Ndërlidhjet

FT: Rusia kthehet një hap prapa


"Financial Times"

Botës do t’i nevojiteshin disa lajme të mira për momentin, në kohën e krizës ekonomike dhe trazirave në Lindjen e Mesme. Fatkeqësisht, kthimi i Vlladimir Putinit në Kremlin nuk cilësohet si lajm i mirë.

Bashkëpunimi ndërkombëtar është tmerrësisht i nevojshëm për çështjet ekonomike dhe politike, por kthimi i Putinit në presidencë në muajin mars të vitit 2012 do të fuqizojë forcat nacionaliste në Rusi. Në kohën kur demokracitë liberale në botë po humbin vetëbesimin tek sa po ballafaqohen me probleme ekonomike, presidenti i ri e i vjetër rus do të forcojë krahun autoritativ në politikat botërore.

Nëse politika e jashtme ruse bëhet më e interesuar për vetën dhe më nacionaliste në vitin 2012, ajo do të mund të bëhet pjesë e njëlloj trendi botëror.

Shtetet e Bashkuara dhe Franca do të kenë zgjedhje presidenciale në vitin e ardhshëm-gjë që liderëve të këtyre shteteve do t’u kufizojë kohën për t’u marrë me diplomaci. Lidershipi kinez do të ndryshojë gjithashtu në vitin e ardhshëm, duke ia mundësuar ndoshta këtij shteti ngritjen e zërit në skenën ndërkombëtare.

Trazirat në Lindjen e Mesme pritet të vazhdojnë edhe në 2012-ën, sikurse edhe kriza financiare në Bashkimin Evropian.

Në këtë situatë, personaliteti i presidentit të Rusisë do të jetë i rëndësishëm si kurrë më parë. Rusia është njëra nga pesë shtetet e përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe mbetet një fuqi kryesore ushtarake, diplomatike dhe e energjisë.

Lehtësia me të cilën u shty anash Dimitri Medvedev, presidenti aktual i Rusisë, do të forcojë mendimin e cinikëve se ai ka qenë gjithmonë një kukull e Putinit.

Sidoqoftë, kjo nuk ishte qasja e liderëve botërorë të cilët kanë punuar me Rusinë përgjatë katër viteve të fundit.

Veçanërisht amerikanët dhe gjermanët bënin një dallim real ndërmjet krahut të Putinit dhe atij të Medvedevit.

Në Rusi, vënia retorike e theksit mbi sundimin e ligjit dhe pikëpamja e tij më kritike për të kaluarën sovjetike bënin që ai të dukej një figurë relativisht liberale.

Në arenën ndërkombëtare, ishte Medvedevi ai që përfaqësoi krahun qeveritar më të gatshëm për bashkëpunimin me perëndimin, dhe i cili i jepte rëndësi idesë se ka vlera universale të cilat duhet t’i respektojnë të gjitha fuqitë e mëdha.

Ishte Medvedevi që bashkëpunoi ngushtë me Shtetet e Bashkuara për të “rivënë” marrëdhëniet amerikano-ruse dhe për t’i përmirësuar ato që nga mospajtimet në vitin 2008 rreth luftës ruso-gjeorgjiane, duke mundësuar kështu progresin e SHBA-së dhe Rusisë rreth kontrollit të armëve.

Kur NATO-ja ndërhyri në Libi, Putin në zyrën e kryeministrit ishte kundër kësaj ideje. Por, Medvedev në Kremlin ishte më i hapur dhe do të mund ta kishte parandaluar një veto të Rusisë ndaj rezolutës në Kombet e Bashkuara e cila lejoi ndërhyrjen.

Rusia mbetet një aktor i fuqishëm gjeopolitik që ende mendon dhe vepron si një nga fuqitë botërore. Fatkeqësisht, pikëpamja e Putinit mbi diplomacinë botërore karakterizohet nga nostalgjia për “respektin”-pra të frikës, ndaj Rusisë me të cilën ajo komandoi në Luftën e Ftohtë, sikurse me një dyshim të thellë ndaj perëndimit.

Nëse Putin mbetet një njeri me të cilin mund të bashkëpunojnë liderët e shteteve perëndimore, atëherë nuk duhet të jetë katastrofal kthimi i nacionalizimit të thellë në Kremlin.

Fatkeqësisht, është një rregull i mirënjohur i politikës që thotë se, sa më gjatë të jetë në detyrë një politikan, aq më të shumë rriten gjasat që ai t’i nënshtrohet megalomanisë dhe të bëjë gabime të mëdha në vlerësime.

Putin tashmë ka shërbyer tetë vite si president dhe katër si kryeministër.

Tani, meqë mandati për postin e presidentit është zgjatur në gjashtë, ai është gati të jetë në krye të Kremlinit edhe për 12 vitet e ardhshme.
Një president që okupon fuqinë për 20 vite përbën një lajm të keq për secilin shtet.

Në një shtet me historinë tragjike të autokracisë që ka Rusia, ky është një zhvillim i pikëlluar dhe kërcënues.(e.p.)
XS
SM
MD
LG