Ndërlidhjet

Është vrarë një klerik radikal i lindur në Amerikë, i cili sipas zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara, ka luajtur “një rol të rëndësishëm” në anëtarësinë e Al Kaidas në Jemen.

Sipas raporteve amerikane, të cilat citojnë zyrtarët e mekanizmave anti-terrorizëm, Anvar al Avlaki- shef i propagandës së Al Kaidas në gjuhën angleze për Gadishullin Arabik, u vra nga një raketë gjatë sulmit të përbashkët të CIA-së dhe misionit komandues për operacione speciale në mëngjesin e së premtes.

Duke folur në Uashington gjatë ceremonisë për pensionimin e shefit të shtabit të ushtrisë amerikane, admiralit Majk Mullen, presidenti amerikan Barak Obama, tha se vdekja e Avlakit përbën një “arritje të rëndësishme në përpjekjet për të mposhtuar Al Kaidën dhe bashkëpunëtorët e saj”.

Më herët këtë mëngjes u vra Anvar Avlaki, një lider i Al Kaidas në Gadishullin Arabik. Vdekja e Avlakit është një goditje e madhe për qendrat operacionale të Al Kaidas”, u shpreh Obama.

Shtetet e Bashkuara patën qenë në kërkim të Avlakit për më shumë se dy vite, ndërsa e kishin vëzhguar atë tri javë para se të merrnin vendimin për sulm.

Ministria e mbrojtjes në Jemen konfirmoi vdekjen e Avlakit dhe tha se sulmi është bërë në afërsi të qytetit Kashef, 140 kilometra larg kryeqytetit Sana.

Sulmi në fjalë cilësohet të jetë hera e parë kur një shtetas amerikan shënjestërohet dhe vritet nga forcat amerikane që kur ka nisur e ashtuquajtura “lufta ndaj terrorit”-pra, që pas sulmeve të 11 shtatorit 2001.

Agjencia shtetërore e lajmeve, Saba, njoftoi se gjatë sulmit është vrarë dhe një tjetër shtetas amerikan me origjinë pakistaneze. Bëhet fjalë për Samir Kanin, i cili ishte redaktor i revistës elektronike të xhihadistëve të Al Kaidas- “Inspire”.

Agjencia e lajmeve AP, ndërkaq, raportoi që gjatë sulmit të jenë vrarë katër njerëz. Sulmi u zbatua nga njësiti i njëjtë ushtarak i cili pat vrarë Osama Bin Lladenin në muajin maj.

Zyrtarët e mekanizmave anti-terrorizëm dhe ata të inteligjencës i kanë dhënë, në kushte anonimiteti, AP-së detaje për informatat të cilat mundësuan goditjen e Avlakit.

Zyrtarët thanë se lideri i terroristëve në Jemen ishte i përfshirë në tentimin për bombardimin e një mjeti ajror amerikan më 25 dhjetor të vitit 2009.
Ata thanë gjithashtu se ai ka pasur një rol të drejt për drejt në mbikëqyrjen dhe urdhërimin e tentimit të dështuar për rrëzimin e mjetit ajror amerikan.

Zyrtarët e shërbimit inteligjent amerikan besojnë që Avlaki të ketë synuar që me përdorimin e helmeve si cianidi dhe ricini të sulmojë perëndimorët.

Obama e quajti Avlakin një kërcënim serioz për amerikanët:

Avlaki ishte lider i Al Kaidas për operacione të jashtme në Gadishullin Arab. Me këtë rol ai udhëhoqi planifikimet dhe urdhrat në përpjekjet për vrasjen e amerikanëve të pafajshëm.
Avlaki ishte lider i Al Kaidas për operacione të jashtme në Gadishullin Arab. Me këtë rol ai udhëhoqi planifikimet dhe urdhrat në përpjekjet për vrasjen e amerikanëve të pafajshëm. Ai urdhëroi tentimin e dështuar për të rrëzuar aeroplanët e mallrave të Shteteve të Bashkuara në vitin 2010, ndërsa në mënyrë të vazhdueshme u bënte thirrje njerëzve në SHBA dhe në botë që të vrasin burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm-vetëm për ta avancuar agjendën vrastare”, tha presidenti amerikan.

40 vjeçari Avlaki ishte lindur në Nju Meksiko, ndërsa në vitin 2004 kishte braktisur Shtetet e Bashkuara për të shkuar në Jemen, ku shpejt u bë i njohur me predikimet dhe ligjëratat anti-amerikane, shumica prej të cilave u postuan në internet.

Zyrtarët amerikanë besojnë që Avlaki ta ketë inspiruar majorin e ushtrisë Nidal Malik Hasani të vras, në vitin 2009, 13 njerëz në bazën ushtarake Fort Hud në Teksas. Para këtij incidenti, Hasani dhe Avlaki thuhet se kishin pasur kontakt përmes postës elektronike.

Amerikano-pakistanezi, i cili deklaroi vetën të pafajshëm lidhur me tentimin për bombardimin e veture në maj të vitit 2010 në Nju Jork, Fajzal Shahzad, tha se u inspirua nga Avlaki pas kontaktit me të në internet.

Analistët e terrorizmit thonë se vdekja e Avlakit ia vështirëson Al Kaidas rekrutimin e anëtarëve të rinj dhe ngritjen e fondeve financiare në Gadishullin Arabik.

Megjithatë, vendimi i Shtëpisë së Bardhë për të sulmuar një shtetas amerikan ka shkaktuar disa polemika. Grupet për të drejtat e njeriut kanë kritikuar autoritetin e Obamës rreth zbatimit të sulmeve të shënjestëruara.

Në vitin e kaluar, Bashkimi Amerikan për Liritë e Qytetarëve dhe Qendra për të Drejtat Kushtetuese përfaqësuan të atin e Avlakit në një procedurë gjyqësore kundër qeverisë. Rasti u hodh poshtë në muajin dhjetor.

Të premten, zëvendësdrejtori për çështje ligjore i Bashkimit Amerikan për Liritë e Qytetarëve, Xhamil Xhafer, përmes një deklarate, tha se “programi i Shtëpisë së Bardhë për vrasjet e shënjestëruara është në kundërshtim sikurse me ligjin amerikan ashtu dhe me atë ndërkombëtar”.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për të Drejtat Kushtetuese, Vinsent Uorrën, tha se programi në fjalë “ia garanton ekzekutivit fuqinë për vrasjen e çfarëdo qytetari amerikan që konsiderohet të jetë një kërcënim dhe këtë pa ndonjë bazë juridike ose ndonjë të drejte të cilën e ofron kushtetuta”.(e.p.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG