Ndërlidhjet

Pse po copëtohen grupet militante të Pakistanit?

  • RFE /RL

Pamje arkivi nga Pakistani.

Pamje arkivi nga Pakistani.

Një gjë e çuditshme po u ndodh grupeve terroriste në Pakistan. Ato po copëtohen në banda më të vogla.

Është një kohë marramendëse për çdokënd që përpiqet të jetë në hap me grupet militante në Pakistan.

Përgjatë dy vjetëve të kaluar, çdoherë e më shumë, po paraqiten grupe më të vogla. Në momentin kur po dalin në skenë, ato po përqendrohen në sulme shumë më specifike.

Disa nga grupet më të reja, si për shembull “Brigada Azam”, është e specializuar në sulmet e varganëve të kamionëve që transportojnë furnizime për NATO-n nga Pakistani për në Afganistan. Të tjerat, si “Tigrat Aziatikë”, janë të specializuara në rrëmbime. Ndërsa, të tjerat si “Al Kital” (fjala arabe për “luftë”), përqendrohen në vrasjet e shënjestruara.

Bollëku i grupeve të reja nuk është vetëm një ndryshim nga tendenca paraprake e grupeve militante pakistaneze që të formojnë organizata me një ombrellë të gjerë si Tehrik e Taliban Pakistan.

Ky ndryshim u shoqërua edhe me rënien e këtyre strukturave më të gjera, duke e bërë të paqartë se çfarë lloj strukture të komandës kanë grupet e reja.

Gazetari Zia ur Rrehman, njohës i funksionimit të grupeve militante, në një deklaratë për Radio Mashaal shpjegon:

“Përgjatë dy vjetëve të kaluar, janë shfaqur fraksione me emra të ndryshëm, si al Muktar, Punxhabi Taliban dhe Badar Mansor, dhe ka dhjetëra emra të tjerë. Kurdo që bëhet një bastisje nga Departamenti për Hetime Kriminale, zbulohet një grup i ri. Në parim, këto janë fraksionet e organizatave të dikurshme si Tehrik Taliban Pakistan, ose Lashkar Xhangvi ose grupe të tjera xhihadiste”.

Rrehman përmend fraksione të tjera të këtyre organizatave siç janë: Badar Mansor, Al Furkan, Al Muktar, Ak Karoi, Al Azam Brigad, Tigrat Aziatikë, Xhand ul Hafsa, Lashkar el Beluçistan, Punxhabi Muhaxhedin, Xhandullah, Itihad e Muxhahedin Kurasan dhe AL Kital.

Arkiv
Një arsye e copëtimit të grupeve militante mund të jetë presioni i shtuar i forcave të sigurisë.

Gjatë dy vjetëve të kaluar, një aeroplan i telekomanduar vrau kreun e Tehrik e Taliban Pakistanit, Bajtullah Mehsud (2009), ndërsa grupet detare, tokësore dhe ajrore të NAVY-s vranë kreun e Al Kaidas, Osama Bin Laden (2011).

Operacionet e sigurisë së pakistanezëve janë rritur gjithashtu, veçanërisht në Karahi, ku fshihen shumë grupe militante.

Megjithatë, është e vështirë të thuhet se copëtimi i grupeve militante ka qenë një sukses i forcave të sigurisë. Me pakësimin e grupeve militante, po bëhet gjithnjë e më e vështirë të kapen ato.

Një zyrtar i lartë i Departamentit për Hetime Kriminale në Pakistan, Mazhar Mashvani, jep mendimin e tij për këtë çështje:

“Në grupime më të gjera ata mund të lokalizohen shumë lehtë, andaj për shkaqe sigurie, ata sillen si njerëz të zakonshëm, duke ua vështirësuar punën mekanizmave të sundimit të ligjit”.

Shtimi i grupeve më të vogla korrespondon me rritjen e numrit të sulmeve terroriste në Pakistan. Dy vjet më parë, 70 për qind e sulmeve kufizoheshin në zonat fisnore të krahinës Kajber Paktunkva. Sot, sulmet ndodhin gjithandej në Pakistan.

Një arsye tjetër e copëtimit të grupeve militante mund të jetë presioni i tyre financiar. Në vitet e fundit, strategjitë anti-terrorizëm ua kanë vështirësuar mbështetësve të këtyre grupeve transferimin e të hollave nga jashtë vendit.

Analisti i mbrojtjes dhe ish-shef i sigurisë për zonat fisnore në Pakistan, Brigardieri Mahmud Shah, thotë se grupet më të vogla e kanë më të lehtë t’i mbulojnë vetë shpenzimet e tyre.

“Tehrik e Taliban Pakistan është shumë e dobët tani, ndërsa kanë dalë në skenë fraksione që dikur ishin pjesë e saj. Deri më tani, TTP-ja punonte nën Al Kaidën dhe u jepte të holla atyre. Ata mblidhnin po ashtu disa donacione nga shtetet e Gjirit”.

“Por tani, Qeveria pakistaneze dhe shtetet e tjera kanë vënë aq shumë sanksione ndaj tyre, duke zvogëluar mënyrat për marrjen e fondeve”,
thotë ai.

Mirëpo, nëse zvogëlimi i zgjidh disa nga problemet e sigurisë dhe ato të natyrës financiare për grupet militante, ai rrezikon krijimin e problemeve të tjera.

Më parë, grupet ishin të lidhura me hierarkinë komplekse dhe procesin e vendimmarrjes së organizatave më të mëdha. Tani, ato kanë mundësinë dhe thjeshtësinë e veprimeve të veta, por pavarësia që kanë, mund të vështirësojë koordinimin e veprimeve të tyre për të mbetur një front i bashkuar. (e.p.)
XS
SM
MD
LG