Ndërlidhjet

Dështim i taktikave serbe



Dështimin e dialogut në Bruksel, Prishtina e sheh si një demaskim që i është bërë politikës së Beogradit, që sipas zyrtarëve kosovarë përmes krijimit të situatave konfliktuoze në veri, synonte arritjen e caqeve politike.

Këshilltari politik i kryeministrit, Dukagjin Gorani thotë se pala kosovare është e gatshme sërish që të vazhdojë dialogun, edhe pse sipas tij, ai u ndërpre përmes një politike destruktive.

Struktura të izoluara kriminale që kanë po ashtu bashkëpunim të ngushtë me strukturat qeveritare në Serbi, të cilat janë përpjekur që përmes trazirave në veri të arrihen disa caqe politike e njëri nga to është krijimi i një situate të konfliktit i cili, sipas tyre do të mund të shpinte deri te ndryshimi i diskutimeve që do të mbaheshin në Bruksel. Kjo taktikë, e cila ka qenë jashtëzakonisht naive është identifikuar edhe nga Brukseli edhe nga partnerët në Uashington dhe i është dhënë fund i qartë nga deklarimet apo përmes deklarimeve nga Brukseli e Uashingtoni”, i tha Radios Evropa e Lirë, Dukagjin Gorani.

Raundi i shtatë i dialogut teknik mes Prishtinës dhe Beogradit u anulua dje, pasi që as BE-ja dhe as SHBA-të, si ndërmjetëse në këtë dialog, nuk pranuan kërkesën e Serbisë që të flitej për gjendjen e krijuar në portat kufitare në veri.

Deputeti i partisë më të madhe opozitare, Arben Gashi thotë se LDK-ja ka paralajmëruar se nuk do ketë sukses në këtë dialog, për shkak të siç thotë ai joseriozitetit të palës serbe.

Ne kemi pasur dyshimet tona se do të vijmë në këtë pikë shumë shpejt dhe se kjo pikë mund të jetë e rrezikshme për stabilitetin politik për të dyja vendet.
Ne kemi pasur dyshimet tona se do të vijmë në këtë pikë shumë shpejt dhe se kjo pikë mund të jetë e rrezikshme për stabilitetin politik për të dyja vendet. Do të duhej më herët të mendohet se çka do të ndodhë me Serbinë në këtë pikë. Nuk duhet të rifillojë dialogu pa i pasur të qarta pozicionet, pa i pasur të qartë platformën destinacionin dhe finalen”, i tha Radios Evropa e Lirë, deputeti Gashi.

Politika e Beogradit nuk kritikohet vetëm nga zyrtarët shqiptarë. Deputetja serbe në Kuvendin e Kosovës, Rada Trajkoviq, nuk sheh ndonjë arsye serioze për ndërprerjen e bisedimeve.

Ajo thotë se problemi i Serbisë është që nuk ka fare politikë apo strategji, e cila do të parashihte të gjitha rreziqet që mund të dilnin gjatë dialogut.

Në momentin kur dikush nga Beograd i thërret serbët që të dalin në barrikada, atëherë ai ka varrosur politikën e deriatëhershme. Gjithsesi se duhet një politikë krejtësisht e re, sepse kur banorët dalin nga vendet e tyre të punës, prej institucioneve në barrikada, kjo është shenja më e mirë dhe mesazhi i qartë që politika e tyre ka dështuar. Pres që Beogradi do të jetë përgjegjës ndaj të gjithë serbëve në Kosovë, posaçërisht ndaj atyre që si obligim pune e kanë edhe qëndrimin në barrikada, ruajtjen e tyre, hapjen e rrugëve alternative, të gjitha këto që nuk çojnë askund”, tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Rada Trajkoviq.

Gjendja e krijuar në veri diktoi rrjedhën e raundit të shtatë të dialogut. Qeveria e Kosovës me ndihmën e EULEX-it dhe KFOR-it, që nga 16 shtatori ka vendosur doganierët dhe policët në pikat kufitare.

Por, ky veprim u pasua me përforcimin e barrikadave të serbëve.

Ndërkaq ditë më parë, në përpjekje për lirimin e rrugëve, janë plagosur katër ushtarë të KFOR-it si dhe disa serbë.

Dukagjin Gorani mendon se pas dështimit të futjes së veriut në kuadër të dialogut në Bruksel, gjendja në veri do të shkojë kah normalizimi.

Besoj se çfarëdo përpjekje kriminale në veri që ka për qëllim destabilizimin e situatës do të shkojë duke u bërë më e vogël dhe më e pafuqishme me kalimin e çdo dite. Radikalizimi i mëtejmë i situatës në fund do t’i shkojë në dëm të plotë Qeverisë në Beograd. Jam i bindur që edhe Qeveria në Beograd tash pasi që e ka pa gabimin dhe pamundësinë e realizmit të caqeve të veta përmes kësaj taktike, tash është e angazhuar në përmirësimin e situatës në veri, sepse nga kjo qartazi nuk ka ndonjë përfitim politik”, tha Gorani.

Dialogu Prishtinë-Beograd ka nisur në muajin mars të këtij viti.Deri më tani janë arritur 5 marrëveshje, por Serbia po ngec në zbatimin e tyre. Nuk dihet se kur do të rifillojë raundi tjetër i bisedimeve Prishtinë-Beograd.
XS
SM
MD
LG