Ndërlidhjet

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, Remzi Salihu, është vrarë të hënën në mëngjes, në vendin e tij të punës.

Policia e Kosovës ka arrestuar një person si të dyshuar për vrasjen, ka njoftuar zëdhënësi për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Policia ka arritur te identifikojë dhe të arrestojë një të dyshuar, një mashkull 30 vjeçar, si dhe të konfiskojë një revole e cila dyshohet të jetë përdorur në rastin në fjalë. Aktualisht policia po punon me intensitet të shtuar për të sqaruar dhe ndriçuar të gjitha rrethanat të cilat kanë të bëjnë me rastin në fjalë”, deklaroi Borovci.

Ndryshe, në javët e fundit në Kosovë, kanë ndodhur disa vrasje nëpër qendra të qyteteve.

Javën e kaluar, në mes të ditës, ka ndodhur një vrasje në Prishtinë e po ashtu edhe një tjetër në qytetin e Pejës.

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme thonë se është e vështirë të parashikohen vrasjet e tilla.

Enver Oruqaj, këshilltar politik i ministrit të Punëve të Brendshme, thotë se ministria vazhdimisht kërkon rritjen e masave të sigurisë në të gjitha vendet ku ka indikacione se mund të ketë ngjarje të tilla.

Çdo herë ministri ka kërkuar nga policia që të rrisë nivelin e sigurisë në çdo vend ku ka pasur ngjarje të tilla, në mënyrë që të rriten masat e sigurisë dhe të shtohen patrullimet. U bëjmë apel qytetarëve, pavarësish motivit, që t’i drejtohen organeve të drejtësisë dhe policisë, nëse ka raste të mos marrëveshjeve të ndryshme, por jo të marrin drejtësinë në duart e tyre”, deklaroi Oruqaj.

Eksperti për çështje ushtarake dhe të sigurisë, Naim Maloku, thotë se autoritetet e rendit duhet ta kenë si shqetësim të madh fenomenin e rritjes së krimit në Kosovë.

Ai thotë se në Kosovë nuk po ndëshkohet mjaftueshëm krimi.

Organet e sigurisë dhe gjyqësia duhet të jenë me efektive. Kemi raste kur gjyqësori nuk e kryen punën e vet. Nuk ka masa ndëshkuese të mjaftueshme të cilat do të parandalonin në masë të madhe krimin”, tha Maloku.

Ndryshe, vrasjen e së hënës në Komunën e Prishtinës e kanë dënuar përfaqësuesit e institucioneve të vendi.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e quajti të patolerueshëm incidentin, ndërsa theksoi rëndësinë për forcimin e sundimit të Ligjit në Kosovë.

Kosova është duke punuar për forcimin e sundimit të ligjit, trajtimin e korrupsionit dhe sfidat e zhvillimit ekonomik. Ne jemi të brengosur që sot në zyrën e vet është vrarë Drejtori i Arsimit të Prishtinës. Kjo është e patolerueshme”, ka deklaruar Jahjaga.

Kurse në reagimin e Qeverisë së Kosovës, thuhet se “ky është një sulm i rëndë kundër institucioneve të Republikës së Kosovës dhe cenim i rëndë i integritetit të zyrtarit institucional në vendin e tij të punës”.

Edhe përfaqësuesit e institucioneve të tjera të vendit, dhe partitë politike e kanë dënuar vrasjen e Remzi Salihut, duke e cilësuar sulmin si një akt të tmerrshëm, të patolerueshëm dhe gjerësisht i dënuar

Në shenjë proteste për vrasjen e Remzi Salihut, me iniciativën e personelit të shumë shkollave në Prishtinë, është ndërprerë procesi mësimor.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG