Ndërlidhjet

logo-print

Bregu: Dëmi nga opozita nuk zhbëhet shpejt


Majlinda Bregu

Majlinda Bregu

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministrja për Integrime Evropiane, Majlinda Bregu, tha se opozita ka bërë një dëm shumë të madh që s’mund të zhbëhet në ditët që kanë mbetur deri në Raportin e Progresit.



RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Bregu, çfarë prisni nga Raporti i Progresit i 12 tetorit i BE-së? A ka shanse që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, i cili u refuzua një vit më parë për shkak të klimës të acaruar politike?

MAJLINDA BREGU
Raporti i tetorit është një raport i cili, nëse do të ketë shprehje të një mendimi për statusin, mund të mos thuhet në Raportin e Progresit por do të jetë pjesë e Enlargment Strategy.

Unë pres në këtë raport një pasqyrim, të realitetit të reformave të Shqipërisë, nga nëntori i kaluar deri në periudhën kur ky raport është hartuar, deri në shtator të këtij viti. Pres një vlerësim, realist për kriterin ekonomik dhe standardet, përfshi këtu dhe trendin e rritjes dhe stabilitetit të ekonomisë shqiptare, përfshi këtu vlerësimin për reformat e ndërmarra, në fushën e gjyqësorit, përfshi vlerësimin në kuadrin ligjor të përmirësuar, eficent dhe për masat në luftën e krimit dhe korrupsionit, vlerësimin për standardet lidhur me trafikun e qenieve njerëzore, drogave dhe narkotikeve.

Me vlerësime për sa i përket funksionimit të një prej ligjeve më të rëndësishme, që është miratuar në kuadrin e liberalizimit të vizave dhe që po funksionon shumë mirë, që është ai kundër pastrimit të parave dhe i konfiskimit te aseteve të personave të inkriminuar dhe sigurisht që pres një vlerësim, cili është në të njëjtën linje me vlerësimin e OSBE/ODHIR-it, për sa i përket zhvillimit të zgjedhjeve lokale në Shqipëri, si zgjedhje konkurruese dhe transparente.

Të gjithë kanë qenë dëshmitarë dhe kanë vërtetuar që ka pasur një deklaratë të kryetarit të opozitës për rikthim në parlament, votim të ligjeve me 3/5 dhe angazhim serioz për plotësimin e 12 pikave, qe Komisioni Evropian i përcaktoi si prioritete, duke shoqëruar opinionin për Shqipërinë.

Në shtator të këtij viti unë dhe të gjithë dëgjuam Edi Ramën i cili deklaronte se tashmë kishte ardhur koha qe t’i jepte fund kapërcimeve të tij, me hyrje dalje nga Parlamenti, me bojkot, me sharje dhe terminologji që dëmtonte procesin e integrimin dhe largonin Shqipërinë një hap me tutje në procesin e integrimit evropian.

Dhe të gjithë prisnim një lloj angazhimi serioz, një lloj “mea culpa” (kuptim i një faji apo gabimi), të paktën unë kështu e kam kuptuar rikthimin në Parlament dhe deklaratën e para tre javëve se do të votonin të 12 pikat, një “mea culpa” për dëmin që i kishte bërë vendit dhe mos votimin e ligjeve me 3/5.

Por ajo çfarë ndodhi javën e kaluar me mos votimin e këtyre ligjeve në Parlament, refuzimi total i opozitës për të dhënë kontributin e saj në zbatim të rekomandimeve të 12 pikave të planit të veprimit besoj ka shtuar realizimin për mënyrën sesi kërkon të bëjë politikë dhe të mbaje peng fatet e vendit, te partnerët tanë evropianë.

Pra ka shtuar realizimin e tyre ndaj veprimeve të Edi Ramës dhe njëkohësisht shpresoj që ky lloj realiteti të jetë pjesë e pasqyrimit në dokumentet e tyre që do të publikohen.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra ka shume gjasa që Shqipëria të mbes në klasë për sa i takon statusit?

MAJLINDA BREGU
Po flas kryesisht për pjesën e Raportit të Progresit, asnjë vendim nuk mund të parashikohet as nga unë sot, as dhe nga ata, që deri diku kanë marrë vendim, por nuk dua të them fjalën e fundit, pasi statusi vendoset pas gjithë konsultimeve me vendet anëtare të Këshillit Evropian.

Por unë besoj që dëmi që i është bërë Shqipërisë nga bojkoti i tej-zgjatur i opozitës, nga refuzimi për të ndërtuar dialogun politik dhe për të qenë të gatshëm për të hyrë në dialog politik me shumicën, nga refuzimi për të ndërtuar reformën zgjedhore dhe adresuar rekomandimet e OSBE/ODHIR është një dëm shumë i madh që s’mund të zhbëhet me ditët që kanë mbetur.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja ministre, nëse mund ta shprehim kështu, sa për qind e rekomandimeve të KE-së janë plotësuar ?

