Ndërlidhjet

Serbia, në konflikt me tërë botën

  • RFE /RL

Presidenti serb, Boris Tadiq.

Presidenti serb, Boris Tadiq.

Pasi që Serbia ka ndërprerë dialogun me Kosovën, ndërsa Bashkimi Evropian ka refuzuar kërkesën që para së të vazhdohet me dialog, të flitet për situatën në veri, vetë zyrtarët e Beogradit pranojnë se janë gjetur në një rrugë qorre. Por, ata nuk lëvizin nga qëndrimi që në tavolinë të shtrohet çështja e pikave kufitare.

Edhe pse janë të vetëdijshëm se kjo vështirë se do të kalojë, nga Beogradi paralajmërojnë se edhe në ditët e ardhshme do të vazhdojnë me misionet diplomatike, me qëllim që të jetësojnë kërkesën për bisedime për pikat kufitare në veriun e Kosovës - çështje kjo që Prishtina, BE-ja dhe SHBA-ja e konsiderojnë të mbyllur.

Mesazheve të ashpra në adresë të bashkësisë ndërkombëtare, që po dëgjohen ditët e fundit, i është bashkuar edhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq.

“Ashtu sikur ne që nuk kemi mundur me dhunë t’i shtyjmë shqiptarët të jetojnë me serbët, asnjë lloj dhune nuk do t’i shtyjë serbët që të jetojnë në Kosovën e pavarur. I tërë populli serb nuk dëshiron të jetojë në Kosovën e pavarur dhe pikë”, ka thënë Daçiq.

Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian, Robert Kuper, arrin në fillim të javës së ardhshme në Beograd. Me një qëndrim të qartë që kërkesa e Serbisë për bisedimet mbi pikat kufitare në veri nuk do të plotësohet, Kuper do të mundohet t’i bindë zyrtarët serbë të vazhdojnë dialogun me Kosovën.

“Do të shkoj personalisht në Beograd dhe në Prishtinë, në mënyrë që sa më parë të organizoj takimin e ri dhe dialogun”, ka thënë Kuper.

Edhe pse ka deklaruar se dialogu duhet të vazhdojë, shefi i ekipit serb të bisedimeve, Borisllav Stefanoviq, megjithatë ka theksuar se kjo nuk do të jetë tema e vetme.

“Para së gjithash do të bisedojmë se si ta zgjidhim këtë krizë akute dhe të gjejmë modalitetet që do të jenë të pranueshme për të gjithë”, ka thënë Stefanoviq.

Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, ka përsëritur se nuk mund të flitet për energjinë elektrike dhe telekomunikacionin, derisa nuk gjendet zgjidhja për shtensionimin e situatës në veri.

Në të njëjtën kohë, ai u ka bërë thirrje serbëve që të qëndrojnë në barrikada dhe “të protestojnë në mënyrë të qetë”.

“Nuk do të isha pajtuar me atë që Beogradi ka refuzuar dialogun. Ne kemi insistuar në temën që është e pashmangshme, para se të flitet për çështjet teknike. Ndoshta jemi gjetur para aktit të kryer, por edhe më tutje jemi për dialog”.

“Duhet biseduar për kalimet kufitare, sepse kjo gjendje është e papranueshme. Pa marrë parasysh qëndrimin e Brukselit, besoj se në javën e ardhshme do të kemi një situatë të qartë dhe do të bisedojmë për këto gjëra”,
ka thënë Bogdanoviq.

KFOR-i dhe EULEX-i, me ndihmën e shteteve më të fuqishme ndërkombëtare, këtë temë e kanë mbyllur me një qëndrim të qartë - ‘pas incidenteve në Jarinë qëndrojnë ekstremistët serbë dhe ato barrikada duhet të hiqen’.

As konsultimet në Këshillin e Sigurimit nuk kanë sjellë rezultatet, të cilat do të ishin të favorshme për Beogradin. Ato përfunduan pa një qëndrim të përbashkët për situatën në veri të Kosovës.

Me politikën e saj, Serbia e ka larguar veten nga bisedimet për të ardhmen e Kosovës dhe mbetjen e serbëve atje, thuhet në partinë opozitare të liberal-demokratëve.

“Serbia nuk ka kurrfarë politike ndaj Kosovës. Thuhet se me këtë mbrohen serbët në Kosovë, ndërsa atje i kanë krijuar dy kategori të serbëve - ata në jug të lumit Ibër, të cilët nuk kanë të drejtë për asgjë, dhe të tjerët janë ata që i mbron Serbia”.

“Nuk është e qartë nëse po i mbrojmë interesat e kriminelëve që atje asfaltojnë rrugët brenda natës. Dhe, çka nënkuptojnë rrugët alternative, përveçse kontrabandë?! Nëse po mbrojmë kontrabandën, atëherë edhe politika nuk është aq e keqe”,
ka thënë Nenad Prokiq nga Partia Liberal-Demokratike.


Serbia po vetizolohet

Nëse nuk dëshiron të shkojë kah vetizolimi, Beogradi zyrtar duhet urgjentisht të ndryshojë politikën, vlerësojnë shumica e analistëve.

Qëndrimi që në tavolinë duhet shtruar për diskutim çështja e kalimeve kufitare dhe mbështetja për serbët në barrikada, heqjen e të cilave e kërkon BE-ja dhe SHBA-ja, nuk është i qëndrueshëm.

“Serbia me këtë hap po vetizolohet. Mendoj se është një kokëfortësi e pabesueshme dhe refuzim i realitetit që edhe publikisht të shpjegohet se EULEX-i, gjatë gjithë kohës, ka pasur mandat për të shtrirë sundimin e ligjit në tërë territorin e Kosovës dhe nuk ka qenë neutral ndaj statusit”.

“EULEX-i, si të gjitha shtetet e BE-së, ka njohur institucionet e Kosovës dhe integritetin e Kosovës”,
është shprehur drejtoresha për studimet euro-atlantike, Jellena Miliq.

Jarinë, 30 shtator 2011.
Një konflikt politik dhe diplomatik me bashkësinë ndërkombëtare, Serbinë, sipas Miliqit, do ta çojë në situatë drastike, ku duhet t’i thotë lamtumirë statusit të kandidatit për në BE.

“Aktualisht jam në Irlandë, ku para këshillit të saj të përbashkët për çështjet e Evropës, kam dëshmuar për kandidaturën e Serbisë. Kam shpresuar se do të jem në situatë që të them se nëse situata në veri nuk përkeqësohet dhe nëse dialogu me Prishtinën vazhdon, Serbia duhet të marrë statusin e kandidatit”.

“Megjithatë, lajmi se Serbia u tërhoq nga dialogu, i cili është thelbësor në pritjet e Komisionit Evropian, flet se situata nuk është e mirë. Në fund të fundit, është jokorrekte ndaj 50 për qind të qytetarëve, të cilët, megjithatë, kanë zgjedhur këtë qeveri mbi bazë të agjendës së saj evropiane”,
ka thënë Miliq.

Nga Brukseli arrijnë paralajmërime se vendimi për datën e fillimit të dialogut me Serbinë do të shtyhet për vitin e ardhshëm, kur Komisioni Evropian do të përgatisë raportin e ri në bazë të vlerësimeve se sa është përmbushur kushti i progresit në raport me Prishtinën.

Refuzimi i dialogut teknik ka vënë në pikëpyetje edhe marrjen e statusit të kandidatit. (a.i.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG