Ndërlidhjet

Kosova drejt zgjedhjeve presidenciale


Prishtina...foto nga arkivi
Prishtina...foto nga arkivi

Presidenti apo presidentja e ardhshme e Kosovës pritet të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, dhe atë jo më larg se gjashtë muaj pas miratimit të amendamenteve në Kushtetutën e Kosovës.

Komisioni parlamentar për amendamentim të Kushtetutës, në harmoni me Rezolutën e Parlamentit dhe marrëveshjen në mes liderëve politikë, pritet të propozojë miratimin e një amendamenti në dispozitat kalimtare, i cili do të sanksionojë që krahas ndryshimeve kushtetuese, Kuvendi të miratojë edhe këtë amendament me të cilin në fakt Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme presidenciale.

Anëtarja e Komisionit për amandamentim të Kushtetutës, Vjosa Osmani, deputete e LDK-së, konfirmon se ka pasur konsultime edhe me ekspertë ndërkombëtarë dhe është gjetur zgjidhja ligjore në lidhje me zgjedhjet e parakohshme presidenciale.

Ne do të propozojmë një amendament në Kushtetutë i cili thotë që nga data e miratimit të këtyre amendamenteve kushtetuese shpallen zgjedhjet presidenciale brenda 6 muajve, ashtu siç është paraparë në marrëveshjen politike”, thotë Osmani.

Bazuar në afatet e miratuara nga Kuvendi, mund të pritet që zgjedhjet presidenciale, të parat në Kosovë, të mbahen në verën apo vjeshtën e vitit 2012.

Mirëpo, këto zgjidhje kushtetuese që po propozon Komisioni për amandamentim dhe efektet që do t’i kenë ato për mandatin e presidentes aktuale të Kosovës, Atifete Jahjaga, shihen si jo të drejta nga profesori i çështjeve kushtetuese juridike, Riza Smaka.

Ai thotë se ndryshimet kushtetuese duhet të kenë efekte për mandatin e presidentit të ardhshëm dhe jo për mandatin aktual.

Ajo (presidentja Jahjaga) është zgjedhur me procedurë të përcaktuar me Kushtetutë për mandatin pesë vjeçar dhe absolutisht nuk i referohen këto ndryshime kushtetuese statusit të presidentes. Këto mund t’i referohen kujtdo pas mandatit të saj pesë vjeçar”, thekson Smaka.

Deri në finalizimin e propozim amendamenteve dhe miratimin e tyre në Kuvend, pritet që qëndrimet e tyre t’i paraqesin edhe partitë politike.

Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, mendon se ndryshimet kushtetuese mund të prodhojnë efekte për presidentin e ardhshëm, përveç nëse do të ketë paraprakisht një konsensus politik në vend.

Vetëm nëse ka konsensus të përgjithshëm për ndërprerjen e mandatit të tashëm, atëherë kjo mund të arrihet.
Vetëm nëse ka konsensus të përgjithshëm për ndërprerjen e mandatit të tashëm, atëherë kjo mund të arrihet. Përndryshe, ndryshimet që bëhen nuk mund të jenë retroaktive, pra nuk mund ta rrëzojnë mandatin e tashëm”, thekson Ramadani.

Në anën tjetër, deputetja Vjosa Osmani prezanton edhe disa ndryshime për postin e presidentit pas amandamentimeve që pritet të finalizohen në Kuvend.

Presidenti apo presidentja e ardhshme nuk do të mund të jetë anëtar i asnjë partie politike nga dita e zgjedhjes dhe nuk do të mund të bartë asnjë funksion tjetër publik, thotë ajo.

Komisioni ka vendosur me konsensus që kandidatët të mund të propozohen nga subjektet politike parlamentare apo edhe nga iniciativat qytetare kur i mbledhin 15 mijë nënshkrime. Një çështje tjetër që po debatohet në Komision është nëse edhe partive politike duhet caktuar si parakusht mbledhjen e nënshkrimeve. Pas kandidimit e kemi procesin e mbajtjes së zgjedhjeve, jemi pajtuar që të jetë në dy raunde përveç nëse qysh në raundin e parë njëri nga kandidatët merr 50 për qind plus të votave”, thotë Osmani.

Kandidatët e ardhshëm për president duhet të kenë moshën mbi 35 vjeç si dhe të kenë qenë banorë- shtetas të Kosovës pesë vjet rresht gjatë dhjetë viteve të fundit.

Sa i përket dyshtetësisë, ka dy alternativa. E para që pas zgjedhjes, presidenti të heq dorë nga shtetësia tjetër dhe opsioni i dytë që presidenti të mund t’i ketë dy shtetësi.

Po ashtu, me dy opsione ka mbetur edhe çështja e zëvendëspresidentit, nëse duhet të ketë apo jo.

Të gjitha zgjidhjet me dy opsione është vendosur që të mbeten ashtu derisa të përfundojë debati me qytetarë dhe më pas ato do të trajtohen edhe nga partitë politike deri në harmonizimin e plotë, para se të propozohen për miratim në Kuvendin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG