Ndërlidhjet

Arti thyen barrierat etnike


PriFilmFest
PriFilmFest
“Miqësi Përgjithmonë”- me këtë moto festivali i tretë ndërkombëtar i filmit PriFilmFest, synon që të krijojë miqësi me njerëzit e artit pa marrë parasysh se nga cili vend vijnë.

Kosova nuk nënkupton vetëm luftë, ndërsa filmat e shfaqur në festival u ndihmojnë kosovarëve që sërish të lidhen me kinematografinë botërore, thonë organizatorët.

Festivali i sivjetmë është hapur me filmin “Falja e gjakut”, një ko-produksion shqiptaro-amerikan, ndërsa nga 24 shtatori deri më sot, janë shfaqur filma nga shtete të ndryshme të rajonit dhe botës duke u nisur nga Shqipëria, Serbia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, pastaj Franca, Belgjika, Danimarka, Çekia, Polonia, Rumania, Irani dhe të tjerë.

Ndërsa politikanët nga Kosova e Serbia, nuk po mund të ulen në një tavolinë pa ndërmjetës ndërkombëtarë, kjo është fare e lehtë për artistët.

Aktorja e njohur serbe, Mirjana Karanoviq, filmi i së cilës, “Atje dhe Këtu” është dhënë në festival, në një debat në qendër të Prishtinës ka thënë se nuk ka kohë që të presë derisa raportet mes Kosovës dhe Serbisë të përmirësohen. Ajo thotë se ka ndërmend që vetë të bëjë gjëra pozitive.

Unë jetën time nuk dua ta çoj duke pritur kohë më të mira. Nuk mundem, do të plakem, do të vdes. Për këtë dua të bëj gjëra pozitive, dhe për këtë kam ardhur këtu. Po që se pres që të zgjidhet tërë situata politike mes Serbisë dhe Kosovës, do të humbas kohë. Këto janë gjëra të vogla, janë imtësira, por pa imtësira një ditë nuk do të ketë ndryshime të mëdha”, ka thënë ajo.

Drejtoresha e PriFilmFest-it, Vjosa Berisha, thotë se ky festival i jep një pasqyrë pozitive Prishtinës dhe Kosovës, ndërsa nuk sheh arsye se përse politika duhet përzier me kulturën.

Duke u munduar që me relacione kulturore t’i relaksojmë marrëdhëniet mes dy vendeve, mendoj se kemi një rrugë të mirë se si ta njohim më mirë njëri-tjetrin dhe ta kuptojmë më mirë njëri-tjetrin. Ardhja e aktores Mirjana Karanoviq është pritur shumë mirë nga të gjithë aktorët nga të gjithë mysafirët. Ajo është ndarë shumë e kënaqur dhe unë nuk shoh pse duhet që politika të përzihet në të vërtetë në kulturë”, tha Berisha.

Festivalet e tilla ndërkombëtare konsiderohen si një promovim i mirë i shtetit të ri kosovar.

Të hendikepuar në shumë fusha nga pengesat politike, artistët konsiderojnë që të paktën, arti thyen të gjitha barrierat.

Kjo, vihet në pah edhe nga aktori Gedeon Burkhard, që sivjet ishte kryetar i jurisë ndërkombëtare. Ai luajti krahas Bred Pitit në filmin e njohur të Kuentin Tarantinos, Inglorious Bastards.

Ndjehem shumë mirë. Kam kaluar në mënyrë fantastike. Atë që kam parë, është një grup i madh dhe i fortë i njerëzve, që pavarësisht politikës, ndajnë shumë gjëra. Unë e dua energjinë, qytetin, njerëzit. Jam njohur me shumë krijues të filmave, që mundohen të sjellin diçka të mirë. Përveç festivalit, unë pashë një numër të madh të filmave të regjisorëve të rinj, dhe jam shumë entuziast me punën e tyre. Ndërsa sa i përket festivalit, më pëlqen shumë, ky është viti i tretë, ndërsa organizimi është shumë i mirë, dhe pas kësaj qëndron një komunitet i fortë. Mendoj se festivali vetëm sa do rritet. Më vjen mirë që jam pjesë e këtij dhe që më kanë ftuar të marrë pjesë”, Burkhard.

Organizatorët e PriFilmFest-it pavarësisht sfidave të mëdha financiare, shpresojnë se festivali do t’ia dalë që të mbahet edhe në të ardhmen.
XS
SM
MD
LG