Ndërlidhjet

Kosova vazhdon të mos ketë të dhëna të sakta rreth konsumit të duhanit.

Megjithatë, përpjekjet që synojnë të vënë në pah rreziqet që sjell ajo, nuk mungojnë.

Miliona viktima në vit dhe miliona të sëmurë nga kanceri, janë pasojat që shkakton pirja e duhanit në mbarë botën.

Gazmend Zhuri, pulmolog, pohon se vazhdimisht duhet merren iniciativa për zbatimin e ligjit anti-duhan.

Askush më tepër se ne klinicistët nuk ballafaqohet me sëmundje që sjellë duhani, si kanceri i mushkërive dhe shumë të tjera. Shpenzohen me qindra miliona për blerjen e barnave dhe vetëm sa i zgjasin ato vuajtje dhe nuk kanë ndonjë sukses përfundimtar. Prandaj mendoj se duhet merren iniciativa për ndalimin e duhanit”, shprehet Zhuri.

Ligji kundër pirjes së duhanit në Kosovë, është miratuar në shkurt të vitit të kaluar. Por ai ende nuk është duke u zbatuar në tërësi.

Naser Ramadani, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, thotë se shumë herë janë mbajtur një varg aktivitetesh deri tash, në mënyrë që të zvogëlohet sa më shumë numrin e duhanpirësve në Kosovë, i cili fenomen siç thotë ai, po e përcjellë Kosovën vite me radhë.

Ne edhe pse kemi aprovuar ligjin anti-duhan në Parlamentin e Kosovës, dhe kemi marrë një varg masash me inspektorë, prapë se prapë ky fenomen ngelë si i rëndë sepse në organizmin e njeriut duhani po bën dëme shumë të mëdha”, thotë Ramadani.

Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, shpreh gatishmërinë e institucionit që ai udhëheqë, për të ndihmuar krye inspektoratin sanitar në zbatimin e ligjit kundër duhanit, edhe pse, siç thotë zoti Agani, ligji është shumë i qartë, por vetëm kërkon zbatim.

Mendoj se shumë po flitet por nuk po bëhet sa duhet. Mendoj se qëndrimet janë fragmentare të izoluara dhe brenda një sektori, duke parë pak aktivitete gjithëpërfshirëse dhe që e plotësojnë njëra tjetrën. Përmasa e problemit është aq e madhe, pasojat aq serioze, sa që nuk e kemi luksin të presim. Ligji është shumë i qartë por kërkon zbatim”, thekson Agani.

E Iliriana Zymberi, krye inspektore sanitare, thotë se nuk është vetëm inspektorati sanitar i autorizuar për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit kundër duhanit.

Andaj, zonja Zymberi thotë se institucionet relevante duhet të punojnë në këtë drejtim, në mënyrë që të zbatohet në tërësi ligji anti-duhan. Ajo flet për të arriturat e deritashme.

Deri më tani ne kemi lëshuar 3 mijë urdhëresa, në subjektet afariste ushqimore, kafene dhe institucione publike në përgjithësi. Ne nuk jemi të kënaqur me zbatimin e plotë të këtij ligji, andaj kërkojmë që të na ndihmojnë edhe institucionet tjera relevante”, bën të ditur ajo.

Ndërkaq, qytetarët mendojnë se vetë ligjvënësit janë ata që nuk e respektojnë ligjin e aprovuar nga Kuvendi i Kosovës, për mos pirjen e duhanit në hapësirat publike.

Ndoshta nuk kanë edhe shumë faj qytetarët, kur shohin se vetë ligjvënësit nuk e zbatojnë atë. Për shembull në hollin e Kuvendit të Kosovës, kemi parë se tymoset duhan pa ndonjë problem”, thotë Besa Hamza, qytetare.

Dukuri brengosëse thuhet të jetë rritja e shkallës së duhan pirjes te femrat në botën e zhvilluar, përfshirë këtu edhe Kosovën.

Shifrat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë flasin për një numër të madh të femrave shtatzëna që konsumojnë duhan.

Sipas të njëjtit institucion, 54 për qind e foshnjave të porsalindura janë të detyruara të rriten në ambiente të tymosura.

Dëshmohet që tymosja e duhanit është mjaft e pranishme në Kosovë, dhe kjo tymosje është qoftë në formën aktive apo pasive. Tymosjes nuk i shpëtojnë as gratë shtatzëna, as fëmijët e porsalindur, dhe shtresat tjera të ndjeshme të shoqërisë”, shpjegon Skënder Syla, drejtues i zyrës së OBSH-së në Prishtinë.

Ligji kundër pirjes së duhanit në Kosovë është miratuar në shkurt të vitit të kaluar.

Ndonëse parasheh një varg masash, bëhet e ditur se zyrtarët përgjegjës nuk kanë shqiptuar asnjë ndëshkim për moszbatimin e tij.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG