Ndërlidhjet

Stefanoviq: Në Bruksel do të diskutohen pikat kufitare


Shefi i ekipit negociator serb në dialogun me Kosovën, Borisllav Stefanoviq, u shpreh optimist se në dy ditët e ardhshme në Bruksel do të diskutohet çështja e pikave kufitare në Jarinë dhe Bërnjak, që gjenden në veri të Kosovës.

“Jemi në rrugë të mirë që të flasim për këto çështje, por natyrisht që këto bisedime nuk do të kryhen me delegacionin e Prishtinës. Mendoj se ne po shkojmë drejt një rezultati pozitiv në lidhje me kërkesën tonë për të biseduar për Jarinën dhe Bërnjakun”, i tha Radios Evropa e Lirë Stefanoviq, i cili dha arsyet se pse nuk do të flitet me Prishtinën për këtë çështje.

“Nuk do të flasim me Prishtinën, sepse Prishtina tha edhe publikisht se nuk dëshiron të flasë për këto çështje. Supozoj se ata nuk janë përgjegjës për të folur për portat në Jarinë dhe Bërnjak”, tha Stefanoviq.

Nesër dhe pasnesër, më 27 dhe 28 shtator, në Bruksel do të zhvillohet raundi i ardhshëm i dialogut mes Prishtinës e Beogradit, ku është paraparë që të diskutohet energjia, telekomunikacioni dhe pjesëmarrja e Kosovës në forumet rajonale.
XS
SM
MD
LG