Ndërlidhjet

BE e SHBA mbështesin palën kosovare


Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin, edhe në vazhdim, qeverinë e Kosovës për vendosjen e kontrollit kufitar dhe doganor në pjesën veriore te vendit, njoftoi zyra për informim e qeverisë së Kosovës.

Komunikata për media jep detaje për takimin e zhvilluar në mes të ndërmjetësit të BE-së për dialogun teknik në mes të Kosovës dhe Serbisë, Robert Kuper, ndihmësit kryesor të nënsekretarit të SHBA-ve, Filip Riker, dhe shefes së delegacionit kosovar, Edita Tahiri.

“Në këtë takim u konstatua se ky raund i dialogut u anulua me fajin e palës serbe, e cila u tërhoq nga dialogu pas dështimit për të imponuar bisedat për çështjen e pikave doganore, duke shkelur më këtë rast obligimet e marra nga Rezoluta e AP të OKB-së për dialogun dhe parimet evropiane”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, thuhet se ka shtruar për diskutim çështjen e ngecjeve në implementimin e marrëveshjeve të arritura, ndërsa ka dorëzuar raportin zyrtar të qeverisë së Kosovës për situatën e implementimit.

Ajo theksoi se pala e Kosovës ka qenë dhe mbetet e angazhuar për suksesin e dialogut teknik, por konsideron se çelësi i suksesit të dialogut është implementimi i marrëveshjeve.

“Delegacioni i Kosovës potencoi në mënyrë të veçantë se çështja e implementimit të marrëveshjeve duhet të shoqërohet me një sistem masash detyruese për palët në dialog, ku do të precizohen afatet kohore si dhe masat e stimulimeve dhe ndëshkimeve për palët në rrugën e përparimit drejt BE-së. Një qasje e tillë do ta fuqizoj dialogun si dhe do ti bëjë të pamundura pengesat dhe obstrukcionet e palës Serbe ndaj dialogut”, thuhet poashtu në komunikatë.

Mësohet se në takimin me Kuperin dhe Rikerin, pala kosovare të ketë kërkuar që Kosova- për "arritjet e saja" në dialog të ketë marrëdhënie kontraktuale me BE-në.
XS
SM
MD
LG