Ndërlidhjet

OKB e shqetësuar për mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë


Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka shprehur shqetësimin për mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë, pas vdekjes së Agim Zogajt – dëshmitarit X në rastin Kleçka.

“Përderisa arsyet e sakta të vetëvrasjes së tij të dyshuar është vështirë të konstatohen, ky rast i shton shqetësimet tona në lidhje me mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë”, ka thënë Rupert Kollvill, zëdhënës i Komisionarit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

“Ne bëjmë thirrje për krijimin e një sistemi efektiv dhe të pavarur për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave në Kosovë. Vetëm një i tillë do të sillte drejtësi për viktimat dhe do t’i jepte fund mosndëshkimit të dhunës”, ka thënë ai.

Agim Zogaj ishte dëshmitari kryesor në rastin “Kleçka”, ku është i përfshirë edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj.

Ky i fundit dhe nëntë persona të tjerë akuzohen “për krime lufte kundër popullatës civile dhe robërve të luftës, në fshatin Kleçkë”.
XS
SM
MD
LG