Ndërlidhjet

Bisedime me ndërmjetësit


Ngjarjet e fundit në veri duket se po diktojnë edhe rrjedhën e dialogut, raundi i radhës i të cilit, është planifikuar që të fillojë dje dhe të vazhdojë sot.

Por, takimi i djeshëm është shtyrë, me arsyetimin se janë vonuar për të ardhur në takim negociatorët serbë.

Aktualisht, negociatorët kosovarë dhe serbë janë duke zhvilluar bisedime me lehtësuesit e dialogut në Bruksel, por nuk janë takuar ende së bashku.

Lajmi bëhet i ditur nga Maja Kocijançiq, zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane, Ketrin Eshton.

Takimi i djeshëm është shtyrë për shkak të ngjarjeve(të fundit në veri) dhe ardhjes së vonë të negociatorëve serbë dhe aktualisht ata janë në kontakt me lehtësuesin. Deri tash nuk kam lajme tjera”, tha për Radion Evropa e Lirë, Maja Kocijançiq.

Në anën tjetër, kreu i delegacionit serb në bisedimet me Kosovën, Borko Stefanoviq, ka thënë se dialogu me Prishtinën do të shtyhet, derisa siç ka thënë Serbia, në bisedimet me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, nuk arrin rezultate konkrete, sa i përket krizës në veri.

Stefanoviq ka thënë se fillimisht do të bisedohet me përfaqësuesin e BE-së, Robert Kuper, dhe atë të SHBA-së, Filip Riker, rreth situatës në Jarinë dhe Bërnjak.

Sipas tij, “është absolutisht e pamundur të bisedohet për telekomunikacionin, energjinë elektrike dhe bashkëpunimin rajonal”, derisa, siç ka thënë ai, “të qëllohet në qytetarët e paarmatosur të veriut”.

Natyrisht se me Prishtinën nuk do të bisedojmë derisa nuk i arrijmë disa modalitete.
Natyrisht se me Prishtinën nuk do të bisedojmë derisa nuk i arrijmë disa modalitete. Prishtina as që do të bisedojë për Jarinën dhe Bërnjakun. Bisedimet me Prishtinën do të vazhdojnë nëse kemi rezultate konkrete rreth Jarinës dhe Bërnjakut. Është mirë që komuniteti ndërkombëtar e ka parë tani këtë çështje si prioritet”, transmetojnë agjencitë serbe deklaratën e Stefanoviqit.

Një natë më parë, kryenegociatorja Edita Tahiri, ka thënë se palës kosovare i është thënë nga ndërmjetësuesi Robert Kuper, se pala serbe nuk ka arritur që të arrijë me kohë në dialog.

Tahiri ka thënë se pala kosovare ka kërkuar që krahas agjendës së paralajmëruar, sot të bisedohet edhe për 5 marrëveshjet e arritura më herët, e të cilat nuk po zbatohen nga Serbia.

Në këtë raund të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit është dashur të diskutohet energjia, telekomunikacioni dhe bashkëpunimi rajonal.
XS
SM
MD
LG