Ndërlidhjet

Ka apo jo dialog politik?


Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë
Në Maqedoni, sipas partive opozitare, dialogu politik mbetet i bllokuar nga pushteti aktual, i cili, vazhdon të injorojë opozitën gjatë miratimit të ligjeve apo vendimeve shumë të rëndësishme që nuk do të ofrojnë zgjidhje të problemeve, por, përkundrazi përkeqësim të mëtejmë të tyre.

Nga opozita, besojnë se vërejtje e këtilla do të përmbajë Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Maqedoninë që pritet të publikohet nga fillim i muajit tetor.

Përkeqësimi i skenës politike nuk është me fajin e opozitës, por të shumicës parlamentare apo në përgjithësi të pushtetit aktual, i cili vazhdon të udhëheqë luftë selektive ndaj të gjitha dukurive në vend”, thotë Vesna Bendvska, deputete e Lidhjes Socialdemokrate.

Nga LSDM-ja thonë se partitë në pushtet edhe këtë vit kanë vazhduar praktikën e mbytjes së demokracisë dhe të dialogut, madje, ende pa u konstatuar përbërja e re parlamentare.

Me këtë rast përmendin miratimin e disa ligjeve shumë të rëndësishme pas asnjë konsultim paraprak, siç ishte rasti me ligjet për gjuhën dhe përdorimin e simboleve të bashkësive etnike.

Edhe nga opozita shqiptare shprehin një sërë vërejtjesh lidhur me dialogun politik.

Zijadin Sela, deputet i PDSH-së, thotë se në Maqedoni nuk ekziston dialog as për çështjet me të vogla.

Shqetësues është fakti se deputetët e shumicës janë shndërruar në makineri votuese edhe pse votojnë ligje që janë antikushtetuese kurse në anën tjetër edhe pse opozita ndërhynë përmes amendamenteve, deri më tani asnjë prej tyre nuk është pranuar nga shumica parlamentare”, u shpreh Sela.

Ndërkohë, edhe Izet Zeqiri, deputet i Rilindjes Demokratike Kombëtare, shprehet për mungesën e dialogut dhe refuzimin e të gjitha nismave të opozitës.

Konsiderojmë se në Kuvend nuk ka dialog të mirëfilltë politik, përfshirë edhe në qarqe më të larta. Çështja tjetër mbajë bindjen se Kuvendi është vetëm se një trup votues, i cili, në vend se të kontrollojë qeverinë është ai po kontrollohet nga qeveria, të gjitha propozimet vijnë nga qeveria dhe pozita e cila ka për obligim t’i sqarojë dhe të arsyetojë çdo ligj të sjellë, ajo aspak nuk ofron debate”, thotë Zeqiri duke ndarë bindjen se vërejtje të këtilla do të përmbajë edhe raporti i progresit për Maqedoninë.

Por, pretendimet e këtilla kundërshtohen nga partitë në pushtet. Bashkimi Demokratik për Integrim vlerëson se megjithatë dialogu ekziston ndoshta jo në formën më të mirë të mundshme por shumë më i mirë sesa kur opozita e tanishme ishte në pushtet.

Mendoj se ka një frymë nga ajo që mund të llogaritet si dialog, por mënyra e këtillë e komunikimit besoj se ka elemente edhe të monologut, por edhe të qëllimeve me prapavijë politike për të paraqitur Kuvendin në prag të raportit të Komisionit Evropian si jofunksional, gjë që ndoshta në fushën e veprimit politik është e drejt e opozitës, por mbi gjitha të drejtat duhet pasur parasysh qëllimin e fundit apo prapavijën e një veprimi të tillë”, tha koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Talat Xhaferi.

Ai beson raporti i Komisioni Evropian do të jetë real, jo vetëm për punën e Kuvendit, por në përgjithësi për Maqedoninë.
XS
SM
MD
LG