Ndërlidhjet

IT: Serbët gropojnë derisa kufiri u përgjak


Forcat e KFOR-it në veri të Kosovës.

Forcat e KFOR-it në veri të Kosovës.


"Irish Times"

Mileva Premoviq dhe fqinjët e saj e kalojnë pasditen nën hije të një druri të madh. Nxehtësia jashtësezonale e bën të vështirë të imagjinohet që malet e Kopaonikut të gjelbër, që ngritën pak kilometra më tutje në Serbi, së shpejti do të jenë të mbuluara me borë të bardhë dhe të mbushura me skiatorë.

Po ashtu, do të jetë vështirë të besohet se vetëm para disa ditësh këtu ishin shkrepur plumba dhe kishte rrjedhur gjaku.

Fushat e afërta ishin djegur nga trazirat aktuale, ndërsa ushtarët e Shteteve të Bashkuara lëviznin me maturi prapa një barrikade të madhe dhe telit me gjemba vezullues.

Ata e tërhiqnin vërejtjen e çdokujt, që i afrohej pozicionit të tyre, megjithëqë ende ishin qindra metra larg, pasi qartazi shiheshin pushkët e tyre.

Ishte frikësuese të shihej se si demonstruesit vraponin, rrëzoheshin në njëri tjetrin për tu larguar”, thotë Mileva Premoviq, për përleshjet e së martës ndërmjet serbëve dhe trupave të NATO-s.

Atje kishte qindra banorë lokalë, të vjetër dhe të rinj dhe unë kam mundur t’i dëgjoj të shtënat”, thotë ajo dhe shton se “nëse amerikanët dëshirojnë të më vrasin mua, atëherë le të vazhdojnë, unë nuk kam ku të shkoj”.

Mileva Premoviq thekson se “kjo gjithnjë ka qenë tokë serbe, këtu kurrë nuk ka pasur shqiptarë”.

Serbët i akuzojnë trupat e NATO-s, e në mënyrë specifike amerikanët, se kanë përdorë municion të vërtetë për ta shpërndarë popullin, që protestonte kundër përpjekjeve të policisë shqiptare të Kosovës, që ta merrte kontrollin e pikave doganore përgjatë kufirit me Serbinë, kufi për të cilin serbët lokalë këmbëngulin se nuk do ta njohin kurrë.

Forca paqeruajtëse KFOR, e udhëhequr nga NATO-ja, thotë se demonstruesit e përplasën një kamion në një pikë kontrolli, u përpoqën ta marrin armën e një ushtari dhe pastaj hodhën bomba gypore të prodhimit shtëpiak dhe kanë shtënë kundër personelit të KFOR-it, duke i detyruar ata që të përgjigjen.

Misioni i Bashkimit Evropian po e heton këtë incident.

Nga dhunën e së martës u plagosën së paku gjashtë serbë dhe katër ushtarë të KFOR-it, u shtua tensioni në pjesën veriore të Kosovës dhe u shkaktua shtyrja e bisedimeve Beograd – Prishtinë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, për zgjidhjen e problemeve praktike, që dolën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Qeveria në Beograd, sikur edhe shumica e serbëve, refuzojnë ta njohin sovranitetin e Kosovës, që prej vitit 1999 e deri në vitin 2008, ishte administruar nga Kombet e Bashkuara, pasi bombardimet e NATO-s i detyruan forcat e Sllobodan Millosheviqit, të tërhiqeshin nga rajoni, duke e ndalur goditjen brutale nga e cila u vranë më se 10 mijë vetë.

Shumë serbë janë larguar nga Kosova, pas luftës së viteve 1998-99 dhe afro 100 mijë serbët e mbetur janë të ndarë ndërmjet rajoneve veriore pothuajse në tërësi serbe, dhe enklavave në jug, ku ata janë të rrethuar nga shumica 90% e shqiptarëve të Kosovës.

Serbët në pjesën veriore refuzojnë ta njohin autoritetin e qeverisë në Prishtinë dhe ende e shohin Beogradin si udhëheqje politike, për mbrojtje dhe për financim.

Me qëllim që ta forcoj kontrollin ndaj pjesës veriore rebele, Prishtina dërgoi njësi speciale policore, për t’i marrë pikat doganore në muajin korrik. Serbët lokalë rezistuan dhe e vranë një polic.

Mospajtimi është rritur dhe përleshjet e fundit u bënë kur trupat e KFOR-it u përpoqën t’i pastrojnë barrikadat e ndërtuara nga serbët, përgjatë rrugëve kryesore lokale dhe për ta bllokuar njërin nga shumë shtigjet, që më parë nuk kishte ekzistuar, që serbët i përdornin për t’iu shmangur pikave zyrtare të kontrollit për të hyrë në Serbi.

Ata që po e bëjnë këtë, po e izolojnë vetveten dhe njerëzit e zakonshëm po vuajnë derisa ata janë pengje të grupeve të ndryshme kriminale dhe ekstremistëve politikë në veri”, tha ministri i brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi.

Kjo është jehonë e pikëpamjes së zakonshme që dëgjohet në Prishtinë se radikalët e dhunshëm dhe grupet kontrabanduese do të humbin më së shumti në luftën doganore.

Serbët këmbëngulin se nuk janë as radikalë e as kukulla të mafias lokale, por patriot që refuzojnë diktat në atdheun e lashtë.

Ne dëshirojmë të mbetemi pjesë e Serbisë”, thotë Sllobodan Radosavleviq, nga Leposaviqi. (f. b.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG