Ndërlidhjet

logo-print

Qeveria "shpëton" regjistrimin


Qeveria e Maqedonisë

Qeveria e Maqedonisë

Qeveria e Maqedonisë ka ndërhyrë në momentet e fundit për të shpëtuar procesin e regjistrimit, pasi në orët e pasdites edhe kryetarja e Komisionit Shtetëror të Regjistrimit, Vesna Janevska, ka akuzuar dy partitë politike në pushtet - VMRO DPMNE dhe BDI - se nuk kanë respektuar Ligjin e regjistrimit, duke theksuar se, rrjedhimisht, “është e pakuptimtë të vazhdojë punën aty ku nuk respektohet ligji”.

Pas takimit disaorësh gjatë ditës së sotme, partnerët e koalicionit qeveritar kanë kumtuar se kanë arritur ujdi, për të tejkaluar dallimet sa i përket procedurës dhe kategorive, të cilat do të përfshihen në numërimin e përgjithshëm të popullsisë.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë ka pranuar dorëheqjen e anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Regjistrimit, nënkryetarit dhe kryetares së këtij komisioni, dhe njëherësh ka emëruar anëtarët e rinj”.

“Me këtë rast, në mbledhjen e qeverisë është emëruar Buajar Amani anëtar i komisionit - njëherësh do të kryejë dhe detyrën e nënkryetarit të komisionit. Anëtar tjetër shqiptar është emëruar Artan Grubi. Kryetaren e deritanishme, Vesna Janevska, do ta zëvendësojë Sllobodanka Gievska”,
tha për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Muhamed Hoxha.

Drejtoresha e Entit Shtetëror të Statistikave, Bllagiva Novkovska, tha se janë bërë të gjitha përgatitjet që ky proces të fillojë në kohë dhe pa probleme.

“Jemi të gatshëm për të filluar regjistrimin e popullsisë dhe amvisërisë më 1 tetor, ashtu siç është paraparë me Ligjin për regjistrim të vitit 2011. Unë, si drejtuese e Entit të Statistikave, tashmë kam firmosur dokumentin për të dërguar të gjithë regjistruesit në terren. Pra, e përsëris, në këtë drejtim nuk do të duhej të ketë komplikime", theksoi Novkovska.

Një ditë më parë, Abdylmenaf Bexheti dha dorëheqje të parevokueshme nga funksioni i nënkryetarit të Komisionit Shtetëror për Regjistrim. Dorëheqjen, ai e arsyetoi me dështimin e të gjitha përpjekjeve për të normalizuar procesin e regjistrimit.


Komplikim i situatës?!

Sipas ekspertëve juridikë, është me rëndësi që në Komisionin Shtetëror të Regjistrimit të përfshihen shqiptarët - në të kundërtën, tha Osman Kadriu, procesi i regjistrimit do të dështonte.

“Meqë këtu bëhet fjalë për tërheqjen e anëtarëve të komisionit, të bllokut shqiptar - popullata shqiptare është me një numër të konsiderueshëm në Maqedoni - pa përfshirjen e shqiptarëve në Komision, regjistrimi natyrisht se nuk do të pranohet”, tha Kadriu.

Duke komentuar dorëheqjen e anëtarëve të Komisionit Shtetëror të Regjistrimit, lideri i opozitës shqiptare, Menduh Thaçi, tha se do të komplikohet situata.

“Më vjen mirë që më në fund e kanë kuptuar trikun elementar të Ali Ahmetit që nga viti 2001. Ai i fut njerëzit në zjarr dhe nuk merr përgjegjësi politike”, tha Thaçi.

Edhe Lideri i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Rufi Osmani, dorëheqjen e nënkryetarit Abdylmenaf Bexheti dhe të anëtarëve të tjerë të Komisionit Shtetëror të Regjistrimit, e cilësoi si manifestim të pafuqisë politike të partisë shqiptare në pushtet, për të krijuar kushte të barabarta pune që regjistrimi të realizohet me kushte dhe standarde të duhura.

“Pas kësaj dorëheqjeje të Bexhetit, hapet Kutia e Pandorës, e manipulimit të regjistrimit nga përfaqësuesit e partive politike, të cilët qeverisin vendin”, tha Rufi Osmani.

Qeveria, në mbledhjen e saj të fundit, ka sjellë disa konkludime plotësuese sa i përket procesit të regjistrimit, me ç`rast detyrohen të gjithë personat, të cilët janë zgjedhur si regjistrues nga radhët e administratës shtetërore dhe publike, ta respektojnë obligimin ligjor dhe të marrin pjesë në regjistrim; udhëheqësit e institucioneve detyrohen që t'i lirojnë këta persona nga obligimet rrjedhëse të punës, gjithashtu siç parasheh ligji në fjalë.
XS
SM
MD
LG