Ndërlidhjet

Regjistrimi në udhëkryq


Pamje nga Maqedonia
Pamje nga Maqedonia
Tri ditë para fillimit të procesit të regjistrimit, çështja e regjistrimit të mërgimtarëve ka shkaktuar ndasi të mëdha mes anëtareve te komisionit.

Kryetarja e komisionit shtetëror të regjistrimit Vesna Janevska për agjencinë shtetërore të lajmeve MIA ka deklaruar se “të drejtë regjistrimi kanë vetëm qytetarët të cilët jetojnë dhe veprojnë në Maqedoni, por jo edhe ata të cilët punojnë me punë të përkohshme në vendet e jashtme”.

Me këtë qëndrim nuk pajtohen anëtarët shqiptarë të komisionit në fjalë, të cilët nuk kanë arritur kurrfarë marrëveshje për kapërcimin e dallimeve, edhe kundër takimit disa orësh gjatë mbrëmjes së kaluar.

Anëtarët shqiptarë pranë KSHR kanë theksuar se “neni 40 i Ligjit për regjistrim mundëson regjistrimin edhe të mërgimtarëve, të dhënat e të cilëve i jep ndonjë anëtarë i familjes përmes ekspozimit të dokumenteve të tyre personale” duke nënvizuar për Radion Evropa e Lirë se procesi i përgatitjeve për momentin është i bllokuar dhe të njëjtin mund ta zhbllokojë vetëm politika.

Me këtë rast, të martën është prononcuar lideri i partisë shqiptare në pushtet BDI, Ali Ahmeti.

Ligji është shumë i qartë, të gjithë ata të cilët brenda vitit hynë një herë e më shumë në territorin e Maqedonisë, të gjithë ata të cilët kanë pasuritë e veta por përkohësisht nuk ndodhen në këtu, por ndodhen me punë të përkohshme jashtë Maqedonisë, të njëjtit i regjistron një anëtar tjetër i familjes, dhe të njëjtit përfshihen në numrin e përgjithshëm të popullsisë së Maqedonisë” ka theksuar Ali Ahmeti.

Nga ana tjetër PDSH, në vazhdimësi ka theksuar se ky proces ka tendencë të manipulohet nga pala maqedonase, njëherazi, ditë më parë kërkoi që parlamenti ë shtyjë procesin e regjistrimit për disa muaj.

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, thekson pwr Radion Evropa e Lirë, se falsifikimi mund të ndodhë me manipulimin e shifrave reale të komunitetit maqedonas, dhe jo shqiptar.

Kemi manipulim të dyfishtë, nuk bisedohet për zvogëlimin e numrit të shqiptarëve, por e keqja më e madhe është rritja e zmadhimi artificial i numrit të maqedonasve. Ndryshe më duhet të theksoj se kjo është politike, nuk është thjesht një proces statistikor, kemi të bëjmë me insistimin e maqedonasve për të përvetësuar territorin, tokën, shtetin, e më pas të gjitha të mirat materiale” thekson kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi.

Ai shton se shqiptarët, si faktor politik, realisht kanë shumë pak qasje në përgatitjen e procesit të regjistrimit, aq më pak kuadër profesional i cili drejtpërdrejtë do të jetë i kyçur në procesin e përpunimit të të dhënave.

Do të shihet rezultati i regjistrimit. Faktori politik shqiptar nuk ka qasje reale në kontrollin si realizohet regjistrimi. Faktori politik shqiptarë që është në qeverisje ka vetëm pushtet fiktiv, nuk ka pushtet real. Të presim edhe pak dhe do të behet e qartë se shifrat do të jenë të manipuluara”, thotë ai.

Lideri i partisë shqiptare në opozitë Menduh Thaçi me këtë rast ka nënvizuar se partia e tij kërkon përgjegjësi nga ana e qeverisë lidhur me realizimin e procesit të regjistrimit.

Ndryshe, regjistrimi i popullsisë i cili është paraparë të fillojë me 1 tetor dhe të përfundojë po me 15 tetor si një nga proceset statistikore më të ndërlikuara dhe më voluminoze, në Maqedoni ka një specifikë të veçantë, pasi i tërë sistemi politiko-juridik në vend korrespondon me rezultatet e këtij procesi të regjistrimit.
XS
SM
MD
LG