Ndërlidhjet

logo-print

Raportet SHBA - Pakistan të ndjeshme

  • RFE /RL

Zalmaj Halilzad

Zalmaj Halilzad

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish i dërguari amerikan Zalmaj Halilzad, parasheh rritje të presionit amerikan kundër Pakistanit. Si thekson se do të ketë operacione amerikane brenda Pakistanit.

RADIOP EVROPA E LIRË
Shumë afganë të zakonshëm besojnë se Shtetet e Bashkuara nuk flasin hapur me Pakistanin, sa u përket çështjeve të ndërlidhura me stabilitetin dhe paqen në Afganistan? Çka mund të thoni për këtë çështje?

ZALMAJ HALILZAD
Me të vërtetë kanë ekzistuar disa probleme në politikën e Shteteve të Bashkuara ndaj Pakistanit, por kjo politikë tash po ndryshon. Jam ankuar për këtë në të kaluarën. Në njërën anë, Shteteve të Bashkuara u duhet bashkëpunimi i Pakistanit në sigurimin e rrugëve të furnizimit për trupat e saj në Afganistan dhe për luftën kundër al-Kaidës, derisa shumë liderë dhe elemente të larta të al-Kaidës, ishin në Pakistan.

Shqetësimet për të ardhmen e vetë Pakistanit ishin, po ashtu, ndër arsyet e bashkëpunimit të Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit. Njëherësh, ka pasur mospajtime ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit për çështjen e Afganistanit. Në këtë aspekt, Uashingtoni ka bërë presion ndaj Islamabadit. Por, politika e “miqësisë dhe e presionit” nuk ka funksionuar. Pakistani ishte edhe mik, por edhe armik i Shteteve të Bashkuara.

Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve po bëhen gjithnjë e më të komplikuara, komandanti i lartë i forcave amerikane, admirali Majk Mallen, i ka akuzuar shërbimet e sigurimit të Pakistanit se ishin të përfshira në sulmet e rrjetit Hakani kundër Ambasadës amerikane dhe ndërtesave të NATO-s në Kabul. Kjo e ka hapur një periudhë shumë të ndjeshme në marrëdhëniet Shtetet e Bashkuara – Pakistani, por megjithatë pres rritje të presionit ndaj Islamabadit nga Shtetet e Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa larg mund të shkoj ky presion ndaj Pakistanit? Disa ekspertë në rajon parashikojnë operacione të shkallës së gjerë ushtarake dhe të sigurisë nga forcat e SHBA-ve kundër militantëve brenda territorit të Paksitanit. Çka mendoni ju për këtë?

ZALMAJ HALILZAD
Mendoj se do të ketë presion ekonomik, siç është reduktimi i ndihmës financiare ose dhënia e ndihmës me parakushte, duke kërkuar që Pakistani ta demonstroj gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar para se ta marrë ndihmën. Sa u përket operacioneve ushtarake, besoj se do të ketë më tepër aksione të tilla.

Pakistani ka thënë se nuk e pranon hyrjen e trupave të Shteteve të bashkuara në territorin e vet. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara mund t’i përdorin aeroplanët ushtarakë dhe aeroplanët pa ekuipazh, për t’i sulmuar ato qendra që përgatisin sulme të militantëve në Afganistan.

Nëse Pakistani nuk e ndryshon politikën e tij, marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit do të bëhen gjithnjë e më të vështira dhe më të komplikuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Afganistan, gjatë muajve të fundit, situata po përkeqësohet. Disa sulme madhore dhe sulme vetëvrasëse me bomba kanë ndodhur në Kabul dhe pjesë të tjera. Çka duhet të bëjnë liderët afganë për ta forcuar sigurinë në këtë vend?

ZALMAJ HALILZAD
Me këto sulme, talibanët dëshiruan të krijonin kaos në Afganistan dhe ata synonin t’i tregojnë popullit afgan dhe botës, se qeveria e Afganistanit bile nuk ka kapacitet për t’i mbrojtur liderët e vet të rëndësishëm. Është shumë e rëndësishme për qeverinë afgane të demonstroj se është e aftë ta bëjë punën e vet dhe ta përmirësoj funksionimin.

Arritja e sigurisë në gjithë vendin është direkt e lidhur me sundimin e Ligjit në vend. Kjo ende duhet të arrihet. Qeveria e Afganistanit duhet të punoj drejt implementimit të sundimit të ligjit, luftimit të korrupsionit dhe krijimit të sigurisë. Duke pasur parasysh realitetin në terren, kjo mund të marrë kohë. (f. b.)
XS
SM
MD
LG