Ndërlidhjet

logo-print

Skeptikë për dialogun


Kryenegociatorët në bisedime

Kryenegociatorët në bisedime

Politikanët serbë të Kosovës vlerësojnë se raundi i ri i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është paralajmëruar se do të mbahet më 27 dhe 28 shtator, nuk do të përfundojë me ndonjë rezultat të mirë.

Megjithatë, rrjedhën e këtij procesi, ndryshe e shohin dhe e vlerësojnë politikanët serbë nga veriu i Kosovës, e ndryshe ata nga Kosova qendrore.

Marko Jakshiq, lider politik i serbëve të veriut të Kosovës, thotë se takimi i paralajmëruar i delegacioneve nga Prishtina dhe Beogradi, do të rezultojë në dëm të serbëve.

Ky parashikim, sipas tij, bazohet në përvojën e deritashme, ku, siç thotë ai, shefi i ekipit serb në dialogun Kosovë-Serbi, Borisllav Stefanoviq, ka nënshkruar në favor të Kosovës pranimin e vulave, dokumenteve të identifikimit, tabelave të automjeteve e të tjera.

“Në këtë kuptim, vazhdimi i bisedimeve te serbët ngjall frikën se Borisllav Stefanoviq do të vazhdojë me praktikën e njëjtë, sidomos tash kur temat e bisedimeve janë baza e stacioneve të telekomit 063 dhe 064, si dhe elektro-ekonomia e Serbisë”.

“Ajo nga çka ne frikësohemi, është se më 27 dhe më 28 të këtij muaji, Borisllav Stefanoviq do ta nënshkruajë se heq dorë nga telefonia mobile (e Serbisë) në territorin e Kosovës dhe trafo-stacionet e elektro-ekonomisë së Serbisë, në favor të shtetit të Kosovës”,
thotë Jakshiq për Radion Evropa e Lirë.

Por, ndryshe mendon Dragisha Kërstoviq, politikan serb nga Kosova qendrore. Ai vlerëson se, për shkak të situatës së krijuar në veriun e Kosovës, sidomos gjatë muajit të fundit, raundi i ri i bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ka gjasa reale të mos zhvillohet fare.

“Porositë, të cilat vijnë nga të dyja palët, më duket se tregojnë që gjasat për takimin e paraparë për 27 dhe 28 shtator, nuk ekzistojnë pothuajse fare. Por, nëse ndodh ky raund, ai do të jetë nën shenjën e tensioneve, të akuzave të ndërsjella dhe parashtrimit të disa kërkesave nga cilado palë, e që do të hidhen poshtë nga ana e kundërt”.

“Thjesht, do të jetë situatë mjaft e tensionuar dhe për këtë shkak, nuk besoj se do të ketë çfarëdo rezultati - të paktën në fund të këtij raundi”,
thotë Kërstoviq.

Të dy këta politikanë serbë të Kosovës, ndonëse në mënyra të ndryshme, shfaqin mosbesimin ndaj veprimeve të Beogradit zyrtar lidhur me dialogun me Kosovën.

Kërstoviq thotë se dialogu ka hyrë në një fazë të krizës, pavarësisht nga ato që thotë Beogradi zyrtar.

“Unë kam frikë se pavarësisht që Beogradi thotë se i mbetet besnik politikës së dialogut dhe bisedimeve në çfarëdo rasti, pa marrë parasysh ngjarjet në veri të Kosovës, dialogu ka hyrë në krizë dhe fundi i tij do të jetë i paparashikueshëm”.

“Është nën pikëpyetje se a mund të ndodhë një përfundim i dialogut me ndonjë rezultat të dukshëm dhe marrëveshje të prekshme, të cilat mund të zbatohen dhe t’i lëvizin disa gjëra”,
thotë Kërstoviq.

Qeveria e Serbisë
Jakshiq vlerëson se Beogradi nuk do të guxojë të rrënojë dialogun, por do ta bëjë atë që, sipas tij, është në kundërshtim me interesat e serbëve.

“Mendoj se Beogradit do t’i duhet të nënshkruajë, sikurse deri më tash, gjithçka që Brukseli e urdhëron dhe i thotë, për shkak të statusit të kandidatit. Pas kësaj, Beogradi ndoshta do të luajë ndonjë letër më kombëtare, për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen në vetë Serbinë”.

“Por, pavarësisht nga ajo çfarë Boris Tadiq tash nënshkruan me Prishtinën, në rast se ndryshohet pushteti në Serbi, të gjitha këto marrëveshje, të cilat i ka nënshkruar Borisllav Stefanoviq, mendoj se pushteti i ri do t’i bëjë të pavlefshme”,
thotë Jakshiq.

Dy politikanët serbë vlerësojnë se rezultatet e arritura deri më tash në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk janë meritë as e Prishtinës e as e Beogradit.

Sipas tyre, meritat i takojnë bashkësisë ndërkombëtare, e cila, siç thonë ata, e ka interesin e kuptueshëm për një dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në të cilën do të arriheshin rezultatet.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG