Ndërlidhjet

Rritja në 7 deri në 8 për qind, e paarritshme


Ilustrim
Ilustrim

Përfaqësues të organizatave ekonomike në vend dhe njohës të çështjeve ekonomike, thonë se institucionet e Kosovës vazhdimisht parashohin rritje ekonomike më të lartë se sa që mund ta realizojnë.

Sipas tyre, rritja ekonomike 7 deri në 8 për qind për vitin 2012 është e paarritshme. Ata kujtojnë vitin e kaluar kur ishte thënë nga Qeveria e Kosovës se do të realizohet rritje ekonomike deri në 7 për qind, ndërkaq ishte realizuar vetëm 4.6 për qind.

Sa i përket normës së rritjes ekonomike, ajo çfarë është planifikuar nga Qeveria e Kosovës do të jetë e vështirë të realizohet. Dëshirat janë tjera, mirëpo duhet shikuar realitetin dhe besoj që me këtë trend të zhvillimit është vështirë të arrihet kjo rritje. Ekziston një urgjencë në lidhje me reformat që duhet të bëhen në transformimin e parasë publike dhe përmirësimit të ambientit biznesor në Kosovë”, shprehet kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Lekë Musa.

Ndërkohë, sipas një raporti të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova është radhitur e treta në Evropë për nga përqindja e rritjes ekonomike.

Ky raport tregon se rritja ekonomike gjatë viti të kaluar ishte 5.39 për qind. Por, Lekë Musa thekson se për një zhvillim të mirëfilltë ekonomik, Kosovës i nevojitet përqindje më e lartë.

Për të arritur një rritje ekonomike 7 – 8 për qind, duhet të kemi një ndryshim sa i përket atraktivitetit të Kosovës tek investitorët e huaj. Kjo mund të arrihet nëse ka një përmirësim të dukshëm të klimës afariste në Kosovë dhe perspektivës për të eksportuar prej Kosovës”, thekson Musa për Radion Evropa e Lirë.

Viti 2012, nga ekspertët e çështjeve ekonomike, është vlerësuar të jetë një vit mjaft i vështirë për Kosovën dhe me sfida të papara deri më tani.

Duke pasur parasysh këtë, Milazim Abazi, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, thotë për Radion Evropa e Lirë se nëse në ekonominë e vendit do të bëheshin reforma, këto vështirësi ekonomike do të kaloheshin shumë lehtë.

Me një lëvizje shumë të lehtë ne mund të kemi një zhvillim më të hovshëm ekonomik.
Unë besoj se me një qasje tjetër ndaj zhvillimit ekonomik, rritja ekonomike mund të jetë dyshifrore, jo 7 – 8 por mund të bëhet 10. Me një lëvizje shumë të lehtë ne mund të kemi një zhvillim më të hovshëm ekonomik”, thekson ai.

Abazi thotë se bashkëpunimi në mes Qeverisë dhe sektorit të biznesit rritë shansin për të krijuar një strategji të zhvillimit ekonomik dhe për të arritur një rritje ekonomike më të lartë se ajo aktuale.

Kosova nuk mund të zhvillohet pa ndonjë rritje dyshifrore. Nëse luftohet ekonomia informale, nëse kemi kontroll të mirë të kufijve, nëse luftohen të gjitha këto dukuri negative, Kosova mund të ketë zhvillim shumë më të mirë ekonomik dhe rritja ekonomike do ta kalonte 10 për qindëshin”, shprehet ai.

Ndryshe, Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar të dhëna që flasin për një rritje ekonomike për vitin 2011 prej 5 për qind.

Këto janë të dhënat e pritshme dhe të përafërta edhe me institucionet tjera dhe parashikimet e FMN-së që flasin për rritje ekonomike prej 5.3 për qind.
XS
SM
MD
LG