Ndërlidhjet

Forcojnë bllokadat


Mitrovicë - foto arkivi
Mitrovicë - foto arkivi
Pavarësisht veprimit provokues të disa serbëve, të cilët kanë betonuar barrikadën mbi urën kryesore që lidh dy brigjet e Lumit Ibër në Mitrovicë, nuk ka pasur incidente, të cilat do ta rrezikonin sigurinë e përgjithshme, vlerësojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i kësaj policie për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë se përmes veprimeve të tilla, grupet ekstremiste të serbëve po përpiqen ta provokojnë situatën.

“Kemi pasur një aktivitet, me qëllim më tepër provokues nga grupet ekstremiste, të cilat kanë vendosur një masë të betonit përmbi barrikadën ekzistuese në urën kryesore mbi lumin Ibër. Kjo ka ngjarë në orët e mbrëmjes, menjëherë pas një ndeshjeje sportive, në të cilën ka marrë pjesë vetë reprezentacioni i Republikës së Serbisë”.

“Është e qartë se grupet ekstremiste kërkojnë një partner për të provokuar situatën apo për ta eskaluar atë. Por, fatmirësisht, nuk kemi reagim nga qytetarët nga pjesa jugore e qytetit”,
thotë Hoti.

Policia e Kosovës
Sipas tij, pavarësisht bllokimit të urës kryesore mbi lumin Ibër, nëpër të cilën është pamundësuar qarkullimi i automjeteve, qarkullimi i qytetarëve nga të dyja anët e këtij lumi vazhdon të jetë i lirë.

“Të gjitha mundësitë e qarkullimit janë, ekzistojnë rrugë, përveç kësaj urës kryesore, për të cilën trafiku rrugor është i penguar. Do të thotë, nuk mund të qarkullohet në komunikacionin e trafikut rrugor. Ndërsa këmbë, qytetarët këmbësorë mund të kalojnë edhe përmbi urën kryesore, pa telashe”.

“Rrugët tjera, përmes Lagjes së Boshnjakëve, fshatit Suhodoll, pjesës Tre Rrokaqiejt, të gjitha këto janë të hapura. Do të thotë, nuk ka telashe në këtë drejtim”,
shpjegon Hoti.

Ai thotë se në mjediset me popullatë të përzier në veriun e Kosovës, është e pranishme Policia e Kosovës, ndërkohë që ajo e shoqëron edhe qarkullimin e autobusëve, që bartin udhëtarët nga Kodra e Minatorëve në veri të Mitrovicës, për në pjesën jugore të qytetit.

Edhe zyrtarët e KFOR-it e përshkruajnë të qetë situatën në vendkalimet kufitare në Jarinë dhe Bërnjak. Zëdhënësi i kësaj force, Frenk Martin, thotë se gjatë orëve të fundit nuk ka pasur ndonjë lëvizje që do të cenonte situatën e sigurisë në vendkalimet kufitare në veri të vendit.

“Ne jemi të kënaqur me gjendjen e qetë që mbizotëron momentalisht dhe shpresojmë se gjendja e tillë do të vazhdojë të mbetet edhe në të ardhmen”, thotë Martin.

Branko Niniq, përfaqësues i serbëve në Leposaviq, thotë se vendkalimi kufitar në Jarinë tashmë është i bllokuar nga të dyja anët me barrikada.

Sipas tij, serbët lokalë kanë vendosur edhe një barrikadë, por në pjesën që i takon Republikës së Serbisë, duke e bllokuar në këtë mënyrë edhe qarkullimin e automjeteve, edhe të mallrave që vijnë nga Serbia për në Kosovë.

“Qytetarët janë pranë bllokadave dhe po kujdestarojnë aty në një numër të vogël, duke përcjellë situatën. Për momentin, në Jarinë, ekzistojnë dy bllokada. Njëra është në drejtimin nga Leposaviqi drejt bazës së KFOR-it dhe tjetra është nga drejtimi i Rashkës, në vendkalimin kufitar ndërmjet Serbisë qendrore dhe Kosovës. Është e rëndësishme në këtë moment që situata është e qetë”, thotë Niniq.

Sipas tij, barrikadimin e rrugës në pjesën e Serbisë e kanë bërë serbët lokalë, pas deklaratave të KFOR-it se qarkullimi i automjeteve dhe i mallrave në vendkalimin kufitar në Jarinë mund të bëhet lirshëm.
XS
SM
MD
LG