Ndërlidhjet

Beogradi po, Prishtina jo, Brukseli...


Edita Tahiri dhe Borko Stefanoviq
Edita Tahiri dhe Borko Stefanoviq
Shefi i ekipit negociator serb në dialogun me Kosovën, Borko Stefanoviq, është optimist se në dy ditët e ardhshme në Bruksel do të diskutohet çështja e pikave kufitare veriore në Jarinë dhe Bërnjak.

Në këto pika që nga 16 shtatori janë vendosur policët dhe doganierët kosovarë, të cilët për shkak të bllokadave rrugore, po transportohen me helikopterë të KFOR-it.

Jemi në rrugë të mirë që flasim për këto çështje, por natyrisht që këto bisedime nuk do kryhen me delegacionin e Prishtinës. Mendoj se ne po shkojmë drejt një rezultati pozitiv në lidhje me kërkesën tonë për të biseduar për Jarinën dhe Bërnjakun”, i tha Radios Evropa e Lirë, shefi i ekipit negociator serb, Borko Stefanoviq.

Qarkullimi i njerëzve dhe automjeteve nga pjesa jugore në atë veriore është bllokuar nga të paktën gjashtë barrikada të vendosura nga serbët në shenjë proteste ndaj kthimit të kontrollit në pikat kufitare në Jarinë dhe Bërnjak.

Stefanoviq thotë se për këtë çështje nuk do të diskutohet fare me Prishtinën.

Nuk do të flasim me Prishtinën sepse Prishtina tha edhe publikisht se nuk dëshiron që të flasë për këto çështje. Supozoj se ata edhe nuk janë përgjegjës për të folur për portat në Jarinë dhe Bërnjak”, tha Stefanoviq.

Por, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka hedhur poshtë mundësinë e diskutimit të pikave doganore të veriut në raundin e ardhshëm të bisedimeve.

Temat tanimë janë të përcaktuara që do të diskutohen sikurse që janë të përcaktuara temat që nuk do të mund të diskutohen asnjëherë dhe pikat doganore janë çështje që i takojnë sovranitetit tonë dhe organizimit të brendshëm juridik dhe kushtetues”, tha zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Në anën tjetër, Maja Kocijançiq, zëdhënëse në kabinetin e shefes së diplomacisë evropiane, Ketrin Eshton, i tha Radios Evropa e Lirë, se deri më tash në agjendë të bisedimeve janë vetëm energjia, telekomunikacioni dhe bashkëpunimi rajonal.

Nuk mund të spekuloj qysh më herët se çka do të sjellë njëra apo pala tjetër.
Nuk mund të spekuloj qysh më herët se çka do të sjellë njëra apo pala tjetër”, tha Kocijançiq.

Më 27 dhe 28 shtator në Bruksel do të zhvillohet raundi i ardhshëm i dialogut mes Prishtinës e Beogradit.

Deri më tash palët kanë arritur marrëveshje për pesë tema: për lirinë e lëvizjes, regjistrin civil, njohjen e ndërsjellë të diplomave, për vulat doganore dhe dokumentacionin kadastral.

Të gjitha këto Prishtina është treguar e gatshme t’i zbatojë dhe këtë e ka dëshmuar me heqjen e masës së reciprocitetit për produktet serbe, ende pa u pranuar zyrtarisht vulat doganore kosovare nga ana e Serbisë.

Një gatishmëri e tillë nuk është parë nga Beogradi zyrtar.

Shefja e ekipit negociator të Kosovës, Edita Tahiri ka thënë se Prishtina do t’i japë ende kohë Serbisë që të fillojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Në anën tjetër, për vonesën e zbatimit, Borko Stefanoviq, hedh fajin te procedurat burokratike.

Vendimet janë marrë dhe pres që zbatimi i plotë të ndodhë shumë shpejt.
E dini se procedurat dhe burokracia janë shumë të ngadalshme dhe po mundohemi që të bëjmë krejt çka është e mundur. Vendimet janë marrë dhe pres që zbatimi i plotë të ndodhë shumë shpejt. Jam i sigurt se do të ketë zbatim shumë shpejt”, tha Stefanoviq.

Zyrtarët e BE-së kërkojnë nga palët qasje konstruktive dhe zbatim të aranzhimeve për të cilat janë pajtuar gjatë këtyre muajve në Bruksel.

Qëndrimi ynë është i qartë. Do të donim të shihnim zbatimin e aranzhimeve për doganën, që të rivendosen raportet normale të tregtisë dhe të hiqet embargoja tregtare. Ne po punojmë drejt këtyre qëllimeve. Ne besojmë se dialogu është e vetmja formë përpara dhe sjell përfitime konkrete për secilin në terren si dhe e sjell Serbinë dhe Kosovën më afër BE-së”, tha Maja Kocijançiq.

Pavarësisht se Serbia po vonon në zbatimin e marrëveshjeve, kryenegociatorja, Edita Tahiri thotë se pala kosovare do të shpërblehet për qasjen konstruktive që ka mbajtur gjatë këtyre bisedimeve.

Duke marrë parasysh këtë periudhë gjashtëmuajshe kur ne jo vetëm që kemi performuar në formë konstruktive, dhe i kemi kontribuar rezultateve të tashme të dialogut dhe po i kontribuojmë implementimit, presim që për këtë konstruktivitet që kemi pasur, të shpërblehemi në këtë fazë me marrëdhënie kontraktuale dhe në fazat e mëpastajme me përshpejtim të statusit të kandidatit”, tha Edita Tahiri.

Përfaqësuesit e partive politike opozitare e kanë kundërshtar dialogun me Serbinë pas zhvillimeve të fundit në veri dhe moszbatimit të marrëveshjeve të arritura.
XS
SM
MD
LG