Ndërlidhjet

logo-print
Ministrat e financave të Eurozonës që janë takuar në Luksemburg, kanë shtyrë vendimin e tyre rreth ndihmës financiare për Greqinë, përderisa auditorët ndërkombtarë po vazhdojnë inspektimin e tyre për problemet financiare të këtij vendi.

Udhëheqësi i këtij grupi, Zhan Klod Junker, tha se inspektorët të cilët janë duke vlerësuar nëse Greqia ka bërë mjaftueshëm progres për t'u kualifikuar për fondin e ardhshëm prej 8 miliardë eurosh nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombtar, nuk do ta kenë raportin të gatshëm deri me 13 tetor.

Junker, i cili njëherësh është edhe kryeministër i Luksemburgut, insistoi se nuk ka mundësi që për shkak të borxhit Greqia ta braktisë valutën e euros.

"Askush nuk e ka mbrojtur një dështim për Greqinë. Gjithçka do të bëhet për ta shamangur atë dhe do ta shmangim, dhe askush nuk e mbron një gjë të tillë - largimin e Greqisë nga Eurozona. Unë i mohoj vendosmërisht të gjitha ato thashetheme se Greqia do ta braktis Eurozonën dhe gjithashtu mohoj vendosmërisht të gjitha thashethemet që lidhen me çfarëdo dështimi të Greqisë", është shprehur Junker.

Mirëpo, ministri grek i financave, Evangelos Venizelos, tha se Greqia mund të pres deri kah mesi i muajit nëntor për të marrë paketën e radhës të ndihmës financiare.

Qeveria e Greqisë kishte thënë më parë që pa fondet ndihmëse, vendi do të bankrotonte deri kah mesi i këtij muaji.

Komentet e tij Venizelos i bëri pas kthimit në Athinë nga takimi i ministrave të financave të Eurozonës që u mbajt në Luksemburg.

Shqetësimeve të mëdha rreth krizës financiare i shtohet rënia e valutës së Euros në 1.32 dollarë, që shënon nivelin më të ultë kundrejt dollarit që nga janari.

Ndërkohë, indekset kryesore të aksioneve amerikane jane mbyllur në nivelet e tyre më të ulëta në më shumë se një vit.

Të martën në Athinë, punëtorët e sektorit publik bllokuan hyrjet e disa ministrive si shenjë proteste kundër masave të rrepta që ka ndërmarrë qeveria për shkak të problemeve rreth borxhit.

Kohë, më parë qeveria greke vendosi që të shkurtojë për rreth 30 mijë numrin e punëtorëve në sektorin publik.

Një propozim për zbatimin e këtij plani erdhi nga Komisioni Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Këta të fundit propozuan që shkurtimet në sektorin publik të bëhen duke i vënë në “rezervë” punëtorët e moshuar ose ata që janë më afër pensionit, gjë që nënkupton suspendimin e tyre me pagesë të reduktuar.


XS
SM
MD
LG