Ndërlidhjet

logo-print

ST: Vëzhguesit s'mund t’i ikin 'përrallës së mjerimit'


Arkiv

Arkiv

"The Sunday Times"

Shkruan: Irvin Stelcer, drejtor për studime të politikave ekonomike në Institutin Hudson.


Kriza ekonomike financiare, që është në rritje në Eurozonë, po monitorohet me kujdes përgjatë Atlantikut, ndërsa ka pasoja të mëdha për ekonominë amerikane.

Ne të gjithë jemi evropianë tani. Kushdo që dyshon në këtë, le të përpiqet që në çdo mëngjes të gjejë lajme rreth gjendjes së ekonomisë amerikane në rrjetet financiare. Nuk do të ketë fat. Po flitet shumë për veprimin balancues të kancelares gjermane, Angela Merkel - një tentim i saj për të shmangur largimin nga zyra e presidencës, duke dërguar, në të njëjtën kohë, paratë e gjermanëve në jug për të shpëtuar Greqinë.

Më shumë po flitet për kushtet e rrezikshme të sistemit financiar në Evropë, me banka të nënkapitalizuara, të cilat po luftojnë për të mbijetuar në kohën kur vlera e borxheve të shteteve në bilancin e tyre po lëviz kah jugu.

Reporterët e CNBC-së planifikuan, brenda natës, udhëtime të shpejta për në Athinë, për të intervistuar këdo nga politikanët që do të mund të jepte garanci se Greqia, me një borxh tronditës prej 165 përqindësh të GDP-së, do të zvogëlojë kësaj radhe me të vërtetë numrin e punëtorëve në sektorin publik, si dhe do të mbledhë taksat pavarësisht kundërshtimeve dhe pamundësisë së njerëzve për t’i paguar ato.

Të gjitha këto kanë pasoja në Amerikë. Shikuesit e lajmeve kanë tendenca t’iu kushtojnë më shumë rëndësi çështjeve që mbështesin pikëpamjet e tyre, andaj lajmet e këqija absorbohen shumë shpejt.

Shumica e amerikanëve mendojnë se Shtetet e Bashkuara janë në rrugë të gabuar, kur shohin se presidenti amerikan është më shumë i përqendruar në fushatën e tij sesa në qeverisjen e vendit për 14 muajt e ardhshëm.

Nuk është befasuese që, në kohën kur politikanët evropianë nuk po arrijnë të pajtohen rreth veprimeve të përbashkëta, amerikanët, tashmë nervozë, të nisin t’i heqin qafe aksionet e veta për të marrë bono të thesarit amerikan - gjë që shkaktoi një inflacion negativ, ndërsa rregulloi normat e interesit.

Pastaj raportohej se Bundestagu gjerman ka mbështetur planet për ndihmë financiare të Merkelit dhe se tregjet amerikane kanë shënuar rritje për disa qindra pikë, duke u udhëhequr nga bankat.

Ish-zyrtari në Bankën Qendrore të Nju Jorkut, tani drejtor menaxhues i kompanisë konsulente, Hamiltonian Assosiates, Dino Kos, thotë se është i vogël rreziku që kriza të kalojë edhe në SHBA, meqë qeveritë në Francë, Gjermani dhe shtete të tjera do t’i mbështesin bankat e tyre.

Mirëpo, përpjekjet për të imunizuar sistemin financiar amerikan nga ndikimi i Evropës, mund të quhen pjesërisht të suksesshme. Bankat evropiane varen nga Banka Qendrore Amerikane, për shkak se kanë nevoja për dollarë, në mënyrë që të bëjnë tërheqjen e parasë prej fondeve të tregjeve në fondet e tregjeve të huadhënies. Kjo ka trazuar politikanët amerikanë.

Amerikanët kanë arsye të forta që kur pinë kafenë e mëngjesit, t’i përcjellin edhe zhvillimet në Evropë.

“Ekspozimi në rritje i Bankës Qendrore dhe i Qeverisë amerikane karshi bankave të huaja është një problem i rrezikut moral”, tha në komitetin e shërbimeve financiare të Shtëpisë së Bardhë, republikani nga Kalifornia, Ed Rojs.

Presidenti i Bankës Qendrore në Nju Jork, Uilliem Dadlli, tha se rregullatorëve u mungojnë të dhënat e mjaftueshme për operacionet e institucioneve ndërkombëtare në Amerikë, “në mënyrë që të bëhen vlerësime të sakta për përshtatshmërinë e mbulesave kapitale dhe të likuiditetit të këtyre firmave”.

Natyrisht se ka edhe mjaft lajme të këqija në Amerikë - madje edhe lajmet e mira duken të këqija. Mirëpo, vëzhguesit thonë se pavarësisht përvojës së bizneseve amerikane, derisa nuk kthehet besimi në sistemin politik, ekonomia do të mbetet në mes të stagnimit dhe recesionit. (e.p.)
XS
SM
MD
LG