MAJLINDA BREGU
Ne kemi raportuar për sa i takon planit të veprimit. Së pari më duhet të them se plani i veprimit apo të 12 pikat nuk janë shtyllat e vendosura dhe të palëvizshme për të vërtetuar ecurinë dhe progresin e Shqipërisë drejt BE-së.

Këto 12 pika shoqëruan raportin e vjetshëm të BE si një instrument apo tentative për të sjellë sërish bashkë, shumicën dhe opozitën dhe për ta detyruar opozitën që për hir të fatit të integrimit të vendit, sikurse opozita pretendon dhe bën retorikë, të vijë dhe të bashkojë vullnetin politik me shumicën.

Pra, ishte një instrument, për të cilin KE donte të testonte gatishmërinë e opozitës për të ndërtuar dialogun politik, të cenuar. Qe do të thotë se një pjesë e detyrimeve të këtij plani janë detyrime që kanë të bëjnë me reformën qeveritare, pra me prioritet për luftën kundër korrupsionit, reformën në administratën publike, gjendja e të burgosurve në sistemet penitenciare apo propozime te tjera që lidhen me luftën kundër krimit të organizuar, të cilat përveç paktave ligjore që kërkonin për t’u miratuar, pjesa tjetër janë detyrime të qeverisë.

Të gjitha pjesë e atyre detyrimeve që ne i kemi raportuar, sipas fazave në të cilën ato janë plotësuar. Në të gjitha detyrimet, nga 12 të cilat kanë kërkuar angazhim të strukturave qeveritare dhe agjencive qeveritare, në të gjitha ka progres dhe progresi nuk është monitoruar vetëm nga pala shqiptare.

Të vetmet të cilat nuk janë prekur është votimi i ligjeve me 3/5 për të cilat shumica e vetme s’ka çfarë të bëjë, nuk i ka 84 vota. Është zgjedhja e avokatit të popullit, që për mua është nje nga alternativat më të thjeshta ose “karrota”që iu dha opozitës për të treguar që është e gatshme të bashkojë votat.

Këtu nuk bëhet fjalë nëse po ushtrohet apo jo funksioni i avokatit të popullit, avokati i popullit është në detyrë, një zonjë e cila, funksionon sipas ligjit, që parashikon që kur avokati i popullit nuk zgjidhet me 3/5 në detyrë, është avokati i cili ka eksperiencën më të vjetër në punë.

Ky ligj është në zbatim. Pra kjo ishte “karota” më e thjeshtë për t’i thënë opozitës sillni kandidatin, votojeni dhe për të treguar se janë të gatshëm të bashkëpunojnë. Në të gjitha pikat që kanë qenë test për të provuar bashkëpunimin mes opozitës dhe shumicës kjo është pjesa më problematike e plan veprimit, e cila rikthehet përsëri në kriterin politik.

Ne nuk e humbëm vjet statusin kandidat, sepse Shqipëria nuk kishte bërë progres në kriterin ekonomik, progres në standarde. Kemi qenë në vlerësime në fusha të caktuara dhe shumë më mirë se vende të tjera të rajonit të cilat patën mundësinë ta marrin statusin kandidat.

Ne vjet humbëm statusin kandidat, sepse kriteri politik nuk funksionoi, sepse opozita ishte në rrugë, nuk hynte në Parlament, bojkotonte parlamentin.

Fatkeqësisht i njëjti trend u vu re dhe gjatë këtij viti.

Pra ky bashkëpunim që duhej për të plotësuar kriterin politik nuk ishte një bashkëpunim, i cili u ofrua dhe të konkludojmë dhe të themi sot se kriteri politik është realizuar.

E përsëris, në rast se opozita do të kishte votuar në seancë parlamentare të ditës së enjte që shkoi, do të kishte qenë shumë e thjeshtë për të pasur një vlerësim pozitiv.

Te paktën KE do ta kishte më të lehtë përpara vendeve anëtare për të dhënë një pasqyrim se situata ka ndryshuar, opozita është rikthyer, po voton dhe qëllimin madhor të vendit për integrim, nuk po e le peng të strategjive të reja bojkotuese.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë zoti Rama thotë se është shumica ajo që po bëhet pengesë për integrimin? Sipas tij shumica nuk po angazhohet të përmbushë një nga rekomandimet kryesore të KE-së që lidhet me funksionimin e Parlamentit, për të cilën opozita ka ofruar një pakete me ndryshime në rregullore si pjesë të një pakti me 10 kushte vendosur për shumicën, me qëllim bashkëpunimin? Do ta ndryshoni rregulloren e Parlamentit, po 10 pikat si do t’i trajtoni?

