Ndërlidhjet

logo-print

Jo dialogut politik me Serbinë


Edita Tahiri dhe Borko Stefanoviq/ foto nga arkivi

Edita Tahiri dhe Borko Stefanoviq/ foto nga arkivi

Kosova duhet t’í kundërshtojë përpjekjet e Serbisë që dialogu i filluar teknik në Bruksel të marrë karakterin politik të bisedimeve për veriun e Kosovës, thonë deputetët.

Sipas tyre, pavarësisht se bisedimet me Serbinë çdoherë marrin konotacion politik, megjithatë përqendrimi i tyre vetëm për gjendjen në veri apo portat kufitare me Serbinë, do të përbënte një rrezik për sovranitetin dhe integritetin e vendit.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, thotë se delegacioni i Kosovës në këto bisedime e ka të përkufizuar agjendën e bisedimeve edhe përmes rezolutës së Kuvendit e cila përjashton dialogun për çështje të brendshme të Kosovës.

Bisedimet janë të natyrave, po themi, teknike, por në bisedime kur kemi të bëjmë me Serbinë gjithçka është politikë po thuajse dhe asnjë bisedë teknike nuk mund të mos ketë edhe politikë brenda. Sidoqoftë, Kuvendi i Kosovës ka miratuar kontrollin në gjithë territorin e vendit, qeveria ka ndërmarrë një aksion dhe ne jemi në mbështetje të plotë të veprimeve të qeverisë në veri”, thotë Haliti.

Ndërkohë deputetë të opozitës vazhdojnë të vlerësojnë se Kosova ka hyrë e papërgatitur në bisedimet me Serbinë.

Ata kërkojnë tërheqje nga këto bisedime përderisa Serbia të mos e njohë shtetin e Kosovës në kufijtë aktual.

Duke iu referuar rrjedhës së këtyre bisedimeve, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi rikujton se kryenegociatori serb Borisllav Stefanoviq, më shumë po qëndron në veri të Kosovës duke nxitur serbët lokalë në rrënimin e rendit ligjor në Kosovë, sesa që qëndron në Beograd apo Bruksel.

Bisedimet me Serbinë kanë përfunduar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, prandaj absolutisht bisedime në këtë drejtim nuk duhet të ketë.
Bisedimet me Serbinë kanë përfunduar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, prandaj absolutisht bisedime në këtë drejtim nuk duhet të ketë. Nëse Serbia duhet të reformohet së paku si shtet, ajo duhet të pranojë të gjitha fajet që i ka bërë mbi Kosovën, duhet t’í paguajë dëmet, duhet të kërkojë falje për krimet që i ka bërë dhe pastaj mund të bisedojmë si fqinjë”, thekson Isufi.

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, thotë se kjo lëvizje qysh para 3 vjetësh kishte tërhequr vërejtjen se Serbia do të kërkojë bisedime të veçanta jashtë planit të Ahtisarit për territore të banuara me shumicë serbe.

Nga zëra të ndryshëm ndërkombëtarë, të cilët po shtohen kohëve të fundit, po del kërkesa për dialog politik, me përmbajtje më politike, e ne mendojmë që në këtë rast do të mund të rrezikohej veriu i Kosovës, për arsye se do të mund të përfundonte në tavolinën e negociatave, dhe për të që të gjendet ndonjë zgjidhje siç po thonë ata, në formë të ndonjë plani Ahtisari plus”, thotë Konjufca.

Reagimet e subjekteve politike në Prishtinë vijnë në kohën kur në Bruksel po mbahet raundi i radhës dyditor i bisedimeve Kosovë – Serbi, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Atmosfera para bisedimeve është tensionuar, marrë parasysh kërkesat serbe që atje të bisedohet për pikat doganore 1 dhe 31, për të cilat Serbia insiston që të mos ketë farë prani të institucioneve të Kosovës, siç po përpiqet të pengojë praninë e autoriteteve kosovare në gjithë veriun e Kosovës.

Këtyre tendencave të Beogradit, institucionet në Prishtinë u janë përgjigjur negativisht duke thënë se Kosova do të shtrijë autoritetin e vet edhe në veri pa pasur nevojë për bisedime dhe aranzhime rreth gjendjes atje me Beogradin zyrtar.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG