Ndërlidhjet

Autoritetet kosovare thonë se janë në pritje të rikthimit të preferencave tregtare të cilat i vendos Bashkimi Evropian.

Ata konfirmojnë se janë njoftuar se rikthimi i këtyre preferencave është shtyrë për çështje procedurale, dhe nuk ka të bëjë asgjë me zhvillimet politik në vend.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherazi ministre e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari - Lila, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë në pritje të rikthimit të preferencave tregtare të Bashkimit Evropian.

Disa herë na është konfirmuar se shtatori është afati kur do të kthehen preferencat tregtare të Bashkimin Evropian, por tash së fundi, javën e kaluar e kemi marrë konfirmimin se është shtyrë për shkak të çështjeve procedurale dhe nuk ka të bëjë asgjë me procesin gjegjësisht me rrjedhat politike në Kosovë, por ka të bëjë më një procedurë të Parlamentit Evropian”, thekson Kusari - Lila.

Sidoqoftë, Kusari – Lila bën të ditur se institucionet e BE-së po mundohen që përmes Komisionit Evropian të arrijnë një konsensus që së shpejti kjo çështje të zgjidhet, por nuk është më çështje e cila rëndon dhe pret aktivitet nga institucionet e Kosovës.

Ndryshe, që nga fillimi i këtij viti, Kosova nuk i gëzon preferencat tregtare, të cilat i vendos Bashkimi Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Autoritetet kosovare patën deklaruar se Kosova nuk gëzon këto preferenca si rrjedhojë e një problemi politik, “i cili është iniciuar prej vullnetit të mirë të shteteve mike të Kosovës” për të ndërruar emërtimin e Kosovës, gjegjësisht jo të jetë e thirrur si Kosovë sipas rezolutës 12 44, por të jetë e thirrur si Kosovë pa ndonjë paragjykim ndaj statusit.

Ndërkohë, tërheqja e këtyre preferencave tregtare për Kosovën kanë shënuar humbje të mëdha ekonomike në vend.

Po natyrisht ka humbje, nuk jemi te sigurt për vlerën e saktë, por përveç humbjeve aktuale që mund të jenë, janë humbjet si kostoja oportune, që do të thotë shumë biznese kanë humbur shansin e kompanive kosovare në tregun evropian”, shprehet Kusari - Lila.

Një ndër bizneset e shumta të cilat kanë pësuar nga mos vazhdimi i preferencave tregtare është Vreshtaria dhe Veraria “Stone Castle” në Rahovec.

Menaxheri i kësaj kompanie, Shani Mullabazi, thotë për Radion Evropa e Lirë se humbjet në këtë kompani janë shumë të mëdha.

Kjo biznesit tonë i shkakton dëme të mëdha dhe nëse nuk bëhet zgjidhje e shpjet, ne jemi të detyruar që të gjithë blerësve tanë në Evropë t’ia kthejmë pagesat e doganave që ato i kanë bërë gjatë blerjes së verës sonë, dhe kjo nuk është vlerë e vogël, dhe e gjithë kjo do të na shkaktojë dëme të mëdha në afarizmin tonë”, thekson ai.

Produktet kosovare që nga fillimi i këtij viti nuk mund të eksportohen në vendet e Bashkimit Evropian, pa iu nënshtruar tarifave doganore apo kufizimeve për sasitë.

Shani Mullabazi kërkon nga institucionet e Kosovës që të marrin hapa konkret në rikthimin e këtyre preferencave tregtare.

Duhet një angazhim shumë më i madh i njerëzve kompetentë, dhe kjo marrëveshje të rikthehet sepse Kosova ka eksport shumë të vogël, dhe nëse nuk ka masa për mbështetje normale të konkurrueshmërisë në treg, eksporti i Kosovës do të shuhet në tërësi”, thekson Mullabazi.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG