Ndërlidhjet

Vetëm me dokumente të Kosovës


Nga 22 shtatori të gjithë kamionët me mallra nga Kosova, në territorin e Serbisë kanë hyrë me dokumentacione të Republikës së Kosovës.
Përderisa para kësaj date, ka pasur raste kur kompanitë kosovare, për të eksportuar mall në Serbi, janë pajisur me dokumente të lëshuara nga strukturat paralele, thonë autoritetet kompetente.

Mimoza Kusari- Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se nga 16 shtatori kur Qeveria e Kosovës, ka hequr masat e reciprocitetit ndaj produkteve serbe, ka pasur disa kompani kosovare, siç thotë ajo, të papërgjegjshme, të cilat kanë shkuar në zyrat e strukturave paralele në Ranillug, kanë marrë dokumente, gjegjësisht kanë bërë pagesën 18 për qind të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, për institucionet e Serbisë.

Por, pas 22 shtatorit, kur institucionet e Kosovës, llogarisin edhe zyrtarisht zbatimin e marrëveshjes së 2 shtatorit, nga Beogradi zyrtar, Kusari- Lila, pohon se të gjitha maunet kosovare në Serbi kanë hyrë vetëm me dokumentacion të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, për ata të papërgjegjshmit të cilët vazhdojnë të shkojnë dhe paguajnë në Ranillug, gjegjësisht në zyrën e strukturave paralele, ne kemi autorizuar edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, që në rast të gjetjes se ndonjë dokumenti të tillë, të prezantojnë edhe gjobat për subjektet dhe bizneset që bëjnë një punë të tillë”, thotë Kusari- Lila.

Edhe Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se të gjitha maunet me mallra nga Kosovë, në Serbi kalojnë vetëm me dokumente të lëshuara nga Doganat e Kosovës.

Ai ndërkaq tregon se që nga heqja e masave të reciprocitetit, me 16 shtator, mbi 1600 kamionë serbë, kanë hyrë në territorin e Kosovës, përderisa në Serbi kanë kaluar afër 30 maune të bizneseve kosovare.

Maunet kosovare pas datës 22 shtator, të gjitha janë duke kaluar me dokumente të cilat i lëshon Dogana e Kosovës.
Maunet kosovare pas datës 22 shtator, të gjitha janë duke kaluar me dokumente të cilat i lëshon Dogana e Kosovës. Të gjitha kompanitë të cilat kanë ardhur për të bërë eksport, i kanë marrë dokumentet në Doganat e Kosovës dhe me ato dokumente kanë vazhduar. Ne kemi marrë edhe konfirmimin edhe prej kompanive, dhe kemi kërkuar nga to, që dokumentet unike doganore të na kthejnë”, shprehet Stavileci.

Një ndër kompanitë kosovare që ka eksportuar mall në Serbi, është “Fluidi” nga Gjilani.

Berat Mustafa, menaxher në këtë ndërmarrje, tregon se menjëherë pas shfuqizimit të reciprocitetit nga Qeveria e Kosovës, ka bërë përpjekje që të eksportojë në Serbi, por kjo ishte pamundësuar për shkak se Doganat e Serbisë kanë kërkuar dokumente të strukturave paralele.

Ndërsa, pas tri ditësh, thotë Mustafa, kompania ku ai punon, mallin në Serbi e ka dërguar vetëm me dokumente të Republikës se Kosovës.

Fillimisht është kërkuar të merren dokumente të strukturave paralele, por pas presionit të qeverisë dhe Bashkimit Evropian, kamioni ka kaluar në mënyrë të rregullt, vetëm me dokumente të Doganave të Kosovës”, shpjegon Mustafa.

Në anën tjetër, përfaqësues të komunitetit të biznesit, thonë se subjektet ekonomike nuk duhet të pajisen më dokumente të strukturave paralele.

Megjithatë, Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, dyshon për procedurat e kërkuara në Doganat e Serbisë.

Dokumentacionet e Kosovës, të cilat merren në institucionet e Kosovës, ato janë përgjegjës vetëm deri sa të dalin nga Kosova, kurse në pjesën tjetër( Doganat e Serbisë) ne nuk kemi qasje. Por, kjo le të mbetet në ndërgjegjen e eksportuesve, e që nuk dëshiroj të spekuloj, se pas gjitha këtyre, dikush ende punon me strukturat paralele”, shprehet Shahini.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, me 20 korrik, vendosi masa të plota reciproke ndaj produkteve serbe, masa këto që u ndërprenë më 16 shtator.
XS
SM
MD
LG