Ndërlidhjet

logo-print

Ku do të çojë rikthimi i Putinit?

  • RFE /RL

Vlladimir Putin

Vlladimir Putin

Me njoftimin e së shtunës se do të kandidojë për president në zgjedhjet e marsit 2012, Vlladimir Putin duket të jetë në rrugën e duhur për t’u bërë sundimtari më i gjatë në Rusi, që nga koha e Xhozef Stalinit.

Po qe se shërben të dyja mandatet gjashtëvjeçare, ai do të mbetej në pushtet deri në vitin 2024, më shumë se dy dekada që nga koha kur ka hyrë në Kremlin, për të pasuar dorëheqjen e papritur të ish-presidentit Boris Jelcin, në prag të Vitit të Ri, 1999.

Kjo është më e gjatë se periudha 18-vjeçare e sundimit të liderit sovjetik, Leonid Brezhnjev, i cili ka shërbyer nga viti 1964 deri në vdekje, përkatësisht deri më 1982 – kohë kjo që ishte bërë sinonim i stagnimit ekonomik dhe politik.

Politikanët opozitarë dhe analistët thonë se kthimi i Putinit në presidencë mund të çojë në korrupsion dhe shkatërrim socio-ekonomik.

Për fat të keq, asgjë nuk do të ndryshojë në vendin tonë. Qytetarët duhet të vendosin nëse janë të gatshëm të tolerojnë atë që do të ndodhë në Rusi për të paktën 12 vjetët e ardhshëm. Nuk do të ketë asnjë modernizim. Do të ketë thellim të tendencës drejt stagnimit, çfarë do të çonte në krizë në të ardhmen e afërt”, thotë për Radion Evropa e Lirë lideri i partisë opozitare “Yabloko”, Sergei Mitrokhin.

Eduard Lukas, autor i librit “Lufta e re e Ftohtë: Rusia e Putinit dhe kërcënimi për Perëndimin”, thotë se Rusia rrezikon përsëritjen e periudhës së Brezhnjevit.

Mendoj se analogjia e Brezhnjevit është mjaft e rëndë. Natyrisht, ai nuk është Brezhnjevi dhe Rusia nuk është shtet policor apo ekonomi e planifikuar. Por, ndjenja e korrupsionit dhe e pazotësisë do të jetë shumë e fortë”, thotë Lukas.

Edhe para njoftimit të së shtunës ka pasur spekulime se Putini do të vazhdojë të jetë lider ‘de facto’ i Rusisë. Dyshimi i vetëm ishte nëse ai do të vazhdonte të sundonte nga prapaskena, ndërsa zyrtarisht të mbante një post dytësor, apo do të kthehej në Kremlin si president. Lukas shpjegon:

Nuk mendoj se kjo ishte një lloj befasie. E kemi ditur përgjatë një dekade se Putini është personi më i rëndësishëm në Rusi. Pyetja e vetme ishte se si do të qëndronte në pushtet. Ai ka zgjedhur rrugën më të qartë për ta bërë atë – duke u ribërë president”.

Analistët thonë se elita është e ndarë ndërmjet teknokratëve, si ministri i Financave, Aleksej Kudrin, i cili do një sistem politik të hapur dhe të modernizuar, dhe veteranëve të shërbimit të sigurisë, si zëvendëskryeministri, Igo Seçin, i cili bën përpjekje të ruajë kontrollin e fortë të shtetit, të cilin Putini e ka ndërtuar gjatë dekadës së kaluar.

Analisti Valldimir Pribilovski thotë se me Medvedevin e pafuqishëm, ata që favorizojnë reformat dhe modernizimin, kërkojnë një garantues tjetër, për realizimin e ndryshimeve brenda sistemit.

Gjatë vitit të kaluar, ata që kanë kërkuar mbajtjen e Medvedevit në pushtet, janë dobësuar.
Gjatë vitit të kaluar, ata që kanë kërkuar mbajtjen e Medvedevit në pushtet, janë dobësuar. Për më tepër, disa nga ta kanë përqendruar vëmendjen e tyre në ministrin e Financave, Kudrin Aleksei, si iniciator i reformës dhe ndryshimit”, thotë Pribilovski.

Me gjithë reformat ekonomike që ka ndërmarrë në fillim të presidencës së tij, kur ka thjeshtëzuar kodin e taksave dhe ka liberalizuar pronësinë, Putin ka treguar gatishmëri të vogël për të reformuar sistemin politik. Madje, shumica e lëvizjeve të tij kanë qenë në drejtim të të bërit edhe më autoritar.

Për këtë arsye, Lukas shprehet skeptik se Putini do të shndërrohet në një reformator gjatë qëndrimit të ardhshëm në Kremlin.

Fuqia e Putinit është e bazuar në aftësinë e tij për të menaxhuar dhe balancuar interesat e klaneve financiare, ekonomike dhe politike, të cilat përbëjnë elitën në pushtet të Rusisë.

Reformat e shumta, thotë Lukas, do të mund t’i destabilizonin këto marrëveshje me pasoja të paparashikueshme.

Në një mënyrë, Putini është rob i sistemit që ka krijuar. Ai është arbitri, forca balancuese. Ai është rob i sistemit që ka krijuar, çfarë do të thotë se nuk mund ta ndryshojë në të vërtetë atë”, thotë Lukas. (v.t.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG