Ndërlidhjet

Listat e mbyllura, regres për demokracinë


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Pothuaj pesë muaj pas nisjes së punës, Komisioni për reformën zgjedhore nuk ka arritur të marrë konsensusin e partive politike për çështjet kryesore, që kanë të bëjnë me zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.

Drejtuesi i Komisionit, Haki Demolli, fajëson partitë më të mëdha politike për vonesat.

“U kemi dhënë prioritet problemeve të kategorive kushtetuese, si sistemi i zgjedhjeve dhe KQZ-ja. Gjatë shtatorit kemi diskutuar për sistemin zgjedhor, por nuk kemi pasur qëndrimin e disa partive politike. SLS, ‘6 plus’ dhe Vetëvendosja kanë dhënë qëndrimet e tyre, por na kanë munguar qëndrimet e tri partive më të mëdha politike, siç janë: PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja”, thotë për Radion Evropa e Lirë Haki Demolli, që vetë i përket LDK-së.

Opsioni i listave të hapura, ku votuesi ka mundur të zgjedhë vetë deputetin, duke mos i lënë këtë mundësi partisë politike, është futur vonë në sistemin zgjedhor kosovar. Por, duket se disa parti politike duan kthimin e listave të mbyllura.

Burim Ejupi, nga Instituti KIPRED, që merr pjesë në cilësinë e përfaqësuesit të shoqërisë civile në grupin punues për zgjedhje, thotë se kthimi i listave të mbyllura do të nënkuptojë kthim mbrapa për demokracinë.

“Janë disa subjekte politike që për interesa personale, janë duke shtyrë përpara idenë që listat të mbyllen. Për këtë kanë si argument parregullsitë. Por, dihet që parregullsitë nuk ndodhin për shkak të listave të hapura apo të mbyllura, por për shkak të vjedhjeve dhe keqpërdorimit të votës”.

“Ne si shoqëri civile, që nga viti 2004, kemi kërkuar që listat të jenë të hapura. E tash, nëse vendoset që ato të mbyllen, kjo do të paraqesë një regres për demokracinë, e cila vërehet që është pak e brishtë në Kosovë”,
thotë Ejupi për Radion Evropa e Lirë.

Meqenëse është kategori kushtetuese, ndryshimi i nenit për listat zgjedhore kërkon domosdoshmërisht konsensusin e të gjitha partive politike. Për këtë arsye, Demolli dyshon se do të ketë ndryshim.

Haki Demolli
“Votimi me lista të hapura është kategori kushtetuese dhe parashihet edhe me Pakon e Ahtisarit. Për ndryshimin e mënyrës së votimit me lista të hapura apo të mbyllura, kërkohet konsensus... Por, vështirë të ndërrohet sistemi i hapur i listave tani për tani”, thotë Demolli.

Një tjetër çështje sfiduese për subjektet politike do të jetë përcaktimi për një zonë ose për më shumë zona zgjedhore. Shoqëria civile preferon të ketë më shumë se një zonë zgjedhore, por nuk ka një qëndrim të qartë nga subjektet politike. Burim Ejupi, nga Instiuti KIPRED, thotë:

“Shoqëria civile kërkon po ashtu që të ketë shtatë zona zgjedhore, për shkak të afërsisë së votuesve me përfaqësuesit e zgjedhur. Ne do të argumentojmë edhe në një publikim tonin të radhës, se pse Kosova duhet të ketë më shumë se një zonë zgjedhore”.

Zgjedhjet e fundit të përgjithshme, sikurse edhe ato lokale, janë përcjellë me shumë parregullsi, duke vënë në funksion edhe Gjykatën Supreme, e cila në shumë raste urdhëroi përsëritjen e zgjedhjeve në komunat ku parregullsitë kishin dëmtuar procesin zgjedhor.

Kryetari i Komisionit për reformën zgjedhore, Haki Demolli, thotë se ka identifikuar problemet kryesore, që kanë çuar në parregullsi.

“Listat e votuesve, listat zgjedhore, spastrimi i tyre, identifikimi i votuesve me rastin e votimit dhe numërimi i fletëvotimeve apo votave të paraqitura në fletëvotime... Po qe se gjendet zgjidhja adekuate për këto, do t’ia dalim që t’i zvogëlojmë keqpërdorimet në zgjedhjet e ardhshme”, thekson Demolli.

Megjithatë, sipas Ejupit, nuk është ligji ai që në mënyrë strikte pengon parregullsitë.

“Nuk është ligji ai që i ka sjellë këto parregullsi, por janë njerëzit, anëtarët e subjekteve politike, që e kanë dëmtuar demokracinë. Është vjedhur vota e lirë, jo për shkak të ligjit, por për shkak të vullnetit të disa subjekteve dhe individëve të disa subjekteve politike”, thotë Ejupi.

Rekomandimet që do të dalin nga Komisioni për reformën zgjedhore, pritet t’i dorëzohen Kuvendit në muajin mars të vitit të ardhshëm.

Njohësit e proceseve zgjedhore thonë se ky komision, si dhe grupi punues për zgjedhjet, duhet të punojë më shpejt dhe në mënyrë më transparente.
XS
SM
MD
LG