Ndërlidhjet

Thaçi: Dialogu politik nuk është në tavolinë


Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

Dialogu politik me Serbinë nuk është në tavolinë as të Prishtinës, por as të Brukselit e Uashingtonit, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri Hashim Thaçi. Kryeministri Thaçi hedh poshtë çdo aranzhim që del jashtë pakos së Ahtisarit për veriun, ndërsa thotë se Prishtina është e gatshme të vazhdojë dialogun për çështjet teknike.



RADIO EVEROPA E LIRË
Zoti kryeministër pas anulimit të bisedimeve të fundit në Bruksel, gjithnjë e më tepër po flitet për nisjen e një dialogu politik me Serbinë. Është thënë se edhe ju mbështesni një dialog të tillë?

HASHIM THAÇI
Prej vitit të kaluar kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka rekomanduar dialogun për çështje teknike mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, pastaj Parlamenti i Kosovës ka marrë vendim dhe Qeveria e Kosovës ka filluar dialogun në Bruksel me Serbinë, mund të them se është hapur një proces i ri, ai i çështjeve të dialogut teknik.

Tani kemi tri konkluzione të përbashkëta, kemi edhe marrëveshjen mes shtetit të Kosovës dhe të Serbisë për vulat doganore, dialog ky që udhëhiqet nga Bashkimi Evropian i mbështetur nga SHBA-të. Kemi edhe planin e përbashkët operacional të Qeverisë së Kosovës dhe të gjitha autoriteteve ndërkombëtare që ka filluar të implementohet në veri në pikat 1 dhe 31, ku kemi policinë e Kosovës dhe doganierët e Kosovës.

Pra, dialogu do të vazhdojë, dialogu i çështjeve teknike. Natyrisht se do të ishte jashtëzakonisht e rëndësishme që të ndodhë njohja reciproke mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, që është zgjidhja më e mirë dhe më e pranueshme për gjithë botën. Ky do të ishte mesazhi më i mirë për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën euro-atlantike të popujve dhe vendeve tona. Kështu që mendoj se dialogu teknik do të vazhdojë, por do të ishte me interes që të ndodhë njohja në mes dy shteteve tona, në mënyrë që të hapet perspektiva evropiane për vendet tona.

RADIO EVROPA E LIRË
Marrë parasysh qëndrimet aktuale të Qeverisë së Serbisë, një njohje eventuale nuk duket në horizont. Gjatë kësaj periudhe, a do të ketë apo jo dialog politik?

HASHIM THAÇI
Fillimisht me rëndësi është që Serbia të pranojë realitetin e ri të krijuar në Kosovë, ndërsa njohja të ndodhë gradualisht nga Serbia për shtetin e Kosovës dhe nga Kosova për shtetin e Serbisë, që të vazhdojnë rrugën e tyre euro-atlantike si dy vende sovrane.

Diçka e tillë çka ju po pyesni as që është në tavolina të punës së ndokujt as në Prishtinë, as në Bruksel e as në Uashington. Por, në të njëjtën kohë jemi shumë të përgjegjshëm për vazhdimin e dialogut për çështje teknike.

Natyrisht se do të duhej të ndodhte gradualisht edhe mirëkuptimi dhe gatishmëria e lidershipit politik të Prishtinës dhe Beogradit për një marrëveshje të fqinjësisë së mirë dhe njohjes reciproke.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, për të qenë më konkretë, ju nuk e mbështesni një dialog politik pa njohjen nga ana e Serbisë?




HASHIM THAÇI
Me Serbinë do të ketë vazhdimisht raporte sikurse me vendet tjera fqinje. Diçka e tillë nuk është në tavolinat e kryeqyteteve tona, as në Prishtinë, as në vendet e BE-së as në SHBA, por gjithë bota e mbështet ndërtimin e raporteve të fqinjësisë së mirë dhe ndonjë marrëveshje të përbashkët për njohje reciproke.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, në anën tjetër, në veri në vend se të hiqen, vetëm sa po përforcohen barrikadat. Ndërkohë, po qarkullojnë idetë që veriu mbase duhet të vendoset nën një administrim ndërkombëtar. Cili është qëndrimi juaj?

HASHIM THAÇI
Zgjidhja e vetme edhe për veriun si për gjithë Kosovën është implementimi i plotë i dokumentit të presidentit Ahtisaari, pra rend dhe ligj, demokraci, zhvillim ekonomik, zgjedhje të lira, lidership legjitim, bashkëpunim i ngushtë i institucioneve të Republikës së Kosovës me ato lokale.

Qeveria e Kosovës nuk është në konflikt me qytetarin në veri, Qeveria e Kosovës është mjaft e zotuar për të qenë sa më afër qytetarëve në veri, të punojë me ta, të respektojë vullnetin e tyre, të vazhdojmë të investojmë në infrastrukturë, të ndryshojmë jetën e tyre për të mirë. Unë si kryeministër dhe Qeveria e Kosovës do të jemi në shërbim të të gjithëve.

Zgjidhja e vetme edhe për shumicën e qytetarëve në veri është integrimi dhe veç po shprehin gradualisht një gatishmëri të tillë, një distancim nga grupet ilegale dhe kriminale që do të ballafaqohen me drejtësinë. Prandaj, Kosova edhe në të ardhmen, në këtë pjesë të rajonit do të ketë një angazhim mbikëqyrës dhe mbështetës ndërkombëtar.