MAJLINDA BREGU
Unë di që kemi 12 pika të vendosura nga BE për Shqipërinë, as 10 pikat e Edi Ramës, as 20 t’i bëjë ai, ato s’janë testi për të treguar që Shqipëria po ecën ose jo në drejtimin e duhur drejt BE-së.

BE monitoron nëpërmjet instrumenteve të tij, ata janë vendimmarrësit. Ne duam të shkojmë drejt Evropës dhe ne jemi të detyruar të zbatojmë pikat dhe detyrimet që na vendosë Evropa, jo të shpikim nga një ditë në tjetrën, një herë 10 pika, një herë letra, një here komunikime të tërthorta, një herë takime që nuk ja vlejnë, apo epitete për miqtë që vijnë dhe vizitojnë Shqipërinë, për të ndihmuar në zhbllokimin e këtij ngërçi.

Unë them që ne kemi pasur, kjo qeveri, kjo shumicë dhe opozita, shansin për ta kthyer në një plan konkret, ku të dëshmohej bashkëpunimi, për 12 pika të vendosura nga BE.

Nuk shpiku kjo shumicë ca 5 pika të reja përpos këtyre pikave, as 20 pika mbi to. I vetmi njeri që kërkon të kërcejë nga një dege në tjetrën, duke e bërë procesin të duket jo të besueshëm dhe me kushte të reja të vendosura çdo ditë, është Edi Rama.

Unë nuk bëj asnjë koment për pjesën e planit qe ai ka propozuar, e përsëris, për mua plan veprimi është 12 pikëshi i KE-së dhe jo 10 pikëshi i Edi Ramës.

Për sa i takon ndryshimit të rregullores, pika kryesore lidhej me funksionimin e Parlamentit, por funksionim i duhur i Parlamentit jo se ai nuk funksiononte dhe nuk miratonte ligje, jo se rregullorja e Parlamentit ishte një rregullore për t’u hedhur poshtë por sepse opozita nuk Ishte në Parlament.

Megjithatë cilido lloj propozimi që sjell rregulloren e Parlamentit shqiptar në të njëjtën linjë me rregulloren e Parlamentit Evropian apo me rregulloret e vendeve të tjera anëtare është i mirëpritur, të bëjë propozime që vendi të shkojë përpara me standarde jo ta bllokojnë atë. Kushdo mund ta vërtetojë fare lehtë, qoftë çdo parlamentar evropian, apo në çdo rend dite që çdo njeri nga ne, ulet me kolegë ndërkombëtare, se çështjet jashtë rendit të ditës, që edhe kjo është pjesë e propozimeve për ndryshim, nuk janë në krye të takimit.

Çështjet thera janë në fund të rendit, nuk fillohet dita e punës me çeshtje jashtë rendit të ditës dhe për më tepër, kur kjo ishte skema e bllokimit konstant të seancave plenare.

Për sa i përket pjesës së votimit nominativ ose jo, ka standarde të ndryshme, Amerika voton hapur, ka vende që votojnë me votim të fshehtë, këtu problemi është. A ka ndonjë problem ndonjë deputet, ndonjë frikë, i shumicës apo opozitës, të votojë hapur?

Çfarë frike ka për të votuar hapur, në Amerikë votohet hapur si një përgjegjësi ndaj elektoralit që të voton. Megjithatë çfarëdo lloj ndryshimi që nuk e largon por e afron rregulloren me atë të Parlamentit Evropian është e mirëpritur.

Problemi këtu është të mos nxjerrim pretekste dhe sebepe të reja çdo ditë për të bllokuar, procesin e integrimit. Nuk kanë asnjë vështirësi ligjet me 3/5 që s’janë miratuar, janë ndryshimet më minimale, pra çfarë paska të vështirë këtu për të dhënë konsensus.

E njëjta situatë ishte me liberalizmin e vizave. Ju e mbani mend se ligji i pastrimit të parave dhe konfiskimit të aseteve të krimit nuk është votuar nga opozita.

Sikurse opozita asnjëherë, megjithëse ka pretenduar, nuk ka sjellë asnjë propozim për ndryshimin e Kushtetutës për kufizimin e imunitetin. Pra, aty ku kërkohet vullnet, duhet domosdoshmërish që ky vullnet të jetë prezent, në rast të kundërt s’ka justifikim. I vetmi shpjegim është sepse kërkon të bllokosh procesin e integrimit te Shqipërisë.
XS
SM
MD
LG