Ndërlidhjet

Duan ta sanksionojnë Sirinë


Diplomatët thanë se shtetet evropiane do t’i kërkojnë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të votojë gjatë ditës për një draft-rezolutë, me të cilën do të kërcënohej regjimi sirian me masa ndëshkuese po që se qeveria e këtij vendi nuk ndal menjëherë shtypjen e dhunshme të protestave.

Megjithatë, mbetet e paqartë se a si do të votojë anëtari i përhershëm i Këshillit të Sigurimit –Rusia, e cila deri më tani është zotuar për të vënë Veto-n ndaj çfarëdo lloj rezolute kundër Sirisë.

Sipas mediave, së fundi u vendos që fjalët “sanksione” të hiqen nga teksti i rezolutës dhe të zëvendësohen me termin “masa” të paspecifikuara ndaj regjimit sirian.

Diplomatët shprehin bindjen që rezolutën në fjalë ta mbështesin Shtetet e Bashkuara, Franca, Britania, Gjermania dhe Protugalia.

Rusia, India, Kina, Afrika Jugore dhe Brazili kanë kundërshtuar, ndërkaq, çfarëdo lloj rezolute me të cilën regjimit të Sirisë do t’i viheshin sanksione të caktuara.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, më shumë se 2.700 njerëz janë vrarë gjatë shtypjes së protestave kundër regjimit sirian që nga muaji mars.
XS
SM
MD
LG