RADIO EVROPA E LIRË
Kush po e shpreh këtë gatishmëri për integrim?




HASHIM THAÇI
Ne vetëm kemi filluar me autoritetet e ndryshme në veri dhe drejtpërdrejt kontaktet me qytetarët, të cilët gradualisht kanë filluar definitivisht të shkëputen nga ëndrra e ushqyer tash e 12 vjet e Beogradit për ndarje të Kosovës dhe të gjithë janë të vetëdijshëm se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, se nuk do të ketë autonomi, nuk do të ketë status special dhe nuk do të ketë asnjë rrethanë, ndonjë variacion tjetër të zgjidhjes së çështjeve dhe problemeve atje, me përjashtim të dokumentit të presidentit Ahtisari dhe angazhimeve konkrete të Republikës së Kosovës.

Dokumenti i Ahtisarit është implementuar edhe me formimin e komunave të reja, që tani janë model i jetës së mirë dhe suksesit si komuna e Shtërpcës, Ranillugut, Graçanicës dhe Kllokotit.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni thënë se problemet në veri nuk mund të zgjidhen brenda disa orëve. A nënkupton kjo, që për të bindur serbët e Mitrovicës për të larguar barrikadat, do të duhet megjithatë ndihma e Beogradit?

HASHIM THAÇI
Në asnjë rrethanë nuk duhet t’i identifikojmë qytetarët serbë në veri me barrikadat dhe mentalitetin izolues dhe bllokues. Qytetarët në veri kanë vullnet të mirë për jetë të re, kanë vullnet për Kosovën evropiane, kanë vullnet për zhvillim, kanë vullnet për jetë të re, kanë nevojë për krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e mirëqenies sociale.

Diçka të tillë do të vazhdojë ta bëjë Qeveria e Kosovës, të jetë sa më afër tyre. Natyrisht se këto 12 vite janë vite të humbura për ata qytetarë atje, por ne do të vazhdojmë me veprimet tona afirmative që të fillojmë me zhvillimin ekonomik, të vazhdojmë me projekte konkrete për të ndryshuar jetën e tyre sa më mirë, qoftë me ndërtimin e shkollave të reja, ambulancave, kanalizimeve, ujësjellësve, trotuareve, rrugëve, urave ajo se çka kanë nevojë. Pra, Qeveria e Kosovës do të jetë në shërbim të nevojave të qytetarëve në veri.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër herë pas here, që nga 25 korriku, në veri ka pasur dhunë që ka lënë edhe të vrarë dhe të plagosur. Pas 16 shtatorit, ju keni pasur mbështetjen edhe të EULEX-it për veprimet në veri. Por, përse deri sot, kryesit e krimeve nuk janë sjellë para drejtësisë?

HASHIM THAÇI
Ata që kanë djegur pikën doganore 1, ata që kanë ushtruar dhunë dhe kanë vrarë policin e Kosovës, ata që pretendojnë të provokojnë dhunë ndaj KFOR-it, EULEX-it dhe autoriteteve kosovare, natyrisht se do të ballafaqohen me drejtësinë.

Ne kemi aktakuzat e para, por përsëri e theksoj se në asnjë rrethanë këta njerëz që përdorin dhunën, nuk duhet të identifikohen me shumicën e qytetarëve në veri. Ata duan paqe, duan stabilitet, zhvillim ekonomik, jetë të re dhe duan të kenë rend demokratik, shoqëri multietnike. Kjo më është zotuar edhe mua dhe unë do të vazhdoj të punoj me të gjithë qytetarët pa dallim etnie në veri dhe unë vazhdoj t’iu dërgoj mesazh të gjithë qytetarëve serbë në veri se zgjidhja e tyre është integrimi dhe në asnjë rrethanë barrikadat apo vetë izolimi.

Duhet definitivisht të kemi një qasje të re, një politikë të re, një afrim me qytetarët atje në mënyrë që të kemi dhe të ndjehet dora apo autoriteti i ngrohtë i institucioneve të Kosovës edhe në veri.

RADIO EVROPA E LIRË
Po, sa do të mund të vazhdojë një situatë e tillë. Dihet që edhe më tej, policët e doganierët po transportohen në pikat kufitare me helikopterë. Ka ndonjë afat kohor?

HASHIM THAÇI
Me rëndësi është që është garantuar integriteti territorial i Republikës së Kosovës, sovraniteti po forcohet, policët dhe doganierët janë në pikën 1 dhe 31. Të gjitha rrugët e kontrabandës janë të bllokuara, rrugët alternative.

Janë reduktuar maksimalisht rrjetet e krimit të organizuar, që qarkullonin nga Serbia në Kosovë, natyrisht që ka shumë për të bërë, por në të njëjtën kohë për aq sa ne jemi të vendosur për rend dhe ligj po aq Qeveria e Kosovës është e vendosur për demokraci, zhvillim ekonomik atje, në mënyrë që njerëzit definitivisht të fillojnë një jetë të re, në Kosovën e re, në Kosovën evropiane, në Kosovën atdhe të të gjithë qytetarëve të saj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG