Ndërlidhjet

Ritëm i ngadalshëm i eksportit në Serbi


Vendkalimi kufitar në Bërnjak

Vendkalimi kufitar në Bërnjak

Maunet, të cilat transportojnë mallra nga Kosova kanë vazhduar edhe të hënën të hyjnë në Serbi, konfirmojnë zyrtarët e Doganave të Kosovës.

Gjatë dy ditëve të kaluara, nga Kosova në Serbia kanë hyrë 7 maune me mallra.

Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se maunet me mallra janë duke kaluar nëpër vendkalimet kufitare për të hyrë në Serbi, por numri i tyre ende nuk është konfirmuar saktësisht.

Nuk mund të presim se do të kemi ndonjë rritje të madhe, ekstreme, të eksportit.
Për momentin, sipas informatave që kemi marrë nga degët doganore, ka edhe maune tjera, të cilat janë duke i përfunduar procedurat e eksportit dhe duke dalë në Serbi. Nuk mund të presim se do të kemi ndonjë rritje të madhe, ekstreme, të eksportit. Por, kryesorja është që të lejohet eksporti dhe t’ju ofrohet munësia eksportuesve që t’i shesin mallrat edhe në atë territor”, tha Stavileci.

Ai shtoi se numri i vogël i mauneve që eksportojnë mallrat kosovare në Serbi nuk ka të bëjë me ndonjë ndalesë të caktuar, por me faktin se Kosova eksporton sasi të vogël mallrash në këtë vend fqinj.

Kosova edhe në kushte, nëse e mendojmë një marrëdhënie normale tregtare me Serbinë, pa këto ndalesa, ka eksportuar shumë pak. Edhe viti më i mirë i Kosovës i eksportit, ka qenë 10 milion euro maksimumi i eksportit. Kështu që, kjo është 95 % me 5%. Faktikisht, nuk mund të presim se do të ketë ndonjë eksport të madh, sepse edhe në kohën kur është lejuar, nuk kemi pasur eksport të madh”, tha ai.

Ndryshe, Muhamet Sadiku, ekspert për çështje të ekonomisë, vlerësoi se hyrja e mallrave të Kosovës në Serbi, qoftë për konsum atje, qoftë si transit, më shumë është në dobi të respektimit të rregullave të tregtisë së lirë se sa që Kosova mund të krijojë ndonjë bilanc pozitiv tregtar në raport me Serbinë.

Ne e dimë se Kosova, në raport me Serbinë, realizon një bilanc tregtar tejet negativ.
Ne e dimë se Kosova, në raport me Serbinë, realizon një bilanc tregtar tejet negativ. Unë po them se mezi, në vit, mund të eksportojë në Serbi rreth 20 milionë euro. Ndërsa, nga Serbia importi, të them ligjor dhe importi joligjor sillet rreth 400 deri 450 milion, që do të thotë se Serbia, duhet vërtetë të dëshmojë përkushtimin e vet se është në situatë që Kosovën ta konsiderojë si një partner të rëndësishëm tregtar”, u shpreh Sadiku.

Në anën tjetër, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kanë shfaqur dyshimet e tyre se lejimi i hyrjes së mauneve me mallra nga Kosova për të hyrë në Serbi, është vetëm masë e përkohshme nga ana e shtetit serb, për siç kanë thënë, kalkulime politike.

Këtë dyshim ata e kanë bazuar në faktin se këtë masë Serbia e ka vënë në praktike vetëm 2 ditë para fillimit të raundit të ri të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është paralajmëruar të mbahet me 27 dhe 29 shtator.

Eksperti për ekonomi, Muhamet Sadiku, vlerëson se Serbia do të duhej të ishte e kujdesshme në këtë pikë.

Do të duhet të shohim se si Serbia do të sillet ndaj këtyre masave.
Ndoshta Serbia, me këtë dëshiron që së paku tash, para vazhdimit të bisedimeve me Kosovën, të tregojë se kinse është e gatshme që të respektojë masat që kanë për qëllim zhvendosjen e të gjitha barrierave në raport me importet që vijnë nga Kosova. Këtë nuk duhet ta konsiderojnë si një sjellje afatshkurte. Do të duhet të shohim se si Serbia do të sillet ndaj këtyre masave. Në fund të fundit, Serbia duhet të respektojë konceptin dhe zgjidhjet praktike që ofron tregu i lirë i ashtuquajtur CEFTA”, theksoi ai.

Sidoqoftë, deri dy ditë më parë, Serbia nuk ka respektuar marrëveshjen e arritur me 2 shtator në Bruksel, për respektimin e vulave doganore të Kosovës.

Ndërkaq, me 16 shtator, Kosova ka hequr masën e reciprocitetit, të cilën e ka vendosur ndaj Serbisë me 20 korrik.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG