport me fazat e implementimit - e dini se afati i fundit për zbatimin e këtyre marrëveshjeve është 1 nëntori”.

“Prandaj, të shpresojmë se edhe para kësaj date do të fillojë zbatimi, gjegjësisht lëvizja e lirë, pa të cilën natyrisht nuk mund të jenë palët e barabarta në asnjë mënyrë”,
tha Kusari Lila.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë pat paralajmëruar rikthimin e masave të reciprocitetit, po qe se Serbia vazhdon të mos pranojë vulat doganore të Kosovës. Ajo nuk përjashtoi as sot mundësinë e këtij rikthimi.

“Ne mund të themi për momentin jo, por nuk do të thotë se është e përjashtuar. Ka qenë një moment ku prapë kemi treguar më tepër se Serbia vullnetin e mirë dhe dëshirën për të pasur dialog funksional”.

“Serbia nuk e ka bërë një gjë të tillë që nga data 16 dhe vetëm ditëve të fundit është vërejtur vullneti i tyre. Në të ardhmen, nuk do të veprojmë duke marrë për baza data specifike, por do veprojmë ndërsjellë, siç po veprojnë ata”,
tha Kusari Lila.

Serbia, që nga fundi i vitit 2008, ka bllokuar mallrat kosovare për tregun serb, si dhe kalimin transit të tyre, për shkak të ndërrimit të vulave nga ato të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës, më 20 korrik, vendosi masa të plota reciproke ndaj produkteve serbe, masa këto që u ndërprenë më 16 shtator.

Tani, edhe vetë Prishtina zyrtare shpreh rezerva në lidhje me sinqeritetin e Serbisë karshi pranimit të vulave doganore. Ndërkohë, problematika e vulave nxori në pah edhe problemin e vazhdueshëm të veriut, në të cilën pjesë, edhe më tej, të paktën 6 barrikada të vendosura në rrugë nga ana e serbëve, bllokojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të automjeteve nga jugu në veri.

XS
SM
MD
LG