Ndërlidhjet

Fillon procesi i regjistrimit


Ilustrim
Ilustrim
Enti Shtetëror i Statistikave ka bërë të ditur se nga ora 8 në mëngjesin e së shtunës ka filluar dhe vazhdon të zhvillohet pa probleme procesi i regjistrimit në Maqedoni.
16 mijë regjistrues, prej të cilëve 4 mijë janë shqiptarë kanë dalë në terren për të realizuar procesin 15 ditësh të regjistrimit.

Regjistrimit ka filluar sot dhe do të realizohet deri më 15 tetor të këtij viti. Qëllimi është nga ky proces të sigurohen të dhëna të plota statistikore për numrin e përgjithshëm të popullatës në Maqedoni dhe amvisërisë, për nevojat e vendit dhe më gjerë”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Entit Shtetëror të Statistikave, Kirill Barnabev.

Nga ana tjetër anëtari i ri i emëruar në Komision Shtetëror të Regjistrimit, Artan Grubi, thotë se në vazhdimësi punohet për t`u eliminuar të gjitha pengesat teknike dhe ato administrative, që procesi i regjistrimit të jetë konform standardeve të Eurostatit.

Me vullnet të mirë politik si dhe me vullnet të mirë të të gjithë anëtarëve të Komisionit Shtetërorë të Regjistrimit, besojmë se i gjithë ky proces do të ketë një mbarëvajtje ashtu siç dëshirojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë. Uroj që të gjithë të vetëdijesohen në këto momente të rëndësishme, ngase bëhet fjalë për një proces jetik, për proceset politike në vend dhe në veçanti për komunitetin shqiptarë ka një rëndësi të veçantë, ngase të drejtat e shqiptarëve varen nga numri i përgjithshëm i shqiptarëve në Maqedoni, ashtu siç është e sanksionuar në Marrëveshjen e Ohrit dhe ndryshimet e fundit kushtetuese” thekson Grubi.

Grubi shtoi se po bëhet angazhimi maksimal i të gjitha organeve kompetente që në procesin e regjistrimit, brenda pesëmbëdhjetë ditëve të përfshihen të gjithë qytetarët e Maqedonisë, në të kundërtën lihet e hapur mundësia që ky proces të vazhdohet edhe për disa ditë.

Kjo bëhet për arsye që të mund t`i kompensojmë të gjitha ata lëshime të vogla, të pranishme në të kaluarën, dhe tani përpiqemi t’i tejkalojmë dita ditës, ora orës, ashtu siç dhe punojmë në KSHR. Po më duhet të theksoj edhe një herë se i bindi qytetarët se të gjitha lëshimet, të gjitha mosmarrëveshjet do të tejkalohen shumë shpejt dhe besoj se me kontributin e qytetarëve dhe të regjistruesve do të kemi sukses në këtë proces shumë të rëndësishëm për Maqedoninë”, shprehet Grubi.

Ndryshe, Seadin Xhaferi ish drejtues i Drejtorisë së Migracionit thekson se mjafton të respektohet ligji dhe mundësia për manipulimin e numrave pothuajse nuk ekziston

Me shumë përgjegjësi e them se edhe institucionet e vendit nuk kanë një pasqyrë të qartë, do të thotë, një numër të saktë të migrantëve tanë, ose siç i quajmë ndryshe, të atyre të cilët gjinden me punë të përkohshme jashtë vendit. Kështu që këto që thuhen nga qarqe të caktuara rreth procesit të regjistrimit nuk janë asgjë veçse manipulime të shumta për interesa të caktuara”, thotë Xhaferi.

Nga ana tjetër, analistja Mirjana Malevska, vlerëson se procesi i regjistrimit duhet të pasqyrojë gjendjen reale të numrit të popullsisë në Maqedoni, dhe assesi të mos shihet si arenë lufte ku njëri etnitet ritet ose etnitet tjetër pakësohet për një ose arsye tjetër.

Sipas Malevskes, nëse ky proces politizohet do të ndikojë negativisht në raportet ndëretnike dhe njëherazi do të kontestohet nga njëra ose pala tjetër që nuk i kontribuon në asnjë mënyrë proceseve demokratike të vendit.

Në këtë situatë është më me rëndësi që të gjithë anëtarët e komisionit të respektojnë rregullativën ligjore të regjistrimit dhe në asnjë mënyrë të mos hynë në interpretimin e të njëjtit, dhe nëse ata rijnë ujdi për këtë, atëherë është mese e sigurt se procesi i regjistrimit do të jetë proces i suksesshëm. Në të kundërtën, do të jetë një proces i cili do të kontestohet nga njëra palë ose pala tjetër, që në fund të fundit do të humbas Maqedonia”, thekson Malevska.

Regjistrimin në Maqedoni vëzhgohet edhe nga përfaqësuesit e Eurostati, të cilët duhet të bëjnë analizë eksperte nëse regjistrimi është zbatuar në pajtim me rekomandimet ndërkombëtare për zbatimin e regjistrimit, të potencuar nga ana e UNECE/Eurostat dhe të pranuar nga ana e Konferencës së Statistikave Evropiane, si parime dhe rekomandime për regjistrim të popullatës dhe amvisërive.
XS
SM
MD
LG