Ndërlidhjet

logo-print
Menaxhimi i parasë publike në Kosovë, nga autoritetet kosovare është duke u bërë në mënyrë joprofesionale, vlerësojnë njohës të çështjeve ekonomike në Prishtinë.

Ata thonë se nga mosmenaxhimi i mirë i financave publike, Kosova rrezikon të marrë kredi nga mekanizmat ndërkombëtarë financiarë.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Musa Limani, thotë se menaxhimi i këtyre mjeteve bëhet pa ndonjë projekt konkret për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ai thotë se Kosova ka pasur probleme në menaxhimin e parave publike për vite të tëra.

”Zhvillimi ekonomik i një vendi varet kryesisht nga faktorët subjektivë dhe materialë. Faktori material është faktori kryesor në aspektin financiar të zhvillimit ekonomik në Kosovë”.

“Ne nuk kemi mundësi të bëjmë akumulim apo të kemi investime të konsiderueshme për të zhvilluar ekonominë e vendit, por duhet të kërkojmë burime të tjera të investimeve, me kushte të volitshme, e që janë institucionet financiare ndërkombëtare, si: Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar
”, thekson Limani.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar shtrëngimin e procedurave për dhënien e kredive, sidomos për vendet që kanë vështirësi dhe boshllëqe në menaxhimin e financave publike.

Por, sidoqoftë, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, Kosova nuk do të preket nga kjo, pasi ajo ka përkeqësuar marrëdhëniet me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe aktualisht nuk ka qasje në kreditë e FMN-së.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Alban Hashani, shpjegon:

”Kjo nuk do të thotë që Kosova nuk do të fitojë statusin ‘stand by’, ku lejohet asistenca financiare. Çdo shtrëngim i kreditimit nga FMN-ja do të ndikonte edhe në Kosovë, por kjo nuk do të kishte pasoja, pasi Kosova nuk e ka një status që do të mund të merrte asistencë financiare nga FMN-ja”.

Nëse Kosova nuk do të ketë menaxhim të duhur të financave publike, Hashani parasheh probleme në marrjen e kredive nga të gjithë mekanizmat tjerë ndërkombëtarë financiarë.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani, thotë se nga situata e krijuar në Bashkimin Evropian, sa i përket krizës ekonomike globale, nuk pritet ndonjë përmirësim i rrjedhave financiare.

Ai thotë se Kosova, nga mosmenaxhimi i duhur i financave publike, në fund të këtij viti do të këtë probleme të mëdha financiare.

“Menaxhimi i financave publike bëhet në mënyrë të padrejtë. Zhvillimi ekonomik mbetet shumë prapa, për shkak të mosmenaxhimit të drejtë dhe mungesës së projekteve konkrete”, thotë Limani.

Autoritetet kosovare në vazhdimësi kanë potencuar se janë duke punuar për të krijuar kapacitete profesionale për menaxhim efikas, transparent dhe me kontroll të rreptë - sipas standardeve evropiane të financave publike.

Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, thotë se për përmirësimin e menaxhimit, kontrollit dhe llogaridhënies publike në Kosovë, së fundmi janë certifikuar 32 auditorë të brendshëm të sektorit publik.

“Kosova është shteti i parë në rajon që implementon këtë projekt për certifikimin ndërkombëtar të auditorëve të brendshëm, i cili do të ndikojë në ngritjen dhe funksionimin sa më të mirë të kontrollit të brendshëm të financave publike”, thotë Shahini.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG