Ndërlidhjet

logo-print

A do të zemërohet Pakistani?

  • RFE /RL

Presidenti afgan Hamid Karzai dhe kryeministri indian Manmohan Sing

Presidenti afgan Hamid Karzai dhe kryeministri indian Manmohan Sing

Afganistani dhe India, të bashkuar me dyshimet e përbashkëta ndaj Pakistanit fqinj, pritet të ndërtojnë raporte më të afërta gjatë vizitës dyditëshe të presidentit afgan, Hamid Karzai, në Nju Delhi.

Kjo është vizita e dytë e Karzait në Indi, e cila ishte planifikuar disa muaj më parë.

Por, bisedimet e tij me kryeministrin e Indisë, Manmohan Sing, këtë javë, bëhen në periudhën e tensioneve në rritje, dhe në kohën kur Afganistani duket se është gjithnjë e më i frustruar me Pakistanin.

Zyrtarë të lartë të Afganistanit e kanë akuzuar shërbimin e inteligjencës së Pakistanit, i njohur me shkurtesën ISI, për orkestrimin dhe vrasjen e ish presidentit afgan, Burhanudin Rabani, muajin e kaluar, që ishte një lider i fuqishëm nga pjesa veriore e Afganistanit dhe negociatori kryesor i Kabulit për paqe me talibanët.

Vetë Karzai pat thënë se ekziston lidhje e vrasjes së Rabanit me Pakistanin.

Hetuesit e caktuar nga Karzai thanë se vrasësi ishte nga Pakistani dhe se sulmi vetëvrasës me bombë, nga i cili u vra ish presidenti Rabani, ishte komplot i përgatitur në qytetin Kueta të Pakistanit.

Hamid Elmi, zëdhënës i presidentit Karzai, i tha Radios Evropa e Lirë, se vrasja e Rabanit, vrasjet e tjera aktuale dhe dhuna, e kanë bërë të domosdoshme për Afganistanin, që t’i forcojë raportet me vendet e tjera të Azisë Jugore.

Në një situatë të këtillë, ne duhet të bisedojmë në mënyrë të re me miqtë tanë dhe me vendet në rajon, për atë se si të sillet paqja dhe ta luftojmë terrorizmin. Pastaj si të kemi një qëndrim të përbashkët kundër atyre vendeve dhe qarqeve, që e mbështesin terrorizmin”, tha zëdhënësi Hamid Elmi.

Disa analistë në Indi parashohin se Hamid Karzai do të përpiqet ta avancojë rolin e Indisë në stabilizimin e Afganistanit, derisa po afrohet viti 2014, që është afati për zvogëlimin e trupave ndërkombëtare, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

Ata argumentojnë se Karzai po e humbë durimin me Pakistanin, të cilin, si Kabuli ashtu edhe Nju Delhi, e akuzojnë për financimin e grupeve militante për të ndërmarrë sulme në Afganistan dhe në Kashmirin e administruar nga India.

Në fillim të muajit tetor, duke folur para një grupi të klerikëve në pallatin presidencial në Kabul, pas vrasjes së ish presidentit Rabani, zoti Karzai tha se Pakistani ishte “në anën tjetër” të përpjekjeve të Kabulit për bisedime paqësore me kryengritësit.

Po, ne dëshirojmë paqe. Por, populli i Afganistanit po më pyet mua se me kë po zhvilloj bisedime paqësore.
Po, ne dëshirojmë paqe. Por, populli i Afganistanit po më pyet mua se me kë po zhvilloj bisedime paqësore. Kush është në anën tjetër të bisedimeve paqësore? Nuk kam përgjigje tjetër, pos që të them se partneri im në anën tjetër të bisedimeve paqësore është Pakistani. Nuk mund ta gjej Mulla Omarin. Ku është ai? Nuk mund ta gjej Këshillin Taliban, ku është ky këshill? Lajmëtari në emër të tyre vjen dhe vranë. Pra, me kë ne do të duhej të bisedojmë? Përgjigjja është – me Pakistanin”, tha Hamid Karzai.

Pritet që Karzai dhe kryeministri Sing në Nju Delhi do të nënshkruajnë një marrëveshje që do të mundësonte që India t’i trajnojë forcat policore dhe të sigurisë afgane, marrëveshje kjo që me siguri do t’i zemërojë jashtë mase zyrtarët në Pakistan.

Tashmë, Pakistani i ka kritikuar institucionet e mbrojtjes në Indi për trajnimin e një numri të vogël të oficerëve të Armatës Kombëtare Afgane.

Islamabadi, po ashtu, ka thënë se projektet e Indisë për ndërtimin e autostradave në Afganistan, kanë për qëllim vendosjen e spiunëve të Indisë në rajonet provinciale të Afganistanit. (f. b.)


XS
SM
MD
LG